Nga Gladiola Jorbus
(poezi për fëmijë)
Ëndrrat
Ëndrrat shndrijnë në sytë e mi
Ëndrrat vallëzojnë në qiell.
Ëndrrat duken kur lulëzojnë
si margaritarë në diell.
Ëndrrat s’mund t’i vjedhë askush.
Dhe askush, s’mund t’i mohojë.
Ëndrrat vuajnë, psherëtijnë,
kur në to njerëzit s’besojnë.
Mos e ndalni ëndrrën tuaj
Bashkë me të vrapo e luaj.
Që në jetë ti të fitosh
Duhet ëndrrat t’i besosh.
Ëndrrat fshihen në zhgënjime.
Ëndrrat heshtin kur harrohen.
Ëndrrat struken në kujtime,
Derisa shpresat të zgjohen.
Si pulëbardha fluturojnë
Mbi valë deti, mbi liqen
Sado larg era i çon
Zemra pranë, na i rikthen.
Prehri i gjyshërve
Fëmijëri e lumtur.
Pafundësisht e bukur.
Në prehrin e një gjyshi,
në krahë e përkundur.
Të gjthë gjetën mbrojtje
Në shpirtin e tij.
Në duart e gjyshes – argjend e flori.
Aromë e kulluar
vjen buka e saj.
Fjalët i çelin
si lulet në maj.
Dashuri e tyre
valëvitet në qiell.
Si thesar të duan,
të quajnë Hënë e Diell.
Ledhet e tyre
të dhurojnë krahë.
Një botë pa gjyshër -
E trishtë sa më s’ka.
Nën tokë
Nën tokë, bija ime
Ndodhen eshtrat e të parëve tanë.
Ata janë të mitë,
janë të tutë.
Aty prehet gjyshi i dashur.
Një burrë i fjalës
dhe i urtë.
Nga ata që tokën
nuk e shkelin më.
Se balta e saj
të tillë njerëz,
për vete i do.
Ndaj tokën ti,
Mos e lëndo!
Mos e mallko!
Dhe mbi tokë,
kurrë…
Mos pështy!
Se dheu
i saj janë gjaku,
e shkuara, e tashmja,
krejt - të parët e tu.
Comments