top of page
Search

Osman Taka në skenën e teatrit Art Turbina - Tiranë

Osman Taka në skenën e teatrit Art Turbina - Tiranë (duke ndjekur dramën e shkrimtarit ARBEN ILJAZI)


Nga Pajtim Çaushi

 

Në email - in tim

Në një çast ndieva sinjalin që trokiti në emailin tim. Një vepër dramatike e krijuar së fundmi kishte bujtur në laptop. U befasova pasi në ata qindra postime "vargjesh" në faqet e fb, nuk kisha hasur asnjëherë pjesë dramatike. Por ja, papritur ajo paskish ardhur para vështrimit tim.

Lexoj titullin: OSMAN TAKA quhej pjesa.

Vërej për autorin e veprës. Po, ishte një dramë e shkrimtarit të njohur Arben Iljazi, ish maturanti i gjimnazit emërndritur të Konispolit, ish nxënësi im i talentuar.

Kujtesa më solli përpara pamjet e Benit gjinmazist. Vinte shpesh tek unë në bibliotekë të shkollës me një fletore në dorë.

Arben Iljazi

Fletorja mbante brenda poezi të reja të shkruara prej tij. I qetë, me zë të shtruar, i dashur, i talentuar... Të ngrohta, të çiltra, të figurshme qenë lirikat e Arben Iljazit. Nga koha në kohë ato shenjonin një talent të ri që po rritej...

 

Një ftesë e lakmuar

Pas disa muajsh në celular më erdhi një mesazh.

"Profesor, Osman Taka shfaqet në teatrin Art - Turbina ora 19 në datat 10 - 11 - 12 shkurt. Zgjidh një ditë për ta shikuar".

Ishte njoftim dhe ftesë nga Beni, autori i dramës. U emocionova. E falnderova. Zgjodha datën 11 shkurt.

E quajta ftesë të lakmuar pasi jetojmë një kohë zbaticash teatrore. Edhe ato pak pjesë që ngjiten në skenat e vakura janë të autorëve të huaj, me ngjarje e personazhe të huaj.

Kishte momente që disa pyetje shqetësuese më vinin në mendje.

Po veprat tona skenike pse janë arratisur nga godinat teatrore...?

A s'kemi edhe ne drama e komedi të traditës e të sotme...?

Mos regjisorët hezitojnë për veprat shqipe në emër të snobizmit e kozmopolitizmit...?

Nëse është kështu, Arben Iljazi paska thyer akullin e mosbesimit se ka kapërcyer ylberin...!

 

Përjetim emocionesh

Atë mbrëmje teatrore mora me vete edhe mbesën, bukuroshen Era Qose që aq shumë i do librat dhe shfaqjet artistike. Me atë qetësinë dhe buzëqeshjen fisnike Beni na priti tek holli i teatrit duke na treguar ndenjëset tona. Me mua edhe shoku i hershëm i gjinmazit të Konispolit, ish mesuesi Fatmir Muço dhe Erioni, babi i Erës.

Kur në sallë u fikën dritat dhe buçiti melodia e valles së famshme konispolite të Osman Takës ndieva mornica emocionesh në trup. Kjo për disa shkaqe e ndjesi.

Së pari, kur u përmend disa herë emri i qytetit tim u përmallova për Konispolin e magjishëm, atë xhevahir që Zoti dhe njeriu kanë qëndisur në atë mjedis parajsor.

Së dyti, autori Arben Iljazi, krijues i talentuar i veprës OSMAN TAKA që kishte mbushur plot sallën e teatrit ishte bir i asaj treve dhe nxënës i atij gjinmazi djep talentesh. Kuptohet, me modesti edhe ish nxënësi im i dikurshëm në lëndën e Letërsisë...

Së treti, me vallen e këtij luftëtari konispolit është përfaqësuar dhe vlerësuar me disa çmime e medalje grupi i valltarëve të Konispolit në festivale kombëtare e ndërkombëtare. Dhe korife i valles së famshme ishte i papërsëritshmi, këmbëlehti i pakrahasueshëm me askënd, i paharruari Taip Madani, Nder i Kombit. Kështu që krahas emrit të Osman Takës qëndron natyrshëm emri i valltrarit virtuoz që e bëri këtë valle margaritar të folklorit popullor shqiptar.

Së katërti, atje brenda sallës së teatrit përjetova rishtas poezitë e bukura të poetëve Hekuran Halili dhe Eduart Veliu për figurën e Osman Takës të ngritur në piedestal artistik nga Taip Madani i famshëm.

Së pesti, është ndjesia pozitive që ndieva kur Beni më tha se për ta vënë në skenë dramën ndihmoi i nderuari Alket Veliu, Presidenti i Fondacionit ÇAMËRIA. Sot është vështirë të gjesh individë që t'i shtrinë dorën e ndihmës artit dhe artistëve, ndaj përjetoveva respekt dhe adhurim për një njeri të tillë si Alketi, intelektuali i kulturuar e i pasionuar, përkrahësi dhe financuesi i disa eventeve artistike që lidhen me trevën jogore të vendit, Çamërinë e bukur e të grabitur.

 

Një shaqje dinjitoze

Fjala e bukur artistike e autorit Arben Iljazi u jetësua në skenë nga regjisori Naum Shundi dhe grupi i aktorëve që ai pati zgjedhur.

E shkruar nga autori me skena jo të gjata, të thukura, dinamike, me dialogje të shkurtër, gjuhë individualizuse dhe e realizuar nga regjisori si e tillë, shfaqja erdhi tek shikuesit e gjallë, e këndshme, plot tension dramatik, me konflikt atdhetar e intrigë intime. Dallohej qartë unisoni artistik mes tekstit letrar të autorit me regjizurën bashkëkohëse të arkitektit të shfaqjes skenike.

Loja e aktorëve ishte e lirshme dhe komunikimi me shikuesit qe i ngrohtë e mirëkuptues. Kjo bëri që interpretimi i tyre të duartrkitej shpesh nga salla e mbushur plot me artdashës.

Nuk e teproj të them se kjo shfaqje teatrore ishte e suksesshme edhe për faktin e vakumit teatror të krijuar në kryeqendër të vendit nga rudhja e repertorit të teatrove me pjesë kombëtare përgjatë viteve të fundit.

Ndaj në mbyllje të këtyre shënimeve përmend edhe një herë me respekt e mirënjohje: autorin e talentuar Arben Iljazi

intelektualin President të Fondacionit Çamëria Alket Veliu

regjisorin Naum Shundi dhe gjithë trupën teatrore që bëri jetësimin e veprës dramatike OSMAN TAKA...

Commentaires


bottom of page