Lulja e humbur
Lumturia i ngjan një skice
A një vizatimi
Mbi rërë.
Në tokën e saj
puthjet çelin
si narcizë shumëngjyrësh.
E unë jam një lule e humbur
midis kallamishteve,
që ti dot s’e gjen
e as dot s’të mbërrin.
Por edhe pse vyshket
E vdes ngadalë në lumë,
Sërishmi ajo mbin.
Unë - lulja e humbur
që rrjedh në brigjet e tua...
Në çdo pranverë rikthehem,
më shumë e dashuruar.
Shtëllunga malli
Kur ti më sheh në sy
Shtëllunga malli,
Përvidhen në çdo skaj.
Mos më prek!
Veç shihmë
Që shpirti t’më trazohet.
Tingujt e zërit tënd
përkëdhelin ëndrrat e mia.
E zemra shtang për një çast.
Dhe lehtas mërmërit.
Nëse...
Ndonjëherë...
Sadopak...
Vallë...
A më ke dashtë?!
Fantazmë hieratike
Symbyllas,
I shoh mendimet e mia
Të largohen si hije të dëshpëruara,
Kur mbrëmja vjen të më çrrënjosë
Paqenësinë e ekzistencës.
Si një fantazmë hieratike
I turbullt,
shfaqet imazhi yt.
Metamorfozë e shpirtit tim.
Enigma e Sfinksit
Më përndjek si
Pafajësia e rrejshme
Që frymëmarrjen lëndon.
Unë jam thjesht një peng
Që orvatem në simetrinë
E enigmës sate
Në një botë të vagullt,
Që më prek kur fle
Dhe më braktis
Në zgjim.
Topitje
Dielli perëndoi në shpirtin tim.
Larg teje,
frymëmarrja i ngjet një
procesi topitës, (artificial)
Ç’ version i mbrapshtë
i së shkuarës,
kjo dashuri e çjerrë !
Dua të të zboj jashtë
qenies sime,
butësisht, egërsisht, tërësisht.
Por ti…
Je kapërthyer pas gravitetit
dhe emocionet zhvishen,
nën ritmin e gishtërinjve të tu.
Qëndro…
dhe një tjetër çast,
në përjetësinë e ndjenjës!
Teatri i jetës
Skena e të vërtetave të pathëna
Është një jetë mjerane,
zbehtake, e shkretë.
Dhuroji një buzëqeshje të shkujdesur
Kujtdo që gëzimin
Dot nuk e preku.
Si mund të quhet jetë
Sonata arktike,
Që fatit i shtillet
dhe zhduket sakaq?
Kori i yjeve, si
aurorë boreale,
në qiell u përshfaq.
E ti hapin tënd,
sërish nuk e ndal.
Gjithçka rrjedh furishëm
Ndaj, fort mirë e di
Se kurrë s’do
Të zgjohesh
Nga puthja e tij…
Vigma e shpirtit,
Një sokëllimë
Që humbjen vajton
Në teatrin e ndjenjës.
Dhe gjurmët që le
mbi rërën e kohës,
Dëshmojnë
se nesër një tjetër,
Dëshpërueshëm do t’ecë,
Nën hapat e tu.
Përshpirtje e jetës
Do t’i pëshpëris dëshirat e mia
Në ëndrrat e tua.
Lakadredhas, do të gjarpërohem,
Në skutat më të errëta,
Të shpirtit tënd.
Dhe do të të kaploj…
Heshtjen, butësinë, marrëzinë.
Më për ty,
nuk do të ketë kthim mbrapsht,
as paqe, as shpëtim.
Mungesa ime
Do të ndryshojë ditët,
frymëmarrjet, bindjet e tua.
Botën tënde perfekte
Kokëposhtë do ta përmbysë.
Dhe krejt jeta do t’i ngjajë
Një përshpirtjeje të dhimbshme
Që trishtimin zgjon.
Commenti