Plot njëzet e shtatë milë[1] vjet më parë, kur mbi tokë nuk kishte shtëpira, kalara, fshatra, qytete e shtete, por fise të veçuara njerëzish, jetonte në Kaon[2], Pellazgu me familjen e tij.
Për banesë kishin shpellën e madhe të Kreshmoit.
Shpella e Kreshmoit ishte në mez të malit të Saraqinit,mbi fushën e Kaonit, ballë për ballë me detin Jon. Hyrja e saj nuk dallohej fare.
Veçëse se ishte e mbuluar me shkurre e gjelbërim, ajo ishte e vogël, aq e vogël për një shpellë gjigande si ajo, sa mezi nxënte trupin e një burri të bëshëm tre metër i lartë, me mesin sa binaja[3] e një lisi dyqindvjeçar, siç ishte vet Pellazgu, siç ishte vet gruaja e tij, Pellazgia, dhe të gjashtëmbëdhjetë fëmilët [4]e tyre, tetë djelm[5] e tetë vashëza.
Brënda shpella ish pa fund, aq sa në të streoheshin edhe tri milë[6] kokë dele dhe desh, të bëshëm hata, sa dyfishi i deleve dhe deshëve të tanishëm, pronë e familjes së Pellazgut.
Secili nga djeltë e vashat kishte nga një xhep shpelle më vete , me hapësirë jo më të vogël se tridhjetë metra katror, pastaj ishte xhepi i Pellazgut dhe Pellazges, ku edhe mblidheshin ,që i kalonte dyqindë metra katror, dhe prap shpella dukej si të ish bosh.
Lartësia e saj nga katër – pesë metra në hyrje, rritej, dhe vende- vende shkonte edhe tridhjetë metra e më.
Sapo dilje nga barku i shpellës, tek hyrja ,të çfaqej para syve një pamje magjike.
E ndodhur rreth katër qindë metra mbi nivelin e detit , tre kilometra larg tij, shikimi shtrihej deri në pafundësi nga perëndimi ,sa prekte ishullin e Korfuzit , përplasej me malin e Nartës në jug, prapa të cilit kish trojet e veta Lopsioti.
Nga lindja shikimi takonte madhështorin mal të Diellit , pas të cilit jetonte Kocioti, nga ana veriore shikimi përpinte fushën e Kestrinës[7], e tretej deri tek kodra afër liqenit Pelod[8], ku kish strehën e vet Buthroti, ndërsa pas Saraqinit jetonte Shalësioti.
Tek këmbët e malit të Saraqinit ku ishte shpella e Kreshmoit, shtrihej një fushë e madhe, plot me kullota, me pemë të shumta, me lloj lloj kafshësh të egra , veçanërisht kuaj .
Të gjithë gjitonët e Pellazgut, ishin nga i njëjti fis , fisi i Prasajbëve të Kaonisë.
Pellazgu me Pellazgen jetonin në këtë vend të bekuar që u kishte falur Zoti, ku kishin jetuar edhe të parët e tyre, të qetë, të gëzuar, duke punuar me të gjithë familjen, gjithë ditën.
Sapo binte erësira dhe kishin futur brënda të gjithë bagëtinë dhe ishin mbledhur të gjashtëmbëdhjetë fëmilët, Pellazgu mbyllte hyrjen e shpellës me një shkëmb që e zinte pothuaj të gjithë hyrjen.
Mbetej ndonjë vrimë a plasë nga ku mund të hynin brënda rrezet e diellit , dhe u tregonin se kishte lindë dita.
Pallazgu me familjen e vet e dinte mirë kufirin ku shtriheshin trojet e tyre, dhe nuk i kishin shkelur asnjëherë në pronë me bagëtitë e veta, gjitonëve të tyre , as Lopsiotit, as Kociotit, as Buthrotit,as Shalësiotit.
Edhe ata nga ana e vet, asnjëherë nuk i kishin kaluar trojet e tyre.
Koha rrjedh pa pyet. Fëmijët po u rriteshin.
I madhi djal ,kish hyrë në të njëqindat, moshë kur fillonte edhe adoleshnca e këtyre njerëzve, që jetonin më shumë se njëmilë vjet.
-Duhet të bëjmë një bëte[1] grua , - tek fqinjët, -i tha ai një darkë Pellazges, -se po na rriten fëmilët e duan shokun a shoqen e ture[2] në krah.
Ajo nuk foli , por duke tundur kokën nga lart poshtë, e mbështeti mendimin e tij
Edhe vet e kishte vënë re këtë , edhe vet e kish menduar këtë që po i thoshte Pellazgu.
Me të parët fqinj që u takuan matanë Qafës së Botës[3], sapo bënë një bëte nga jugu, ishte familja e Lopsiotit.
Lopsioti ishte në trup e në tipare si Pellazgu, fliste të njëjtën gluhë[4] si ai, mbasi ishin nga e njëjta rrënjë.
I vetmi ndryshim i tyre ishte se Lopsioti nuk merrej me mbarështrimin e deleve, por me atë të lopëve.
Fusha e Lopsit, që ai kishte truall të tij, zinte fill nga këmbët e malitë Thatë, në kreshtën e të cilit ndahesh me Kociotin në lindje, deri në det, në perëndim. Lumi Thyamis e kufizonte në jug në gjithë gjatësinë e tij dhe shpesh dilte nga shtrati dhe i përmbyste këto fusha që ishin det me bar sa një bojë njeriu , ku ushqeheshin ergjele[5], milëra lopë, ndërsa në veri i ndante mali i Nartës.
Grava[6]ku Lopsioti me familjen e tij kishte banimin ,ishte pak mbi këmbët e malit të Thatë ,dhe ishte aq e madhe, sa që të duhesh gjysëm dite ta shkelje të gjithën.
Nga vet Zoti ajo kishte trembëdhjetë zgafella të mëdha, secila me hyrje më vete nga ana e detit, që lidheshin në fund të gjitha me një koridor tunel, nga brënda.
Në dymbëdhjetë prej tyre jetonin gjashtë djemtë dhe gjashtë vajzat e Lopsiotit dhe Lopsiotes, tek më e madhja jetonte Ai me Lopsioten.
Lopët e Lopsiotit ishin të hatashme, të frikëshme nga boja[7],të larta mbi dy metra, me brirë të gjatë e të harkuara si kurorë ,që përfundonin me majë të mprehtë, aq sa nuk kish egërsirë që mund t’u afrohej dhe t’u rrezikonte jetën e tyre ,apo të viçave që i ndiqnin nga pas.
Me ngjyrë të hirtë të në të bardhë, kokën gati në të errët,tufat e lopëve kullotnin dhe i jepnin asaj fushe të bekuar një madhështi të pa shoqe.
Lumi Thyamis[1]që nuk thahej as në vapën e korrikut dhe të gushtit, e bënte këtë fushë edhe më të bekuar për kullot lopësh, që çdo dy vjet dyfishoheshin në numër.
Vetëm Lopsioti me Lopsioten dhe familjen e tij që kujdesej për to, mund t’u afrohej atyre lopëve gati të egra plotësisht.
Pellazgu me Pellazgen u pritën me plotë nderime nga Lopsioti me Lopsioten dhe fëmijët e tyre.
U therën dema tre vjeçar, u bënë shumë rite pagane lutjesh e urimesh, duke ju drejtuar diellit dhe kokës së demeva të therur.
Ishte hera e parë që takoheshin, por çuditërisht u miqësuan shpejt.
Gjaku e njeh gjakun e tij. Ndenjën një javë në shtëpinë e trojet e tyre, biseduan dhe treguan për veten e familjen dhe në krye të javës u nisën për në shpellën e Kreshmoit, pa harruar t’i ftonin Lopsiotin me Lopsioten , bashkë me fëmijët po të donin, t’u kthenin vizitën.
Me këmbë natyrisht. Edhe kthimi, si vatëla[2].
U lodhën shumë. Apo nuk ishte edhe vapë korriku. Disa herë gjat rrugës u fjalosën për ato që kishin parë dhe njohur, dhe çdo gjë u kish pëlqyer.
Janë shumë larg, por po të kishim nga një kal e t’ja hipnim, nuk do të lodheshim kaq, i tha Pellazgu të shoqes. Fushën plot e kemi me kual të egjër. Sa të vemi do të kapim dhe mësojmë të na binden, e përfundoi ai bisedën.
Kur po thyente dita e dielli bëhej gati të binte matanë malit të Milesë, ata arritën tek shpella e tyre. Fëmilët bashkë e të pandarë ,siç i kishin porositur ata kur ikën, po futnin brënda dhëntë e deshtë.
I kshte marrë malli dhe ju hodhën në qafë njëri tjetrit. U çmallën brënda mbasi mbyllën hyrjen e shpellës.
Bëmë mirë që vamë tek Lopsioti, e mbylli atë mbrëmje bisedën Pellazgu me të shoqen. I pe sa na janë rritur, sidomos djali dhe vajza e madhe që dy vjet ndryshojnë nga njari[3] tjatri..?
Edhe fëmijët e Lopsiotit dhe Lopsiotes gati në moshë me tanët janë. Edhe të bukur, edhe të mirë.
Dhe fjetën top se ishin të lodhur nga udha.
Pas një viti Lopsioti me Lopsioten, të shoqëruar me djalin dhe vajzën e madhe, u kthyen vizitën.
Për ata njerëz që jetonin më shumë se njëmilë vjet, një vit ishte si një javë.
Dhjetë desh me bri të përdredhur tri herë u therën dhe u poqën. Zjarri në shpellën e Kreshmoit atë natë nuk u shua nga pjekia e deshëve.
Të gjashtëmbëdhjetë fëmilët e Pelazgut dhe Pellazges i pritën plot më gëzim vajzën dhe djalin e Lopsiotit dhe Lopsiotes. Biseduan dhe u miqësuan shumë shpejt me njari – tjatrin.
Një javë ndejti edhe Lopsioti me të tijët tek Pellazgu . Mbetën shumë të kënaqur nga pritja . Kur do ndaheshin i kërkuan Pellazgut të merrnin me vete katër fëmijë të tyre më të mëdhenj, dy djeltë dhe dy vashëzat. Ata pranuan. Fëmijët që tani nuk ishin fëmijë, por të rinj, mbi njëqind vjeç, sa nuk fluturhan.
Ishin të rritur. Dinin si të bënin dhe si të silleshin.
Brënda asaj dite Lopsioti me Lopsioten bashkë me fëmilët e ture dhe të Pellazgut u kthyen në Lopës. Fëmilët e mbetur në Lopës, mezi i prisnin gjithë mall ,dhe sa i panë për së largu, bënë qurt[4]të fluturonin e t’i takonin .
Me katër fëmijët e Pellazgut u miqësuan shumë shpejt, sikur kishin një jetë të tërë rritur bashkë.
Shëtitën e brrodhën nga mali i Thatë, deri në Skalomë, nga lumi Thyamis, deri në mal të Nartës. Mes dy djelmëve të Pellazgut dhe dy vajzave të mëdha të Lopsiotit, mes dy djelmëve
të mëdhenj të Lopsiotit dhe dy vashëzave të Pellazgut, miqësia e kaloi kufirin e vet.
Më shumë u flisnin sytë që u digjeshin zjarr , se sa gola[1].
Tridhjetë ditë që kishin leje për të qëndruar tek familja e Lopsiotit shkuan shumë shpejt, sikur të ishin tridhjetë orë. Erdhi çasti që do ndaheshin dhe të ktheheshin në shpellë të tyre. U përqafuan me të dymbëdhjetë fëmilët e Lopsiotit, me të jëmën e tyre, ndërsa vet Lposioti i shoqëroi deri tek Qafa e Botës ku mbaronin trojet e tij.
Aty u nda me ta duke i porositur të bënën kujdes udhës, tu përcillnin prindërve përshëndetjet dhe të falat e tij dhe gjithë familjes. Në fund shtoi se i priste së shpejti.
Ata të malluar për nënën e babanë, për motat e vëllezërit e tyre , udhën deri tek shpella e Kreshmoit e bënë me një frymë. Baraz me mesditë ishin para saj.
Vëllezërit dhe motrat i pritën me mall, nëna dhe babai edhe më të malluar dhe të kënaqur që fëmijët e tyre tani bënin edhe pa ta.
Fëmijët e ardhur nisën të tregonin si i kishin pritur, si kishin kaluar, ku kishin vajtë ku kishin lojtë e gjuar, për miqësinë që kishin lidhur mes tyre. Flisnin tërë pasion sa u shkëlqenin sytë, dhe u merrej fryma.
Kur binte fjala për dy djeltë dhe dy vajzat e rritura të Lopsiotit, atyre u picërronin [2]sytë dhe humbnin në ëndërrime.
Kur ata picërronin sytë, Pellazgu me Pellazgen shikonin njëri tjetrin në sy e ngazëlleheshin.
Nuk shkoi viti dhe dy djeltë e Pellazgut morën për nuse dy vashëzat e Lopsiotit, dy vashëzat morën për burra dy djeltë e Lopsiotit.
Kaluan pesë vjet të tjerë dhe Pellazgu me Pellazgen vendosën që bëten tjetër ta bënin të Buthroti.
Buthroti me Buthroten banonin në brigjet e liqenit të famshëm Pelod[3] . Ndaheshin nga fusha e Kestrinës, me kanalin e Buthrotit, që lidhte liqenin Pelod me detin Jon, nëpërmjet baticës dhe zbaticës. Gjashtë orë uji rendëte në det, gjashtë orë kthehej në liqen.
Nga perëndimi kufizohej me detin Jon , e matanë detit , ishulli i Korfuzit. Ndërsa në veri perëndim shtrihej kodrave të Ksamilit deri tek Qafa e Demës.
Buthroti me Buthroten kishin pesë djelm e pesë vajza. Nga mosha ishin pak më të rinj se Pellazgu me Pellazgen. Merreshin me blektori , më shumë me dhi , që në ato kodra të buta të mbuluara me pyje e shkurre , kishin kullotë të bollshme. Por këta merreshin edhe me peshkim. Liqeni Pelod dhe kanali i Buthrotit, që e kish marrë emrin nga i zoti i vet, nuk kishin të sosur me peshk. Kishin ndërtuar trape me trungje druri të bërë nga vidhi, një dru që nuk e kish për gjë ujin e kripur e jetonte sa të doje në ujë.
Me këtë trap morën edhe Pellazgun me Pellazgen , sa i panë përballë shkëmbit të Pullumbave, ku kishin shpellën e tyre të banimit.
.
Buthroti me Buthroten dhe të dhjetë fëmijët e tyre jetonin veçmas nga bagëtia , që e strehonin në një shpellë tjetër,aty afër , shpella e Kuqe.
5
I pritën si ata e jo më mirë. U therën cjep sa një bojë njeriu të lartë, me brirë një pashë , u pi qumësht nga dhi të porsa pjella, kulloshtër, që ushqehej dikur edhe vet Pani.
Por më shumë miqëve u pëlqeu peshku i pjekur në prush të bërë nga dru përralli. Peshq levrek, kocë, mbi dhjetë kile njëri, që kur piqeshin lëshonin një vohë[1]që ndihej dyqind metra larg.
Shëtitën me trap kanalit të Buthrotit , i gjëerë gjashtëdhjetë metra, i thellë dhjetë deri në njëzetë metra, i gjatë gati një kilometër, shëtitën liqenin e pa shoq të Pelodit, u futën në atë të Admirojt, panë kodrat e bukura të Ksamilit, i ranë pashë më pashë bregdetit të Jonit nga derdhja e kanalit të Buthrotit, deri në katër ishujt e rrallë të Ksamilit.
Një bukuri e pa shoqe mbi dhe ky vend. Plot me kafshë të egra, me shpend të rrallë, me peshq të pa numërt, me pemë, pyje, shkurre, që të habisnin deri në humbje fryme.
Në këtë vizitë tek Buthroti, Pellazgu me të shoqen kishin marrë edhe dy vajzat dhe dy djemtë më të rritur që nuk ishin martuar, sipas radhës.
Të dhjetë fëmijët e tyre u miqësuan shumë me ta. Ndejtën në këtë vizitë plot një javë, dhe u përcollën plot ndere dhe respekt nga familja e Buthrotit, që kishte dalë e gjitha tek trapi , kur i përcollën në bregun tjetër.
Me dorë në zemër Pellazgu i falnderoi dhe i ftoi tek shpella Kreshmoit dhe trojet e tij për vizitë.
Nuk kaluan as pesë vjet dhe ata ja kthyen vizitën. Ishte Buthroti me të shoqen dhe katër fëmijët dy djemtë e dy vajzat më të mëdha, që edhe ishin miqësuar shumë me katër fëmijët e Pellazgut kur kishin vajtë për vizitë.
Kaq shumë u pëlqeu vendi, bollëku, harmonia familjare, saqë martesa e katër fëmijëve, u bë menjëherë.
Pellazgu mori dy vajzat e Buthrotit tek dy djemtë e tij të pa martuar, dhe dha tek ai dy vajzat e tij.
Kaluan dhjetë vjet nga martesa e fundit, dhe Pellazgu me Pellazgen vërenin se edhe djemtë e vajzat e pa martuar, kishin filluar të mbanin veten dhe të shikonin me plot kërshëri dhe ëndje dashurinë që bënin katër vëllezërit e martuar me nuset e tyre.
-Erdhi çasti i bëtes tjetër, grua, -i tha një ditë. -Bëhu gati. Nesër do nisemi për nga mali i Diellit, do t’i zëmë derën Kociotit dhe Kociotes.
Kocioti me Kocioten banonin pas malit të Diellit, një mal shpatull gjërë i veshur me lisa më të mëdhenj ,më madhështor, më të vjetër se edhe lisat me nam të Dodonës.
Në malë të malit ishte një shesh i madh i rrethuar me gurë dhjetra tonsh, i shtruar me pllaka guri të bardhë në të verdhë, shesh i bërë nga vet Zoti, e jo nga dora e njeriut.
Në mes të këtij sheshi kish mbirë një lis me njëqind degë të mëdha, me lartësi aq sa kur kalonin retë mbi të, pengoheshin, me bina të trashë sa dyzetë burra si Pellazgu, tre metër të lartë, nuk e qafonin dot.
Shesh çudi, lis çudi, që kishte milëra vjet atje dhe kish përballur furtuna e stuhi të pa shoqe. Lisi i Diellit ishte, dhe Dielli kur vente drekë e i rrinte drejtë mbi kokë, zgjaste dorën dhe i fërkonte kurorën. Ky vend quhej sheshi i lisit.
E kish këtë mal me merak dielli, dhe i kish vënë edhe emrin e tij. Mali i Diellit. I bekuar si ai e tjetër jo më.
Nga shpella e Kreshmoit , deri në malë[1]të malit, udha ishte shumë e vështirë, udhë e bërë më shumë nga shpezët e egra, ndaj holqën[2] shumë deri sa arritën në të.
6
U ulën të merrnin pak frymë dhe të çlodheshin tek sheshi . Ishte koha kur dielli zë e përthyen. Vjeshta e parë po ikte. Dielli në këtë stinë fillon e bëhet i dashur. Jo më kot Pellazgu zglodhi[3]këtë kohë për udhë të glatë [4] .
Ndënjën pak nën hje[5] të lisit, hëngrën e pinë nga ato që kishin marrë me vetëhe[6] ,soditën sa u ngopën hapësirat e pafundme që dukeshin nga ai vend, dhe u ngritën për udhë.
Udha për tek Kocioti tani ishte e himtë[7], por prapë shumë e lodhëshme, se nuk ishte tamam udhë.
Kociotin me Kocioten i dëgjuan që nga larg,sa zdrigjën[8]faqen lindore të malit të Diellit, që u britnin me sa fuqi kishin fëmilëve ,që po mblidhnin bagëtinë.
Tufat me dhën, me dhi, me lopë shtatë vogla, po mblidheshin dalë e nga dalë në shpellat e ture. Pas çdo tufe, di fëmilë çoaban, një djalë e një vajzë. Tufa jo shumë të mëdha.
-Njerëz të sertë, më duken, -i tha Pelazgia të shoqit,-shumë bërtasin .
-Si vetë vendi, - ja ktheu ai, -shiko vendin rreth e përqark dhe fol.
U takuan pak më lart se përroi i Koskës,ku kishin shpellat e tyre. Një shpellë e madhe ishte për familjen, një për dhëntë, një për dhitë dhe një për lopët.
Tetë fëmilë kishte Kocioti dhe Kociotja, katër djelm e katër vashëza. Të tetë të mirë, të zotë, të bukur, trima, si ata e tjetër më jo.
I pritën me zemër në dorë, sa më mirë nuk bëhej. U gëzuan se kishin vite pa parë njeri me si[9].
Edhe kur bisedonin brënda në shpellë, Kocioti me Kocioten,prapë sikur bërtisnin. Ishte bërë zakon kjo e folur, haj në të mirë, haj në të keqe. Në moshë ishin nja dyqind vjetë më të rinj nga miqtë që u kishin vajtë për vizitë.
Pellazgu me Pellazgen vetëm di ditë ndejtën në trojet e tyre ,që vërtet male, kodra, gurë, harca, por kishin edhe përrenj dhe burime shumë të bukura e kullota për dhën e dhi, të pa shoqe.
Buzët e përrenjve dhe shpatet e kodrave ishin të mbuluara me pyje shumë të bukur.
Vende vende ujët binte nga lartësi hon, mbi njëzetë metra të larta, që nga bukuria të linin me golë hapur.
Kur do iknin ,ata ftuan Kocioin me Kocioten të merrnin katër fëmilët e ture më të mëdhenj , dhe tu kthenin vizitën tek shpella e Kreshmoit.
Ata nuk pritën shumë. Sa erdhi pranvera dhe vëndi u mbush bar e lule ngjyra shumë, morën di djeltë e mëdhinj dhe di vashëzat e mëdha ,dhe u nisën për tek miqtë që i kishin ftuar.
Rrugë e lodhëshme shumë, por baraz me pasdite e gjetën me të brritura shpellën e Kreshmoit.
E gjithë familja e madhe e Pellazgut, me fëmijët e tij, me nuset që kishte marrë tek katër djeltë, me nipër e mbesa që kishin filluar të shihnin këtë botë , i pritën gjithë gëzim dhe hare.
Atë natë folën shumë, hëngrën shumë, fëmilët luajtën shumë, deri sa erdhi agu dhe i gjeti pa vënë gjumë në si. E dinë.
7
Kur Pellazgu luajti vendit gurin gjigand ,që mbyllte hyrjen e shpellës, ata dolën jashtë dhe fërkonin sitë.
Ishin në ëndërr a ishin të vërteta ato bukuri të pa shoqe që nuk ua kishin zënë kurrë sitë.
Mbetën pa golë fare e nuk dinin se çish[1]të thonin.
Pellazgu me Pellazgen, të gjithë fëmilët e tjerë qeshnin me këtë befasim të ture, që shprehej qartazi ,që i kishte ndryshuar.
I propozuan në çast Kociotit dhe Kociotes që dy vashëzat e ture të merrnin për burrë di djeltë e ture që ishin pa martuar, dhe di vashëzat e ture, të merrnin për burra, di djeltë e Kociotes dhe Kociotit.
Ata, pa e zgjatur fare, u shtrënguan duart, uruan djeltë e vajzat që do martohshin, dhe Kocioti i kërkoi Pellazgut ,që edhe dy djeltë e tij që do mirrnin di vashëzat e Pellazgut,, të mos ktheheshin më në Koskë, por të banonin me ta në shpellë të Kreshmoit.
Nëse duan djeltë, me gjithë zemër , u gjegj ai.
Djeltë të mrekulluar nga gjithë ajo bukuri dhe gjithë ajo miqësi, pranuan.
Ditën e ditë u bë dasma më e madhe që ishte bërë deri atëherë në atë shpellë të bekuar.
Shpella e Kreshmoit ishte aq e madhe, sa që nuk kish të ngosur [2] me njerëz dhe bagëti. Të qarat e fëmilëve që kishin nisur të lindnin, trazoheshin shpesh edhe me blegërimat e deleve pëlla[3] që kërkonin qingjat.
Jeta, gëzimi, puna, po hidhnin rrënjë të forta në këtë shpellë, në këto troje.
Plot gëzime dhe krushqira edhe tek Lopsioti me Lopsioten, tek Buthroti me Buthroten, tek Kocioti me Kocioten.
Nuk kishte vit që të mos e vizitonin njëri tjetrin.
Të pa martuar u kishin mbetur di djeltë dhe di vashëzat e fundit.
Plot dhjetë vjet pas krushqisë së fundit me Kociotin, Pellazgu me Pellazgen, duke parë se edhe fëmijët e fundit po rriteshin dhe po bëheshin lastar , fildanë, më të mirë dhe më të bukur edhe nga të tjerët, e pleqëruan të bënin bëten e fundit.
-Këtë radhë grua- i tha ai një darkë të shoqes, -do të trokasim në derë të Shalësiotit.
-I kemi fqinjët më të afërt, në një mal i kemi shpellat, në Saraqin, ne nga jugu, ata nga veriu. I kemi vënë shpatullat njari tjetrit.
Që herët në mëngjes ngjitën të përpjetën e Saraqindit, dhe baraz me drekë zdrigjën mbi shpellë të Kurundit, ku kishin strehimin Shalësioti me Shalësioten.
Prej andej soditën vendin që u hap para syve të tyre me gjithë bukuritë që mund të ketë një vend i bukur vërtet dhe i bekuar nga Zoti.
I futur mes shalëve të dy maleve të mrekullueshëm, Mëllezit të mëllënjave dhe Saraqinit kurriz glatë, mes përmes e përshkonte një vijë uji, që s’mund t’i thoshe, as lumë, as përrua, i cili nuk pushonte së gurgulluari dhe kënduari në pjesën më të madhe të vitit.
Në të dya anët e kësaj rrëkeze uji, kishte burime të panumërta, ku shuanin etjen bagëtitë e shumta që pothuaj e kishin mbuluar krejt luginën.
Nga të gjitha anët pyje, kullota, pemë, kafshë e zogj që nuk kishin të numëruar.
Nga vendi ku rrinin e shikonin, vështrimi shkonte tej kodrave të Pandalejmonit dhe Livadheve, përshkonte fushën e Vurgut dhe përplasej deri tek malet e Sopotit, Tatzatit, Himarës.
-Njerëz të mirë e punëtor të mëdhenj duhet të jenë,- tha Pellazgu, kur pa gjith atë gjë të gjallë.
8
Gruaja tundi kokën në heshtje. Edhe ajo kish mbetur e mahnitur nga bukuritë dhe pasurinë e madhe që kish ki vend.
Pa e zgjatur zbritën tek Shalësioti dhe Shalësiotja. Edhe këta më të rinj në moshë, gati –gati në moshën e Kociotit dhe Kociotes.
I pritën aq mirë, sa edhe për këtë u pataksën. Njerëz të urtë , që flisnin me qetësi e me zë shumë të ulët.
Fëmijët të tetë, që nga më i madhi, der tek më i vogli, ulur sipas moshës. Vetëm shërbenin dhe dëgjonin bisedat e të rriturve.
U therën mishra pa hesap, u bënë shëtitje tej e tej trojeve të tyre. U futën në shpellat e bagëtive dhe u mahnitën nga numri dhe shëndeti i tyre.
Tri ditë qëndruan. Ditën e katërt i propozuan Shalësiotit dhe Shalësiotes të merrte di vajzat dhe di djemtë më të mëdhenj , dhe së bashku të shkonin në Kreshmua.
Ata nuk ua prishën dëshirën, ca nga mosha, por edhe se e kishin llafosur më parë se kishin ardhë edhe për të bërë lidhjen e fundit të dy vajzave e dy djemëve të tyre, me ata të Shalësiotit.
Që atë natë u bë dasma, dhe që atë natë edhe di djeltë e Shalësiotit që morën di vajzat e fundit të Pellazgut, nuk u kthyen më në Shalës, por jetuan në shpellën e Kreshmoit, bashkë me nuset dhe dhëndurët e tjerë.
Kështu, më në fund, Pellazgu dhe Pellazgia e Kreshmoit ,i martoi të tetë djeltë dhe të tetë vashëzat, me njerëzit që vet Zoti ja kishte bërë peshqesh rreth e rrotull që kur u zu jeta mbi tokë, me Lopsiotin, me Buthrotin,me Kociotin, me Shalësiotin, të gjithë me të njëjtën gluhë, me të njëjtën fizik, me të njëjtat sjellje, të gjithë pellazgë .
Vend i bekuar, njerëz të bekuar...!
Koha rridhte siç di të rrjedhë vetëm ajo, pa pyetur për njerëzit, për gjënë e gjallë, për shiun e erën, për bubullimat dhe vetëtimat, pa pyetur për fusha, male, dete, pa pyetur për atë që kish ndodhë, për atë që ndodhëte, për atë që do të ndodhëte.
Ajo është e pa ndjeshme ndaj gjithëçkaje, është e pa llogjiktë, e pa sy, e pa vesh, e pa zemër.
Është e pa udhë, e pa parashikueshme, koha është e pa kohë, as dihet kur nisi , as dihet kur do mbarojë.
Vetëm një gjë dihet. Koha është edhe çast, dhe si e tillë ,vetëm një çast e ke në dorë, kape, jetoje.
Kështu ndodhi edhe me Pellazgun e Pellazgen e Kreshmoit.
Jetuan mbi njëmilë vjet, u shtuan, u shumuan, mbushën shpellën që më si nxënte, dolën jashtë saj, zbutën kafshë të egra, u morën me bujqësi, mësuan , ndërtuan shtëpi, kala, dhe e kthyen atë zonë ,një nga më të bukurat , më të lulëzuarat, më të lakmuarat mbi Dhe....
[1] -milë-dialekt çam-mijë
[2] - Kaon- emri pellazgjik i Konispolit.( variant)
[3] - binaja- trungu
[4] - fëmilët-dialekt çam-fëmijët.
[5] -djelm- dialekt çam-djem
[6] - tremilë- dialekt çam- tre mijë
[7] -fusha e Kestrinës- emri i lashtë i fushës së Vrinës.
[8] -Pelod- Liqeni Buthrotit.
[9] - gluhën-dialekt çam- gjuhën
[10] -kualve-dialekt çam-kuajve
[11] - bëte- pellazgjisht-ilirisht- bëj për nga ti- përdoret ende sot në dialektin çam
[12] -ture-dialekt çam-tyre
[13] - Qafa e Botës- qafa që ndan krahinën e Konispolit me atë të fushës së Lopsit , mespërmes të së cilës rrjedh lumi Thyamis.
[14] -gluhë-dialekt çam-gjuhë
[15] - ergjele- të lira, në natyrë.
[16] -grava-dialekt çam-shpella
[17] - boja- dialekt çam-trupi
[18] -Thyamis- emri i lashtë i lumit Kalama
[19] -vatëla= dialekt çam-vajtja
[20] - njari-dialekt çam- njëri
[21] -qurt-dialekt çam- çmos
[22] - gola- dialekt çam- goja
[23] - picërronin- dialkt çam-përpëliteshin
[24] -Pelod-emri i lashtë pellazg i liqenit të Butrintit. Pelod- i bërë nga lotët...kur shtojzovallet e Milesë dhe të Armiroit qanë vdekjen e Panit.
[25]- vohë- dialekt çam- aromë
[26] -malë- dialekt çam-majë
[27] -holqën-hoqën-vuajtën.
[28] - zglodhi-dialekt çam-zgjodhi.
[29] -glatë-dialekt çam-gjatë
[30] -hje-dialekt çam-hije
[31] -vetëhe- dialekt çam-vete
[32] -himtë-e tatëpjetë.
[33] -zdrigjën-dialekt çam-zbritën
[34] -si-dialekt çam-sy
[35] -çish-dialekt çam-si-çfar.
[36] -ngosur-dialekt çam-ngopur.
[37] -pëlla- dele që ka pjell
Comentários