top of page
Search

Opinion për opinionin nga Pajtim Çaushi

Fjalët kyçe

Mbrëmë, në ekranin e një tv kombëtar nga më të shikuarit, trajtohej problemi i rëndësishëm: "Etja për seks... Pse?!..."

Gazetari kryerruar rreth të pesëdhjetave pati krijuar panelin e diskutuesve që hidhnin e prisnin dy fjalë kyçe: oreks dhe seks.

Të ftuarit qenë për nga mosha aty për aty me gazetarin kryerruar.

Të gjithë tepër të shqetësuar për etjen që paskish kapërthyer kombin.

Pyetjet eliptike: pse, sa, kur, si pasoheshin me plastikë shprehëse të mimikës dhe lëvizje tē pakontrolluara të vitheve e gjymtyrëve. Ngjanin si të kapurit nga epilepsia.


Teza e antiteza për etjen seksuale

Gjatë referimeve të ndërprera nga ankthi e padurimi apo nga klithmat e pavetëdijshme rrekeshin të provonin se kjo etje e ka kapur për këmbësh kombin dhe globin. Etja i ngjan makthit ekzistencial të njerëzimit i ndërvarur nga lëvizjet e galaktikave në Univers apo mini galaktikat e qënies vetiake. Jepeshin edhe plot teza e teori të tjera që pasoheshin me bërthama tregimtare nga përvojat vetiake apo te marra nga thashethemnaja.

Në fakt dëgjuesi nuk e lodhte shumë veten të dëgjonte stërhollimet e stërzgjatura, se e çudisnin dhe s'e linin rehat dy mendimet që i shfaqeshin në trajtën e dy pyetjeve e dy nënpyetjeve retorike të bëra vetvetes.


Pyetja e parë, nënpyetja e parë:

Këta hamshorë e hamshore me moshë mbi të mesmen pse na u hiqkan në fjalë e sjellje sikur janë adoleshrntë apo riosh të papërmbajtur për seks e aventura?

Pse mundohen ta quajnë e trumbetojnë si krizë gjithëpërfshirëse dhe nuk e pranojnë hapur si krizë të moshës së vet që i ngjan të mbyturit i cili mundohet të shpëtojë duke u kapur tek fija e kashtës?


Pyetja e dytë, nënpyetja e dytë

Si mendoni ju, etja për seks qënka problemi që shqetëson mijëra të pabukët, të papunët, të pashpresët?

Ky është misioni i një media kombëtare të hedhë e të presë batuta për oreks e për seks apo të përcjellë tek skamnorët pakëz dritë e shpresë?...

Pas mërmërimës së pyetjeve e nënpyetjeve, tha me zë të lartë:

- Eh, fshati digjet, media krihet!

Comments


bottom of page