top of page
Search

PPP-të janë shfrytëzim, nuk gjenerojnë zhvillim


Nga : Dr. Klodian Muço


Në vitet e fundit në Shqipëri vërehet se kemi rritje ekonomike të shoqëruar me pabarazi dhe mungesë zhvillimi. Për këtë situatë klasa politike ka shumë faje për mungesën e aktualizimit të reformave si dhe për krijimin e një klase sipërmarrëse jo shumë efiçente e cila shpesh herë i sheh konçesionet, fondet dhe tenderat publike si të vetmen rrugë për një pasurim të shpejtë.

Çdo ditë e më tepër qeveria po e bazon rritjen ekonomike te bashkëpunimi me sektorin privat për ndërtimin dhe menaxhimin e veprave me interes publik.


Format e ndryshme të Public-Private Partnership (PPP) e në veçanti Project-Financing i veprave publike po zëvendëson qasjen tradicionale të ndërhyrjes publike, sidomos në sektorët që janë në gjendje të prodhojnë një fitim direkt për investimet private si sektori privat, ai i trasportit, ndërtimit dhe shëndetit.


Qeveria e motivon rritjen e preferencës për PPP-të si arsye të kontrollit të shpenzimeve publike dhe pasi ka si objektiv reduktimin e borxhit publik. Ky objektiv sipas tyre pengon rritjen e investimeve publike në infrastrukturë por jo vetëm. Por në fakt aspekti i përbashkët e iniciativave të ndryshme të partneritetit publik-privat është roli i iniciativës publike, apo më saktë institucionet publike po krijojnë kushte ideale për të stimuluar investimet private, duke u garantuar një shumfishimim të kapitalit të investuar dhe menaxhimin e një shërbimi që dikur ish publik për dhjetra vjet me radhë.


Po vallë cilat janë avantazhet dhe limitet e PPP-ve, çfarë na tregon eksperienca e vendeve të zhvilluara.

Vendet e zhvilluara në të kaluarën e kanë motivuar preferencën e këtij lloj partneriteti pasi besojnë se investimi privat është më efiçient se ai publik. Te ne, nuk rezulton kështu pasi shuma e investimit kur e bën privati shumëfishohet. Pra i njëjti investim që shteti e kish parashikuar të kushtonte 1, privati ndër vite do të përfitojë më shumë se 3.


Nëse në vendet e zhvilluara kompanitë private marrin shërbime private në konçesion, ato kërkojnë të reduktojnë kostot e menaxhimit me qëllim që të maksimizojnë fitimin. Te ne privatët kërkojnë ato shërbime që kanë një fitim të garantuar pasi pagesën e bën shteti (check-up, dializa, ndërtimi i rrugëve, sterilizimi i paisjeve kirurgjikale) apo shërbime që paguhen me një çmim shumë më të lartë nga privati (ngjyrosja e naftës, kontrolli i pompave të naftës, kolaudimi i makinave, prodhimi i pasaportave dhe kartave të identitetit).

Në vendet e zhvilluara shteti jep me PPP ato shërbime që i ka me humbje dhe e ka të vështirë të reduktojë kostot, pasi menaxherët publik dhe politik janë më pak efiçent apo sensibël ndaj shpërdorimit të parave. Ata gjithashtu janë pak të stimuluar për të bërë inovacion pasi rroga e tyre nuk është e përllogaritur në bazë të performancës së arritur.


Gjithashtu në vendet e zhvilluara shteti përdor PPP-të për të stimuluar inovacionin teknologjik që mund ta bëjnë kompanitë me know-how, me shumë likuiditet dhe me një eksperiencë të gjatë në ofrimin e një shërbimi të caktuar. Ndërsa te ne kompanitë që marrin shërbimet publike me konçesion janë kompani pa eksperiencë (kompania e faturave elektronike) dhe nuk kanë kapitale mjaftueshëm (kompanitë që pretendojnë të ndërtojnë rrugët së fundmi me PPP).

Limitet e PPP janë të shumta edhe për vendet e zhvilluara aq më tepër për vende në zhvillim si Shqipëria.


Jo më kot vendet e zhvilluara po i evitojnë gjithmonë e më tepër.

Shpesh privatët kanë tendencën të reduktojnë në maksimum kostot, kjo ka efekte negative në cilësinë e produktit final dhe në përfitushmëritë sociale të investimeve. Çmimi i shërbimit është shumë i lartë se ai që mund ta ofronte shteti, kjo gjë dëmton konsumatorët (çmimet e aereoportit të Rinasit).

Privati ka tendëncën të rrisi fiktivisht kostot dhe të minimizojë fitimin duke mos paguar mjaftueshëm taksa (kompanitë e shfrytëzimit të naftës).

Nëse privati bën një investim në ndërtimin e një rruge, në këmbim të shfrytëzimit të saj për një kohë të caktuar. Privati ka tendencën të mos investojë shumë në mir-mbajtje pasi do të kërkojë të maksimizojë fitimin për periudhën e shfrytëzimit.

Privati ka tendencën të zgjedhi projektin që i gjeneron më shumë të ardhura dhe jo më efiçientin.


PPP-të reduktojnë konkurrencën, mungesa e konkurencës gjeneron pabarazi dhe varfëri.

PPP-të vënë në rrisk financat publike pasi qeveria impenjohet për pagesa që do të zgjasin për dhjetra vite, më shumë sesa mandati i tyre politik. Kjo formë financimi jo vetëm që rrit borxhin publik (pagesat janë fiks si këstet e kredisë) por në të ardhmen mund të rezultojnë si inefiçente në aspektin e alokimit të fondeve publike.

Teoria ekonomike afirmon se PPP-të nuk stimulojnë rritjen ekonomike dhe çojnë në rritjen e taksave në të ardhmen për të përballuar pagesat e tyre ndër vite. Ky lloj partneriteti rrit pabarazinë dhe varfërinë.


Ndikon në reduktimin e shpresës se e nesërmja do jetë më e mirë, nxit të rinjtë të kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendet me mirqënie ekonomike më të lartë e si konseguencë rritet mosha mesatare e popullsisë. Pra PPP-të gjenerojnë varfëri dhe “vrasi” të ardhmen.

Nëse rritja ekonomike e vendit do të bazohet te ky lloj partneriteti, nuk do të jetë e largët dita kur borxhi publik do të kapi nivele të pa përballueshme. Taksat do të rriten në mënyrë të ndjeshme, të rinjtë por jo vetëm do të largohen nga ky vend, sistemi i sigurimeve shoqërore do të kalojë në kolaps dhe ne do jemi vendi më i varfër dhe me popullsinë më të plakur të Europës.



Comments


bottom of page