top of page
Search

Poezi nga Maram al - Masri

Përktheu: Gladiola Jorbus


Maram al - Masri

Maram al-Masri (e lindur më 1962) është një poete siriane që jeton në Paris. Ajo konsiderohet si "një nga zërat më të njohur dhe më tërheqës femërorë " në gjuhën arabe. Poezia e saj është e drejtpërdrejtë, pa zbukurime dhe evidenton fragmente nga jeta e përditshme. Përdorimi i metaforave të thjeshta, pothuajse fëminore bie në kontrast me konvencionet e poezisë tradicionale arabe. Për më tepër, një grua që shkruan pa rezerva për seksin i dhuron gjithashtu, një nuancë të freskët dhe tërësisht spontane, poezisë së saj.


Një qershi e kuqe mbi një dysheme me pllaka të bardha


Unë jam hajdutja e sheqerkave

që shfaqen në dyqanin tënd.

Gishtërinjtë e mi bëhen ngjitës

por nuk ia dal dot,

ta lë njërën të bjerë

në gojën time.


***


Sa e pamend:

Kurdoherë që zemra ime

dëgjon një trokitje

i hap dyert e saj.


***

Dëshira më përndez

dhe sytë e mi vezullojnë.

E rras moralin

në sirtarin më të afërt.

Shndërrohem në Djall

dhe ua lidh sytë

engjëjve të mi.

Vetëm

për një puthje.


O vëllezër të njerëzishëm


O vëllezër të njerëzishëm!

O botë!

Unë pata një fëmijë.

Në bark e fsheha.

E bëra njësh me trupin tim.

E ushqeva me gjakun tim.

Jetuam ëndrrat e mia.

Këndova për të - më buzëqeshi.

E shtrëngova - pushoi së qari.

Nga krahët ma shkulën.

Kënga ndali.



Comments


bottom of page