top of page
Search

Poezi nga Alush Avduli


MARKATI

(Ja kushtoj gjyshit tim H.B.)


Rënkim i harxhuar

Elegji e paqarë e nënës sime

Zgjon mallin e vrarë të gjyshit tim.

Pllaka e rëndë e varrit të thinjur

U çua.... U thërmua....

Dhe shtroi rrugën e shpresës

Të vështirë si kalim mali

Pa pluhur të zi ngjarjesh.

Markati-gurë sipër gurit

Dashnor durimi

Me ëndrrat e drurit.

Markati-

Thellësia e të zezës

Në puse të heshtur.

Vetmia e mjaftueshme

I bën fjalët të panevojshme.





PA TITULL


Qipariza të errët-poetë surealistë.

Trup ndarë nga shpirti

Truall i vogël vdekje.

Në një qytet-etiket

Kërkoj portretin tim

Nuk mund ta gjej,

Humba brenda ikonës

Të një guri të lashtë në harresë.

Vetëm qipariza të errët-mikrobotistë

Nuk më kthejnë krahët.

Në jetën që më përzgjodhën

Ku ta gjejë origjinën e pikëllimit?!...






ËSHTË E THËNË


Në heshtjen e lodhjes

Forma e vrenjtësirës.


Në rrëfimin e prallës

Dinjiteti i gënjeshtrës.


Në rëndësinë e rërës

Ftillesa e shkretëtirës.


Në njësimin e maskave

Madhështia e hipokrizisë.


Në kraharorin e natës

Klithma e dritës.


Në patericat e drunjta

Përparimi i ditës.


Σχόλια


bottom of page