top of page
Search

Pandemia dhe kurbani / nga Agron Mema

Gëzim Xhaferri mban mbi supe mbi 80 vite jete. Dhe sëbashku me to edhe një përvojë të madhe dhe titullin “Misionar i Paqes”.

Është e shtunë dhe pensionistat kanë liridaljen e tyre të paradites. Gëzimin e gjejmë ulur në një stol kundruall detit. Mendimet fluturojnë midis dy shteteve, midis dy botëve, midis dy realiteteve. Në sytë e tij ka trishtim.

Meditimet degëdisen në kushedi sa e sa kujtime që bart nga jeta. Na thotë se është një njeri i moshuar dhe shumë i vuajtur, sisomos nga sistemi socialist që shpronësoi dhe shpërfytyroi njeriun.

Por paskish pasur edhe më keq. Ndaj Gëzimi pyet veten se si arriti deri këtu kjo gjendje e Shqipërisë dhe e shqiptarve. Vret mendjen dhe nuk arrin të gjejë dot përgjigjen dhe mendimi i vërtitet në labirinthin e retorikës. Por pasojë e sitemit të kaluar janë, gjen ngushëllimin e tij. Me gjithë këtë pasuri pse të vuaj kaq shumë vendi ynë, pse të mos lulëzojë kjo tokë, pse të mos gëzojnë e lumturohen shqiptarët në vendin e tyre? . Ndryshimi i sistemit dhe hapja e kufijve e gjen nga të parët që merr rrugën e emigrantit në Greqi.

Pa dhe mësoi shumë, megjithse e dinte ç’qe kapitalizmi. Besoi se do ndryshohej dhe përmirësohej jeta shqiptare. Po ishim pa këtë risk.

Jo vetëm që humbi ç’kishim punuar 50 vjet, u shkatërrua e u grabit e gjithë pasuria, po humbëm dhe fëmijët rrugëve të botës. A thua se shqiptarët janë ufo e ranë nga qielli, nuk ua njohu njeri as pronën e trashëguar brez pas brezi e të blerë me flori. E morën për vete pushtetarët e rinj, lastar të së vjetrës. Dhe brezi i ri, fëmijët tanë hallakaten rrugëve të botës, shumica me emra e kombësi të ndërruar. Kjo është një dëm kombëtar.

Tani , pas 30 viteve na doli virusi dhe na mbylli brenda. Mendoj,vijon bisedën Gëzimi,-se ka ardhur koha të zbardhet e vërteta. Aq shumë i ra në qafë tokës njeriu sa ajo nuk duroi po tundi dynjanë, vithisi kodra e përmbysi shtëpi. Goditje e madhe me dëme të mëdha. Ky virusi, nga sa kam dëgjuar, kujtohet dhe e viziton njerëzimin njëherë në ç’do 100 vjet. Kam dëgjuar nga të parët se aty nga viti 1918 ra një epidemi e tillë murtaje. Njerëzimi po humbiste jetë të shumta. Baba Azis Kalasa për të ndalur këtë fatkeqësi njerëzore, bëri kurban djalin e tij, i preu kokën dhe e murosi në teqenë e tij. Aty dhe sot ka varrin. Thonë se murtaja u zbut pas kësaj deri në largimin e plotë. Njerëzimi shpëtoi.

Po sot ç’bëjën këta pushtetarë? Asgjë. Nuk u kërkon njeri kurbane dhe murosje, po të gjejnë zgjidhjen si dhe vendet e tjera. Ç’farë i dhanë popullit për t’a përballuar situatën? Vetëm çmimet e larta në treg të dhejtëfishuara dhe papunësinë që ka pllakosur çdo familje. Gëzimi thotë se djemuria e Kalasës ka grunbulluar një sasi parash për restaurimin e aksit rrugor Fushë-Vëri –Kalasë dhe puna do të nisë së shpejti. Këto na thotë Gëzimi, aty përkundruall detit , detit që ujrat e tij ndajnë dy botë...

Agron MEMA

E shtunë; 25 prill 2020---Sarandë

Comentários


bottom of page