top of page
Search

PIKËPYETJE…


Nga Kastriot Fetahu

-Ese-

Ekzistenca ime i ngjan një plaku prej bore në të katër stinët e vitit, apo edhe një liqeni me thellësi të dyshimtë dhe ndoshta edhe një shisheje vere të vjetëruar pa kohën e vjetërimit të saj.

Rruga e viteve të mia,(i kam ngjyrosur me klorofil të kuq), kalon në shtigje western, rrugica detesh dhe dyer librash të mbyllur për të mbrritur në një stacion poetësh me club-e bohemësh si në Monmartre-në e famshme të Parisit, ku Mouline Rouge nuk mund ti rezistoja dot.

Dikush që më pa, më quajti poet.

Unë heshta, sepse fjala përbëhet prej qelizash heshtjeje.

Mendova në çast se nuk jam poet dhe se brendia ime nuk u rrit dot, duke ngelur ai adoleshenti çapkën, që derdh lot fshehurazi shokëve të klasës.

Jam një riosh me shpirt endacaku, aventurier, i prapë, krenar, i pakomunikueshëm dhe i trishtë, me fodullëkun fsheh gëzimin e brendëshëm fëminor e brenda ditës ndërroj disa gjendje shpirtërore dhe se nuk mund t’ ju dhuroj veç lotëve asgjë tjetër për t’ ju ndihmuar në trishtimin tuaj, që ka ngjyrën e varfërisë së trishtimit tim.

Më mundon mungesa e intimitetit të rrjedhshëm në formën e ujvarës, si dhe gëzimi i qëndrueshëm, kam aq shumë pyetje e, nuk mora kurrë përgjigje.

Kërkoj vetveten në indiferencën tuaj, sepse kujtoj që ajo është më e mençur nga e imja dhe si e tillë imja nuk bën dot as indiferencën.

Nuk arrij dot, të kuptoj ndryshimin me ju kur ecim rrugës, se vetëm unë e kthej kokën kur kalon një vajzë apo një grua!!

Më duket sikur më njihni intimitetin dhe kuptoj se ju nuk keni fare një të tillë, pasi në gotën e parë në mejhanen e errët të rrugicës, keni zbrazur gjithë bagazhin tuaj të intimitetit steril.

Mua më mbyt pesimizmi dhe rrëmuja, në një kohë që qeshjet tuaja të azhdërhallta aq të pakuptimta më peshkojnë nga pellgu i mendimeve ku isha zhytur.

Poeti nuk bën miq, ai është një kryengritës që nuk përbuz se nuk urren dot, pasi është i pushtuar nga mëshira hyjnore.

Do të skuqesha në rastin më të parë, kur do të më qesëndisni- Hë mo poet…

Ndaj nuk dua të jem poet, se nuk mund të përballoj dot një turmë pa identitet, që i ngjan një lukunie ujqërish kundër një kaprolli që ushqehet me majat e lulkuqeve në breg të lumit…

Unë gëzoj për gjëra të vogla, gëzoj kur ha fshehurazi një ëmbëlsirë rrugës, e nuk dua të më shikoni, se do të më qortoni -A hanë poetët rrugës ?

Kështu, do të më vrisni gjithmonë nga pak lirinë e shtrenjtë si gjënë më të çmuar që kam.

Lutjes, që të mos thyeni trëndafilat e egër, ju nuk ju përgjigjët kurrë !!

Poezia ime ju trondit dhe kjo më shqetëson, se dua të fshihem në cepin e pavemendjes e, të jem një klandestin që të mos më njohë askush kur pulis sytë, se nuk kam durim sa të shkoj të takoj atë vajzën koketë për të cilën shkruaj sonete në gjumin e thyer netëve vonë, rrethuar nga demonë, xhindë dhe engjëj në luftë me njëri-tjetrin e, ku fantazmat mbajnë anën time.

Jeta e poetit është dhembje e pambaruar, një magji fëmijësh e thjeshtë, sepse dashuria… çelësi që hap çdo derë të mbyllur.

Urrejtja, alergji si pickimet e akrepave në lëkurën e avullt.

Nuk e di, nëse ndoshta poeti lind pa lindur ndonjëherë dhe vdes si poezi e pambaruar ?!

Poeti do që të përjetoj të gjitha ngjyrat e dashurisë, ai ëndrron edhe gjinjtë e asaj ciganes që mban dhëmbët përjashta kur e bullizoni, por është ajo që tallet me kotësinë tuaj, me indiferencën e saj profane të shprehur në qeshjen, gjuhën e trupit dhe fjalët hokatare të pashqipëruara.

Nuk kam veshur kurrë një kollare, më duket sikur ajo më mbyll derën e mendimeve. Se di pse e mendoj, se atë e mbajnë ata që duan të jenë seriozë, se nuk kanë çfarë të tregojnë, madje as nuk dinë edhe pse blejnë çdo ditë gazetën tek kioska e cepit të bulevardit dhe librat e rinj kur dalin në shitje.

Poeti kërkon të jetoj çmendurinë, se nuk është një puritan, por ju nuk do ta kuptoni dot, ai ka dëshira të pamatura fëminore, të qaj përpara të dashurës ndonjë herë, por rrezikon pse edhe ajo mund të jetë një vajzë që ta përqeshë në momentin kur ai loton para saj, prandaj nuk dua të jem poet edhe pse kollare nuk do të vesh kurrë dhe as kostum gri, unë nuk jam një nga studentët e kolegjit të “Another Brick In The Wall” kënduar nga Pink Floyd.

Ju lutem, nuk jam poeti, se as nuk di ti përgjigjem pyetjes që më bën vetja ime… a jeni ju habitati im poetik ??

Unë, i ngjaj një njeriu prej bore në të katër stinët e vitit… !!

Commentaires


bottom of page