top of page
Search

” PELLAZGU I KRESHMOIT" (MITE – LEGJENDA – PËRRALLA NGA THESPROTIA ) / Hekuran Halili

PASTHËNIE Parathëniet e librave, përherë më janë dukur si një tentativë ndikimi dhe diktim mendimi, tek lexuesit, për atë që i ofron për ta lexuar. Si të tilla ,nuk i kam pas dhe nuk i kam shumë për zemër. Pasthëniet po, më pëlqejnë, sepse në to edhe vet autori është si çdo lexues, dhe ka të drejtë të thotë dy fjalë për librin që ka lexuar, nëse dëshiron.

Në këtë vijimësi mendimi, përshfaqem i sinqertë si krijues dhe lexues i mbi dhjetë herë i librit , dhe dua të them disa fjalë për të.

E para gjë që më vjen ndërmënd prej shpirtit, është : - Ky libër më realizoi ëndrrën e kah’herëshme të fëmijërisë, të bëhesha shkrimtar. Kjo ëndërr më lindi kur në klasë të pestë lexova librin e Mitrush Kutelit, ( Dhimitër Paskos), “ Tregime të moçme shqiptare”.

Mitrush Kuteli, (Dhimitër Pasko), është bashkë krahinori im në origjinë, mbasi për ata që se dinë,rrënjët e të madhit Pasko janë nga Parga e Çamërisë, nga ku është edhe Elena Gjika, ( Dora D’Istria), Kolë Idromeno, etj. Kaq shumë më pëlqeu ai libër, sa që nuk doja asnjë profesion tjetër, veç atij të shkrimtarit. Jeta e solli të bëhesha inxhinjer ndërtimi, por ëndrrën, pasionin, embrionin krijues të trashëguar nga ime më, Nazuja, nuk e shoi asgjë. Dhe ku është fara, embrioni, ai një ditë do të shpërthej!

Ky nuk është libri im i par, libra që janë pritur e komentuar shumë me fjalët më të mira, por me këtë libër ndjeva thellë dhe fuqishëm nga e gjithë qënia ime ,se kam realizuar jo vetëm ëndrrën time, por thellë thellë kam bërë një gjë shumë të bukur, shumë të vështirë, shumë të dobishme. Ky libër më bëri të them pa ndrojë : -Unë jam shkrimtar.

Dhe kur krijuesi është i bindur vet, se ja ka arritë asaj që ka dëshiruar një jete të tërë, nuk ka më dyshime për vlerat e veta krijuese, mbasi dyshimi është barra e pa shkarkuar e çdo krijimi dhe krijuesi, në të gjitha kombet dhe kohërat.

E dyta gjë që dua të ndaj sinqerisht me lexuesit ,është fakti se në kapitullin e par të librit, kapitull që ka përmbledhë mite dhe legjenda, në masën dërrmuese janë krijime të mirëfillta të miat.

Për indicie kam pas ndonjë ndodhi të dëgjuar nga njerëzit e mi, por më shumë emërtimet përrallore, pellazgjike ,që mbajnë këto vende , si : Shpella e Kreshmoit,Përroi i Pirros, Qafa e Likojanit, Mali i Orlës, Mali i Shën Diellit, Buthroti, Fusha e Kestrinës, Çuka e Ajtojt, Qafa e Soronesë, Mali i Milesë, Mali i Saraqinit, Kodra e Buarit, Vuvoi i Mursisë, Qyteti i Kaonispolit-Kondispolit-Konispoli i sotëm, Përroi i Çiçirikut, Përroi i Manetës, Fusha e Lopësit, Lëmi Hasan-Nikës,etj, etj, emërtime, që më kanë ndezur fantazinë për të krijuar dhe pasuruar krijimtarinë brilante të traditës së krahinës time pellazgjiko- epirote- shqiptare.

Dhe së fundi, në kapitullin e dytë ,ku përfshihen përrallat, në masën nëntëdhjetë përqind, më janë treguar nga nëna ime, Nazuja, që ishte një tregimtare e rrallë. Asaj ,këto përralla ja ka treguar nëna e saj, Ballkua, Ballkos nëna e vet, Pepetja, Pepetes, Ildjeja dhe kështu brez pas brezi , deri tek Marua, stër stërgjyshja e tyre ortodokse. Fetë kanë ardhë e janë përcjell[, kombi ai ka mbet. Këto përralla kanë mosh mbi pesëqind vjeçare.


Falënderoj atë që më mëkoi me qumësht gjiri e “qumësht” krijues shpirti, Nunë time,Nazunë, të gjithë ata që më mësuan, më treguan, më mbështetën, më frymëzuan ,që unë ja arrita ta krijoj, ta shkruaj, ta botoj këtë libër, që ndonëse nuk është aq i plotë dhe aq i përsosur sa unë do doja, përsëri është libri i jetës time , i bindur thellësisht për vlerat e tij për mua dhe për shumë të tjerët, dhe pa asnjë mëdyshje, në folklorin tonë kombëtar, ku ai i krahinës time, Çamërisë, qëndron si margaritar në kurorën e Artë të Kulturës Shpirtërore të Kombit Shqiptar. 1.Nuja- Dialektore çame- Nëna Hekuran Halili Konispol shkurt 2020

Comments


bottom of page