Alket Veliu
Kryeministri Edi Rama ka prekur në fjalën e tij në takimin me shqiptarët në Selanik, ndalesën e gazetarëve në kufi nga autoritetet greke. Rama tha se shpreh keqardhjen ndaj të gjithë gazetarëve të ardhur nga Shqipëria, të cilët u bllokuan disa orë në kufi për arsye të panjohur, sipas tij. Rama solli në vëmendje dhe rastin e shpalljes "non grata" të gazetarit Marin Mema, për të cilin tha se qeveria do të dorëzojë kërkesë për rishikimin e vendimit, pasi kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, dhe nuk mund t’i hiqet kurrë një gazetari liria europiane e lëvizjes.
Ky përbën një lajm të shumëpritur nga autoritetet shqiptare, pasi gazetari i mirënjohur Marin Mema u “braktis” nga institucionet e shtetit shqiptar për gati 12 vjet, duke u ndaluar kategorikisht të hyjë në territorin grek, me një vendim absurd të autoriteteve shtetërore, për të mos lejuar transmetimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare çame dhe shqiptare të mbetur nën Greqi.
Më në fund, pas 33 vjetësh, një kryeministër shqiptar reagon hapur ndaj fqinjës së vet, me një deklaratë solemne, duke kërkuar të respektohet reciprociteti dhe vullneti i mirëbesimit në marrëdhëniet dypalëshe. Ky parim fondamental i arsyes universale, që përbën themelin e respektimit të vlerave evropiane e njerëzore në marrëdhëniet midis vendeve tona, historikisht është vënë në pikëpyetje dhe reagimi i palës shqiptare ka qenë tepër i brishtë. Ndaj, duhet thënë, se deklara e kryeministrit në Selanik padyshim i bën më dinjitoze institucionet tona.
Por urojmë që kjo deklaratë të mos mbetet thjesht me frymë elektorale. E themi këtë pasi, po ta lexosh me vëmendje, kjo deklaratë nuk merr në konsideratë diskriminimin ndaj dhjetra e qindra çamëve e veprimtarëve të këtij komuniteti, madje dhe të lindur në Çamëri, që janë kthyer në pikat doganore me Greqinë, pa u dhënë asnjë shpjegim. Rasti më i freskët është ai i gazetarit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Arben Kondi, i cili u kthye mbrapsht, pa asnjë sqarim, në pikën doganore të Qafë Botës.
Çështja e diskriminimit grek, si një eksploziv për kohët moderne, duhet të marrë fund në mënyrë të pakthyeshme dhe jetë gjithpërfshirëse për gjithë shtetasit shqiptarë. E drejta e çamëve për lëvizjen e lirë është një e drejtë e patjetërsueshme dhe ndalimi në kufi shkel të gjitha Konventat evropiane dhe ndërkombëtare, që edhe shteti grek i ka nënshkruar. Institucionet shqiptare duhet të kërkojnë legjitimimin e kësaj të drejte, në radhë të parë duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë, dhe së dyti Rezolutën për Çamërinë.
Comments