top of page
Search

Po pritet të dalë dielli... Nga Rudina Papajani

Rudina Papajani e lindur në Vlorë, por me origjinë nga Policani i Gjirokastrës është pjesë e stafit Psikiatrik në qytetin e Vlorës. Një nga motivet e jetës së saj, nisur edhe nga profesioni i saj është "shpëtoni jetë". Por duket se Rudina nuk ndalet me kaq në shërbim të njerëzimit. Përvecse ajo ka vendosur tiu japë buzëqeshje pacientëve, ashtu ka vendosur të begatojë këtë Tokë me shkrime dhe poezinë e saj. Shkrimet e saj zënë fill që në fëmijërinë e hershme dhe u zhvilluan me botimin e poezive të saj në organe të ndryshme të shtypit dhe botimin e librave. Një nga librat e saj interesante është "Violinat e shiut". Falë edhe profesionit të saj si Pathologe, ajo ka njohur një larmi njerzish dhe problemesh të ndryshme duke bërë që në veprën e saj të jetë pjesë edhe aktualja dhe gravitacioni shoqëror. Përvecse shkrimeve të bukura, nga ana e Rudinës nuk mungojnë edhe interpretimet e mrekullueshme. Kemi përzgjedhur disa poezi nga krijmtaria e saj si fillim për ta gostitur me qerasjen e parë lexuesin.


 

JETO DASHURIA IME! Jeto dashuria ime, merr frymë thellë aty në lëndinë, grindu..puth..qesh aty në barin jeshil. Jeto dashuria ime, edhe kur drurët shushurijnë të trembur, nga shtegu i ngushtë, edhe kur era na fërshëllen , dhe na var në fytyrë gjethet e thara, pa pikë njomje. Jeto dashuria ime, vrapo ..çel në thellësinë e dritës, puth trëndafilin që hapi portën , gjysëm të mbyllur...jeto

 

PO PRITET TË DALË DIELLI...

Natën kur të gjithë flenë, toka egërsohet nga dhimbja e ditës, fjalët e mbledhura andej-këtej, priten për t'u zëvëndësuar me të tjera molusqe. Më kot malet ulen, për të ndihmuar kodrinat, që banojnë më poshtë. Nuk ka ngelur gjë, veç hirit dhe erës së djegur. Tani dhe zemrat kanë dalë nga trupi, qajnë e qeshin si për inerci të ironisë , me qesëndi vështrojnë shpirtrat, që vetëm kur flenë kuvendojnë, nga frika e premtimeve të zbrazura. Vetëm gjuhët jetojnë si duhet, janë zgjatur pak si tepër, peshohen çdo mëngjes, kur ndahet shapi nga sheqeri, edhe tingulli vjen si i babëzitur, ngre kordat për të rrëzuar pelerinat e fisnikëve. Sot dituria jeton vetëm në majë të malit, edhe pse grerëza që flenë pranë një kërme, aviten me shpresën e ndonjë hoji. Po pritet DIELLI , që thonë se do dalë pas "mesnate"......

 

SOT PO GRINDEM ME TOKËN... Unë linda nga dheu i gjërë, rrënjët i mora nga toka e ngrohtë, që jetën ma fali, ditën kur mata vlerën me shpirtin, çastin me dëshirën, tek ecnin kaluar mes mëkatarëve, e luteshin për prehje në çerdhen e fatit. Unë kam lindur mes asaj këmbane, që zgjon të dashuruarit, tek dëgjojnë këngën e diellit, mes valëve ledhatare . Kam lindur aty ku Zot është njeriu, që largon retë e trembura, e plas gënjeshtrën fatale, te djajtë në hije ziliqare. Sot po grindem me tokën, në lindje si çilimi, pastaj ja marr vrapit, të dergjem diku ..në gjirin e tij.

 

JAM PËRPJEKUR... Jam përpjekur të marrë lirinë e zjarrit, shkëndijat që puthen në qiellin pakufi, po arratisem nga Toka të kap yjet, natën dhe yllit që lind në agim. Jam përpjekur të vjedh shiun, pikat xheloze që bien papushim, breshërinë e liruar nga vetëtimat, që fshihet..e shënja lë pa kuptim. Jam përpjekur të zgjoj ëngjëjt, fatin e botës rreth e qark, ditën më falin ajrin e sapolindur, natën përzjerje, frymë drejt kupolës së lartë..

 

KU JE DASHURIA IME.. Ku je dashuria ime, syri i fshehur deri në agim, krenaria dhe zbutja më e thellë në shpirt, çudia më e pafaj, kur linde një ditë. Ku je? lëndina më e ëmbël, ujëvara e thellësive, puthja më e pastër, ku lindi zana. E kupton që je cicërimë, ujë zmeraldi në pasqyrën e krijuar, e ndjen se dhe guri që të shpon u shpërbë, dhe rrezet që erdhën të banonin në Tokë, lëshuan dritën, dhe ngelën yje në shpirtin e njomur. Me siguri muzgu që po vinte, rrëmbeu dritën, për t'ia dhënë hënës, çastin kur e pa..... RUDINA PAPAJANI.


Me poshte ndiqni Rudinen!




Comments


bottom of page