top of page
Search

Po kush është Fshati Dishat në optikën e një kalimtari ?

nga Mhill Deda

Dishati është një fshat sipër malit të Konispolit në të djathtë, afër kufirit me Greqinë, pjesë e Njësisë Administrative Markat në Bashkinë e Konispolit.

Banorët e këtij fshati kanë toka edhe në Mursi pjesë e Njësisë Administrative Xarë ku i shfrytëzojnë më së miri me agrume si portokalle, mandarina, limona, ullinj, bimë medicionale kryesisht Sherebel, jonxhë e foragjere të ndryshme ku shumë prej tyre mbajnë e mbarështojnë kope të mëdha me bagëti të imta e gjedhe.


Disa kanë ndërtuar edhe shtëpi e vila atje, stalla moderne pa u shkëputur e lënë në harresë Dishatin e tyre të bukur me tokat pjellore e bukuritë e saj natyrore. Është një fshat me shumë tradita atdhedashurie, mikëpritje, bujarë, të respektuar, besnik dhe në harmoni me njeri tjetrin. Në proçeset demokratike u shkatërruan mjaft objekte me vlerë si shkolla, qendra shëndetësore, mulliri, baxho e depot e grumbullimit e përpunimit të qumështit etj por prap banorët po ruajnë e trashëgojnë vlerat më të mira njerëzore të trashëguara në breza. Sidoemos gjatë verës në këtë fshat ka shumë gjallëri nga këta banorë shumë puntorë e me vizion për të ardhmen.


Në të gjithë tokat gumëzhijnë veglat e punës, kush mbjell, kush kosit jonxhë e barë për dimër, kush punon me bimët medicionale, kush punon në kopështe për perime, kush përpunon qumështin dhe ze djathë për vehte dhe për treg. Të kënaqet syri në mëngjes dhe në darkë kur dalin nga rrethimet për në kullotë apo vijnë në darkë nga kullota dhe kur i shikon në ato pjerrësi mali tufat me dele e dhij dhe në luginat gjedhe e kuaj ku më e spikatura dhe më e madhe është kopeja e Vizhdanit që gjithmonë në krye të saj është Cjapi i Shekullit LULI im i dashur dhe i pa harruar me atë zile të bukur e karakteristike që vështirë se do zevendësohet ndonjëherë. Po kështu mund të përmendim kopetë e Hamitit, Ajetit, Beshos, Shefqetit, Lajanit, Ferhatit, Kasemit, Manushit dhe disa tufëza më të vogla që i mbanin për nevoja familjare nëpër sinore.


Me që baxho është e prishur të vjen keq kur çdo ditë shikon një karvan me makina, motorra, kafshë që zbresin nga Dishati për në baxhot deri në Konispol- Çiflig- Shkallë e deri në Xarë që transportojnë qumështin në ato rrugë Kalldrëmi mjaft të lodhëshme e të vështirë. Që në monizëm është kjo rrugë nga Shalësi – Dishat – Vërva që s’ka vënë dorë asnjë Qeveri qëndrore apo lokale dhe nuk kanë marrë as mundimin për të dal e me i takue këta banorë të mrekullueshëm e puntorë e le pastaj për ti dhënë një dorë asfalti kësaj rruge prej afër 12 - 15 km për të lehtësuar sadopak jetën e banorëve të Dishatit e Vërvas.


Një rrugë e tillë e asfaltuar do u shërbente jo vetëm këtyre banorëve e refugjatëve që kalojnë nga kufiri i gjelbërt për në Greqi, por do jetë një burim turizmi i paparë mbasi ka mjaft resurse të tilla.

Sapo të kalosh Shalsin të bie në sy ajo pjerresi e bukur, e gjelbërt deri në majat e atyre maleve në ato bjeshkë të bukura, të bie në sy një plep i madh që ka edhe një burim uji rrëzë tij, të bien në sy dy parcela me ullinj të Ajetit një poshtë plepit e një sipër tij, mbi të gjitha duket Kalaja e Dishatit si kurorë mbi këto pjerrësi në portat hyrëse të fshatit e rrethuar me jeshillëk, burime uji, pllaja e male, me lule që mund ti gjejsh në bregdet dhe në maje malesh e mbi të gjitha janë këta banorë elitë e shoqërisë në Sarandë e më gjërë.


Kjo kala me një histori mbi 700 vjeçare duhet të eksplorohet, të studiohet se ka vlera të jashtëzakonshme. Nga ato pak të dhëna të shkruara, nga të dhënat që japin banorët e sidoemos burri më i moshuar e i zgjuar Hamit Selmani dhe nga vështrimi im si ushtarak madhorë i Ushtrisë Shqiptare 1961-1995 më rezulton se kjo kala ka shërbyer në disa luftra me karakter fetarë mes Ortodoksisë e Muslimanizmit pavarësisht se edhe këto kanë patur karakter të mbrojtjes Kombëtare. Përballë e në fund të Kalasë në fushat e Hamitit ka qenë ndërtuar fshati në formën e një qyteze të bukur dhe shumë e zhvilluar për kohën ku edhe tani gjen tjegulla e mbeturina të rrënojave të këtij fshati.


Ky fshat ishte i rrethuar nga tre burime uji shumë të mirë, një te Plepi, një në krye të taracave të Hamitit te lisi i madh, një te ara e beut dhe e Priftit rrëzë lëmit të ish Kooperativës. Ishte fshat i rrethuar me kullota, pyje e me toka prodhuese bujqësore ç’ka i favorizonte këta banorë pë të jetuar mirë, por edhe për këtë ishin të lakmuara nga fqinjët tanë jugorë. Kjo Kala ka shërbyer për mbrojtjen e të gjithë zonës sidoemos në këto rrugë kalime:


1= Junjari - Vërva - Dishat - Shalës - Çiflig - Mursi - Xare - Butrint - Vagalat - Drobaj...


2= Shalës - Dishat - Grazhdan ... pra dy kalime strategjike për mbrojtjen nga të huajt.


Ashtu si ajo shtëpia = vila e mirë që ka një avëlli të ndërtuar bukur e të mbushur me lule, një sallon të këndëshëm për pritjen e miqëve, ku sa të futesh në të kupton se ke të bësh me një familje me kulturë, edukatë e me tradita ashtu edhe kjo kala në hyrje të fshatit në trekëndëshin kala-kullota e Hamitit- Kullota e Kasemit ka qenë ndërtuar e ngritur një lapidarë me shumë histori të dëmtuar në proçeset e ashtuquajtura demokratike që vetë këta banorë, organizata e Veteranëve, pushteti vendorë duhet ta rikonstruktojnë e ti vendosin emrat ashtu siç kanë qenë. Ata që kujtohen e që u është ngritur ky lapidar historik nuk kan qenë Antarë të PKSH, PPSH, PD, PR, etj por Atdhetarë dhe kanë dhënë jetën për vatan, për nderin e familjeve të kësaj zone, për liri kombëtare e shoqërore. Prandaj lavdia e tyre duhet përjetësuar ashtu siç e meritojnë këta dhe qindra e mijëra të tjerë.


Është për t’u theksuar që kulturën e këtyre banorëve e konstaton sapo të kalosh Butrintin - Shëndëlli - Xarë - Mursi - Shkallë - Çiflig - Konispol -Shalës etj ku ka vajtur rruga e asfaltuar nuk shikon as një banesë, shtëpi apo vilë të ndërtuar në tokat e punueshme, por janë të sistemuara në kodra, me infrastrukturë të pranueshme, përveç disa stallave që janë ndërtuar në tokat e tyre për të shfrytëzuar foragjeret e shumta të mbjella, biles edhe stallat në përgjithësi janë ndërtuar mbi rrugë rrëzë kodrave për të kullotur edhe në male edhe në parcela. Nuk thotë kot populli se nga vjen rruga vjen edhe kultura. Prandaj shpresoj dhe besoj tani që Bashkitë janë më të mëdha e më të fuqishme financiarisht do të kenë më shumë fonde e resurse do të kujtohen për këtë rrugë, por edhe populli duhet të bëje presion të pandërprerë sidoemos në fushatat elektorale.


Këta banorë me shumicë demokratësh e kishin edhe një vrejtje që Sali Berisha dhe Jozefina Topalli nuk e kishin vizituar as një herë Dishatin.


Të shkruajsh për këta banorë e për këto treva e veçanërisht për Dishatin nuk mjafton vetëm njohja me to, dashamirësia, por duhet të jesh edhe profesionist në shumë fusha gjë që unë nuk e kam ndaj ju kërkoj ndjesë që nuk mund të arrij të shpalos sa e si duhet vlerat e meritat e këtyre banorëve në përgjithësi dhe të familjes Selmani në veçanti që në çdo takim me ta të lejnë mbresa e kujtime të pa shlyera.


SHUMË RESPEKTE, MIRËNJOHJE, PËR JU MIQ TË DASHUR E TË PA HARRUAR !!!


A U T O R I

MHILL DEDA LEZHË, më 03.11.2015

Mhill Deda


Commenti


bottom of page