poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
poetët përshtirosen prej partive
prej kolektiviteve
që nga koha e kolkozeve
dhe kooperativave
poetët neveriten
sidomos prej liderëve
sepse janë ata që rrejnë më së shumti
sepse liderët hiqen
si udhëheqësit shpirtërorë
të grigjës popull
dmth popullin
e kthejnë në bagëti
dhe e ushqejnë
në seanca hipnoze
mitingjesh
me tableta
bari artificial
poetët janë bijtë e atdheut
e atdheut të plagosur prej partive
e atdheut të mohuar prej partive
prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
kështu do të jetë gjithnjë
poetët kanë babë qiellin
nanë tokën
vëlla pyllin
shpirt detin
veshët dhe sytë e gjithë botës i kanë poetët
poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
sepse partitë i vranë poetët
ua dogjën librat
i dërguan në Gulagë
i përjashtuan nga Atdheu
Atdheun e rrethuan me tela me gjemba
dhe në procesione mejhane
shtrigash e privatizuan Atdheun
dhe poetët i shpallën si armiq
të popullit
partitë e të gjitha ngjyrave
i dëbuan poetët nga atdheu
dhe atdheun e populluan
me censorë dhe
kryecensorë të kohës së djallit
të kuq
e populluan edhe
me lehlehësa
ham thotë partia
ham ham thonë lehlehësat
për hir servilizëm partiak
dhe një kocke
privilegj
partitë u sollën si inkuizicioni me poetët
partitë me fytyra inkuizitorësh
sepse poetët nuk pranuan kurrë
të duartrokasin liderin
të brohorasin
rroftë lideri-diell
dhe të përsërisin
fjalët e liderit
se gomari fluturon…
poetët thonë se
partitë po e kthejnë në gomar sovranin
dhe kjo e vërtetë është për të vënë duart në kokë
e për t’ia dhënë kujës
me oi
dhe e vërteta e shpallur
prej poetëve
i çmendi partitë
i marrosi lehlehësat
sidomos dihet se kë
poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
sepse në programin e partisë
thuhet se poetët i prodhon partia
ku sipas partisë poetin
nuk e lind barku i shenjtë i nënës
por barku i bushtrës parti
poetët e vërtetë nuk e pranuan kurrë
këtë blasfemi
sepse poetët e vërtetë i lind dhe i rrit Atdheu
prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
sepse partitë u ngjajnë tutorëve
andaj poetët thonë se partitë duhet të futen në karantinë
sepse ndyjnë ajrin që thithin fëmijët
sepse ndyjnë ajrin që rinia frymëmerr…
prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
kështu do të jetë gjithnjë
sepse partitë i urrejnë poetët
sepse poetët nuk i binden nënës parti
poetët nuk u qëndrojnë gatitu
urdhërave të nënës parti
për ta privatizuar Atdheun
poetët rebelohen
poetët i qëndrojnë
gatitu Atdheut
poetët e pranojnë të parët botën pa kufi
globalizimin e pranojnë të parët
por bota e madhe për poetët
fillon tek Atdheu
sepse Atdheu është baba dhe nana e poetëve
e poetët janë njëkohshëm bijtë e atdheut
e janë njëkohshëm bijtë e nënave të tyre
që i mëkuan me qumështin e gjirit
të pastër si drita e Zotit
dhe u dhanë bekimin e tyre
bekimi i nënave të poetëve si bekimi i gjithë nënave të botës
tamam si bekimi i Zotit
prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie
(Kjo poemë është marrë nga libri i autores “ANTICIRKLAND”, ONUFRI 2014)
Source: https://www.voal.ch/
Comments