Bardhyl Maliqi
Sa herë më ndeshin sytë në këtë obelisk,
mendoj të veçantën e tij, universalen.
Kjo përmendore është pema e mallit
për fëmijët viktima të një rrethimi absurd.
Dhe tani e di pse gjaku i të rënëve
bëhet klorofil i përhershëm gjelbërimi,
kështu dhe obelisku i gjelbër i Sarajevës
është një thumb në kujtesën e të gjallëve.
Njerëzit dalin këtu fotografi, edhe poetët,
si për t’u thënë fëmijëve: Ju kemi në shpirt,
ju kemi në kujtesën vizuale, në emocionet
tona ju kemi, të brishtë e të bukur!
Ky obelisk i gjelbër na kujton se gjeneralët,
politikanët luftëndjellës, klerikët përçarës,
nuk duhet të kenë përmendore përmbi dhe,
veç në ferr në rrethin e 9-të meritojnë një vend.
Obelisku i gjelbër i Sarajevës është një lot,
një lot i përhershëm në sytë vajzës time,
në sytë e mi, në vargjet e mia, në vjershat e tua,
në albumin e kujtesës së njerëzve të ndershëm!
Comments