Këshilltar Ligjor për Çështjet e Energjisë
Nexus midis performancës së sektorit të energjisë dhe rritjes ekonomike e konsolidimit fiskal
Qëndrueshmëria e sektorit energjetik në Shqipëri ka ndikim të madh tek rritja ekonomike tashmë në rreth mbi 1 pikë përqindje. Po ashtu sektori vijon të ekspozojë financat publike ndaj rreziqeve të konsiderueshme financiare. Huadhënia nga buxheti për sektorin energjetik arriti në 0,4% të PBB-së në vitin 2016 dhe 0,6% e PBB-së në vitin 2017. Ndërsa viti 2018 ishte historikisht i jashtëzakonshëm për sa i përket prurjeve dhe prodhimit të energjisë elektrike, në vitin 2019 jemi kthyer tashmë përsëri në problematikat e trashëguara.
Çfarë po i shkakton këto rreziqe financiare?
Thuajse i gjithë prodhimi vendas i energjisë vjen nga hidrocentralet. Si rrjedhojë, prodhimi i energjisë elektrike është tejet i ndërvarur nga ndryshimet në regjimin e reshjeve përgjatë stinëve e viteve. Kështu, kur prodhimi nuk arrin të përmbushë konsumin, sektorit energjetik shqiptar i duhet ta blejë energjinë elektrike nga jashtë. Reshje të pakta të shiut, që duke qene se rajoni varet në përmbi 45% tek resurset hidrike, përcaktojnë çmime të larta të energjisë njëkohësisht ne tërë rajonin, ndërkohë që përdoruesve të rregullt fundorë u duhet t’u shitet me tarifën e rregulluar fikse nën kosto.
Cilat janë zgjidhjet për të zbutur këto rreziqe financiare?
Në varësi të sa më sipër, deri me këtu qeveria është detyruar të ndërhyjë me masa emergjente, dhe se sa këtu duhet dhe mundet të ndryshohet. Në fakt, autoritetet publike në sektorin energjetik kanë një katalog të gjerë instrumentesh për zbutjen e riskut. Kështu, shikohen me përparësi ndërhyrjet në disa drejtime kryesore, mbështetur në përvojën ndërkombëtare për menaxhimin e rrezikut fiskal të energjisë hidrike të Bankës Botërore.
Së pari, vendit i duhet të rrisë sigurinë e prodhimit të energjisë, duke plotësuar një bazë energjie të diversifikuar duke forcuar edhe menaxhimin e rezervave hidrike. Sa këtu mund të vij nga burime e energjisë diellore dhe e erës, që për kushtet e vendit tone janë plotësuese e tepër rentabël. Një qasje që mund të zhvillohet më tej nga investimi në diga dhe rezervuarë, për të pasur kontrollin optimal të mundësive për depozitimin strategjik të ujërave gjatë periudhave me reshje të shumta apo të pakta.
Si rrjedhim, duke pasur prodhim të brendshëm të mjaftueshëm për të mbuluar konsumin, qoftë në vite thatësire apo me pak reshje, vendi mund të shmang nevojën për të importuar energji elektrike, duke e kufizuar ekspozimin ndaj çmimeve të paqëndrueshme ndërkombëtare të energjisë dhe madje te përfitoj për të eksportuar në momentet e pikut, duke i dhënë vlere aseteve të çmuara të trashëguara apo atyre aktualisht në ndërtim.
Me tej, sektori energjetik shqiptar duhet të zhvillojë instrumente financiare, për të lehtësuar nevojat për financim. Huadhënia nga buxheti në situatë emergjence për sektorin e energjisë gjatë viteve me reshje të pakta dhe çmime të larta të importit të energjisë, mund të rrezikojë financat publike. Transfertat nga buxheti, po kështu, cënojnë parimin e menaxhimit mbi baza tregtare nga kompanitë publike të energjisë elektrike.
Në vend të kësaj, vetë sektori energjetik duhet të zhvillojë instrumentet e veta financiare për të lehtësuar nevojat për financim, të cilat mund të jenë, midis të tjerash: llogari të veçanta, që mund të ruajë automatikisht një fraksion të fitimeve gjatë periudhave të tepricës; garanci financiare që të vendosin një prim të zakonshëm kundrejt pagesës së sigurimeve të kompanive të energjisë elektrike për periudhat me reshje të pakta dhe çmime të larta importi të energjisë elektrike; hua apo linja kredie të shpejta kur sektori energjetik përballet me hendeqe financimi.
Së fundmi, por edhe më i rëndësishmi, vetëm liberalizimi i tarifave të energjisë elektrike, mund të ndihmojë për uljen e rrezikut në sektorin energjetik. Ndërkohë që sa më shumë klientë përballen me tarifat e përcaktuara nga tregu, në periudhat me prodhim të ulët të energjisë hidrike, çmimet rriten, duke stimuluar konsumatorët që t’i përshtatin mënyrat e konsumit me prodhimin në dispozicion. Në mbështetje të kësaj, tarifat e rregulluara parashikohen të nevojshme për t’u rritur vetëm me një shtesë të përkohshme gjatë periudhave me reshje të pakta, sipas sa llogarit Banka Botërore në një analizë të fundit. Ku korrigjimet e vogla në vazhdimësi të tarifave rezultojnë më se të mjaftueshme për ta mbrojtur sektorin nga kostot e konsiderueshme fiskale, duke mos krijuar borxhe të akumuluar dhe rritur më tej kostot e sistemit.
Përmbledhje mbi menaxhimin e shpenzimeve të energjisë elektrike
Zgjidhja e problemeve financiare të furnizimit të brendshëm kalon pra përmes diversifikimit të bazës energjetike, e cila kërkon kohë dhe mobilizimin e investimeve të reja të konsiderueshme. Po kështu, kosto paraprake për instrumente financiare dhe huatë ose linjat e shpejta të kredisë janë të shtrenjta. Kështu, për hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zbutjes së rrezikut hidrik nevojitet një zbatim i kombinuar i këtyre masave, duhet lëvizur kur kushtet janë të favorshme. Shumë vende të rajonit po përfitojnë tashmë nga përdorimi i instrumenteve të menaxhimit të rrezikut të energjisë hidrike. Kështu, edhe Shqipëria duhet të vijoj me përmbushjen me përpikëri të planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë i detyrueshme për t’u zbatuar nga viti 2018.
Për më shumë gjendet në intervistën e Lorenc Gordani “Menaxhimi i Shpenzimeve të Energjisë Elektrike” nga Erblina Mile, Ora News Tv, 14 Tetor 201
Hozzászólások