top of page
Search

“Panteoni i rralluar” i letërsisë shqiptare për fëmijë

Nga Albana Suli

… e para lindi fjala. U shtua, u shumua, solli te ne mite e legjenda, tragjedi e komedi, trille e të vërteta. U ruajtën dhe u përcollën që nga lashtësia ( dhe pse më ka futur shpesh në mendim ne, shqiptarët, ilirët, kufitarë të përjetshëm me grekët, përballë Romës së lashtë që prej lindjes së saj pse shkrimi u zbulua kaq vonë, por temë tjetër kjo) në mënyrat dhe format që tashmë i dimë, por sot dua të rrekem pak më specifikisht me letërsinë shqiptare për fëmijë në tekstet shkollore.

Kam diskutuar shpeshherë me kolegë, lexues të dashuruar pas letërsisë, deri dhe  specialist të kurrikulës së gjuhës shqipe, se shkrimtarët e letërsisë për fëmijë, jo vetëm duhen lexuar, por promovuar dhe vlerësuar se përveç që sjellin një vepër letrare, hyjnë në psikologjinë e grupmoshës për të cilën shkruajnë, pra shkalla e vështirësisë është më e madhe.

Sa vend zë në letërsia për fëmijë e shkrimtarëve shqiptar në arsimin bazë?

Duke qënë se më është dhënë mundësia të shikoj dhe punoj me programet e planet mësimore të lëndës së gjuhës shqipe në arsimin e mesëm të ulët kam parë ( punuar e studiuar) sa pak orë leximi janë letërsisë shqipe, të shkrimtarëve bashkëkohor shqiptar, nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Vepra të sugjeruara për biseda letrare, tema të veçanta të shkrimtarëve të huaj, korifenj të letërsisë botërore: Kafka, Buxati, U. Eko, H. Hese etj, etj (përmenda këta pasi kam parë që nxënësit kanë vështirësi të zbërthejnë tekstin) më shqetëson fakti sa të përshtatshëm janë, sa kuptohen, sa tërhiqen nxënësit (11-15 vjeçar), a ua përcjellim si duhet veprën apo pjesën e përzgjedhur?

Sipas Rexhep Qoses te ‘’Panteoni i rralluar”, “… kur shkrimtarët e një letërsie kombëtare nisin të shkruajnë për të dhe çështjet e saj kjo është siguri që ajo letërsi po hyn në në fazën e pjekurisë dhe është niveli intelektual i tyre”,  mendoj se ne nuk po e ndihmojmë letërsinë shqiptare e sidomos atë për fëmijë të rritet, as nxitjen e talenteve të reja të shkruajnë.

Pse këmbëngul te shkrimtarët shqiptar? …sigurisht jo vetëm atdhetarizëm, por temat, çështjet, personazhet, fjalori i përdorur, toponimitë, botëkuptimi dhe psikologjia, kjo letërsi të lëvrohet, rritet, pasi letërsia për fëmijë lidhet me moshën shkollore, edukuese, por nuk mbetet aty sepse një libër tërheqës na shoqëron shumë gjatë, ka raste dhe gjatë gjithë jetës, ashtu si ne të rriturit mbajmë në shpirt fëmijërinë, Piter Panin.

Letësisë shqiptare për fëmijë i mungon kritika, por dhe ne, mësimdhënësve na mungon dëshira të ulemi të lexojmë, diskutojmë, bashkëpunojmë e të përzgjedhim pjesët, vepra letrare të shkrimtarëve tanë. Të ftojmë shkrimtarë në shkollë për të promovuar veprat e tyre, ose dhe takime online si risi me të cilën duhet të përshtatemi sa më shpejt. Mënyra ka plot, dëshira, vullneti dhe këmbëngulja janë thembra e Akilit që po na varfëron kujtesën tonë, të brezave që po rriten, me pak fjalë kujtesë kombëtare.

Zot na jep vullnet të vlerësojmë fjalën e përcjellë bukur nga shqipfolësit, shqipshkruesit e shqipdashësit, sa nuk është vonë!  

                                                                                               ALBANA SULI

Comments


bottom of page