Nga Sonila Meço
Posti i Presidentit të vendit nuk është honorifik, as “nderim” për figura të shquara në fund të karrierës së tyre profesionale të çdo fushe…aq më pak variacion për “simfoni” e “orkestër” thashethemnaje kolektive. As qokë. As bast, as quiz…as kuotë përfaqësimi gjinor. Sidomos në një vend si ky.
P.sh kur thuhet ka ardhur koha për një Presidente grua, mendoj, po nëse “duhet” grua se boll burra kanë drejtuar a nuk ekziston risku, që për hir të një përcaktimi gjinor “të kohës” të mos i jepet shansi një burri më të aftë?
Edhe vice versa. Nuk di pse në kohën më të vështirë për vendin, gjinia duhet të jetë kriter, kur të qenurit NJERI i duhur në vendin e duhur është emergjencë kombëtare. Mbetem gjithsesi në favor të çdo gruaje për kandidate dhe në kushtet e aftësive të barabarta do ta mbështesja atë e jo kandidatin burrë.
Mandej lexoj propozime për emra të nderuar të mjekësisë, letërsisë, artit dhe mendoj si i dilet t’i bësh ballë një shteti të kapur, pushteti monist dhe “mjeshtrave” të manipulimit për të garantuar Kushtetutën pa përvojën, njohuritë dhe aftësitë në jurisprudencë, politikë, ekonomi dhe administrim? Se Presidenti tek ne nuk zgjidhet nga populli, që të pretendojmë se edhe një njeri jo i fushës do mund të funksiononte prej legjitimitetit dhe fuqisë së votës.
Dhe në fund, a ka më shpresë se kjo maxhorancë di të zgjedhë njerëz? Dhe nëse për një fraksion kohor do mendonim se mund ta bënte një zgjedhje të mirë, a mund t’i rezistohet kësaj makinerie të frikshme propagande, presioni që tentoi të shkarkonte me 104 vota Presidentin, që kish propozuar e zgjedhur vetë, sepse i tregoi “gardhin” kushtetues çdo tentative antiligjore e antiligj themeltar e kapje shteti?
Le ta përsërisim:
Këtë President e zgjedh Rama. As populli, as politika, as parlamenti. Nëse do donim të shihnim ata që çmojmë e vlerësojmë në krye të punëve, do duhej fillimisht t’i votonim në zgjedhje, mandej t’jua mblidhnim me kërkesë llogarie. E në fund t’i shkarkonim kur na e sillnin aty ku s’mban më.
Comments