Turizmi është një ndër fenomenet socio-ekonomike më të rëndësishme në nivel global. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit numri i turistëve për 2018 ka kaluar 1.4 miliardë dhe kanë shpenzuar më tepër se 1 trilionë dollar. Turizmi ka një rol të rëndësishëm edhe në ekonominë shqiptare. Rëndësia e tij është jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore, sociale dhe edukative.
Turizmi në Shqipëri në 5 vitet e fundit është rritur me ritme shumë intensive. Rritja mesatare e turistëve të huaj në vitet e fundit ka qënë me rreth 12% në vit duke arritur në 2018 në gati 6 milionë turistë. Ku dominojnë Kosovarët me 34%, Maqedonsit me 13%, Italianët me 10%. Ritmet e rritjes së turizmit në Shqipëri janë shumë më të larta edhe se ato të vendeve të zhvilluara si Franca (7.2%), Spanja (6%) apo Italia (4%). Falë rritjes së vazhdueshme të turistëve të huaj kemi një rritje të vazhdueshme edhe të punësimit direkt në këtë sektor. Ku sipas disa përllogaritjeje, për çdo 157 turistë të huaj kemi një të punësuar. Kontributi direkt i turizmit në GDP llogaritet te 2.6% ndërsa indirekti arrin deri në 5.2%. Por nëse nga një anë kemi turistë të huaj që vijnë në Shqipëri nga ana tjetër numri i turistëve Shqiptarë që shkojnë në Greqi e Turqi por jo vetëm po rritet ndjeshëm nga viti në vit.
Një publikim i dhënë së fundmi në mediat shqiptare fliste për gati 1 milionë shqiptarë që shkojnë në Greqi apo për të ardhura mbi 200 milionë euro për Greqinë vetëm nga turistët shqiptar (përtej vërtetësisë së shifrave pasi turist quhet një person jo rezident që futet në një vend dhe qëndron mbi 24 orë dhe jo ata që jetojnë në një vend si Shqiptarët në Greqi, apo shqiptarët që kalojnë tranzit në Greqi për të shkuar në Itali apo Turqi). Mund të themi me bindje se Shqiptarët por jo vetëm po fillojnë ta evitojnë turizmin në Shqipëri. Përgjatë diskutimeve me të njohur dhe miq konstatohet qartë se turizmi në Shqipëri ka një sërë problemesh dhe gabimesh në mënyrën e menaxhimit të cilat nëse nuk do të korigjohen së shpejti turizmi shqiptar do të goditet rëndë në të ardhmen pasi turizmi është nga ata sektor që shkon sipas modës. Nëse ata që vizitojnë Shqipërinë ngelen të zhgënjyer, brenda pak vitesh Shqipëria do të abandonohet nga turistët përfundimisht e do duhen vite të tëra për ta rikthyer si trend.
Po vallë cilat janë arsyet e dëmtimit të turizmit shqiptar?
Së pari çmimet në jug po kapin me shpejtësi nivelet e vendeve fqinje por nga ana tjetër investimet publike apo shërbimi lë për të dëshiruar. Unë si ekonomist apo turist nuk kam asgjë ndaj çmimit të lartë pasi ai varet nga kërkesë-oferta por ama dëshiroj një shërbim të denjë për çmimin që po më jep, nwse rrit çmimet me 50% rrit të paktën edhe shërbimin e cilësinë. Pra turistët në Shqipëri përgjithësisht valutojnë negativisht raportin ndërmjet disponueshmërisë së shpenzimit dhe cilësinë së shërbimeve në Shqipëri. Vendi jonë po bëhet shumë i shtrenjtë, jo vetëm për ne por edhe për të huajt.
E dyta trajtimi i keq i turistëve të huaj. Në ça vendi në Europë janë rrahur turistët e huaj përveç se te? Na është dashur vite të tëra të “bindim” të huajt se Shqipëria është vend i mrekullueshëm, i qetë dhe me stabilitet. Një lajm i tillë bën jehonë në mediat ndërkombëtare dhe dëmton rëndë imazhin. Në ça vendi të Europës aplikohet standarti i dyfishtë ku të huajve u ofrohen i njëjti shërbim apo produkt me një çmim më të lartë? Turisti i huaj nuk është vetëm një klient i një ristoranti,hoteli apo plazhi. Ai është klient i Shqipërisë duhet trajtuar mirë nga të gjithë se dëmton imazhin e gjithë vendit nëse e trajton keq.
E treta, nuk mjafton vetëm që kemi një ndër aereoportet më të shtrenjta të Europës i cili e bën pothuajse të pa mundur fluturimet low-cost. Ne si vend edhe pse e dimë që turizmi mund ti ndryshojë jetën qindra mijrave shqiptare e dëmtojmë edhe me burokraci. Në Sarandë vinte 2 herë në javë një anije nga Brindisi, por burokracitë tona të tepruara e pezulluan këtë lundrim, tani kjo anije shkon në Vlorë duke i detyruar turistët Italian të bëjnë edhe 3 orë të tjera me autobuza e fugonë për të arritur në Sarandë. Kaq e vështirë është të zgjidhej një burokraci e tillë për hir të turistëve? Po flasim për turistë italian të cilët rrinë në Shqipëri mesatarisht 6.2 ditë, ndryshe nga Kosovarët e Grekët që qëndrojnë 3.8 ditë apo Maqedonsit që rrinë 3.6 ditë. Italianët jo vetëm që qëndrojnë më shumë ditë por janë edhe turistët që harxhojnë më shumë, 92 euro në ditë, ndërsa Kosovarët e Maqedonsit harxhojnë 55 euro në ditë, ndërsa Grekët harxhojnë 78 euro.
E katërta, kontrolli anti informalitet në bregdet duhet të ish më diskret pasi turistët e huaj nuk para pëlqejnë skena të tilla. E fundit por jo nga rëndësia, turizmi në Shqipëri po bëhet një “turizëm në masë dhe shktatrrues” kjo është forma e re e udhëtimeve. Udhëto duke shpenzuar pak dhe vizito shumë e përciptazi. Turistë që nuk kanë shumë interes për historinë dhe territorin vizitojnë qytete si Gjirokastra në më pak se 3 orë. Vlera e shtuar për qytetin nga këta lloj turistësh është shumë e ulët pasi nuk shpenzojnë para për hotelet apo restorantet. Po ashtu duke parë çdo gjë përciptazi nuk stimulon interes te ata që të sugjerojë miqtë e tyre të vizitojnë Shqipërinë në të ardhmen.
Nisur nga çfarë thash më lartë, nëse duam ta bëjmë turizmin një sektor strategjik të së ardhmes, duhet të bëjmë shumë kujdes me shërbimin. Duhet të investojmë më shumë në infrastrukturat publike. Si dhe më tëpër investime në mirmbajtjen e siteve turistike për tu lënë gjeneratave të ardhshme mundësinë për shrytëzimin e këtyre pasurive natyrore, historike e kulturore. Më pak burokraci, si dhe më tepër marketing si nga qeverria qëndrore po ashtu edhe nga ato lokale për të promovuar territorin.
Comments