Nga Pajtim Çaushi
Eftali Hajta (Manthjo) - një grua fisnike e rrallë
Ndonjëherë edhe veprimi i një momenti shpreh shpirtin e individit dhe jo më i një muaji apo i gjithë jetës. Unë e kam njohur një rast të tillë kur e përjetova që në nisje të punës time si mësues. Ndodhi me një vajzë të shkëlqyer minoritare nga fshati Dërmish i Sarandës ardhur nuse në lagjen Pirrot të Konispolit tek i miri Proletar Hajta.
a. Komshi me një nuse "kaure"
Kur u mor vesh se djali i Mero Hajtës do të martohej me një minoritare greke të quajtur Eftali, disa ia bënë të habitur:
- Po ky djali i Meros nuk gjeti dot një vajzë konispolate për nuse, po vajti e u fut tek kaurët e Vurgut?
Por sa e njohën, kuptuan se patën gabuar. Vajza e pakët nga trupi, kishte një zemër e shpirt të madh. E qeshur me të gjithë, respektuese e gojëmbël, e qetë dhe e mencur si askush,
Me nënën tonë Fetaneten krijoi që në krye miqësi e tregoi dashuri të sinqertë. Vinte tek ne në odë e në manxeto si në shtëpi të Nusë e të Meros.
- Djemtë e Bajramit (se Bajrami vetëm gjashtë djem kishte!) janë si vëllezër me Prolon, i përsëriste shpesh vjehri i saj, Merua.
Na donte si vëllezër të vegjël dhe ne e adhuronim si motër pasi motër nuk kishim.
Cifti i ri nuk qëndroi gjatë në lagje, pasi Prolon e transferuan me punë si këpucar në fshatin Krane.
S'di pse largimi i tyre nga lagja na krijoi një bosh e trishtim të thellë në zemër. Mbase nga që ata qenë të dy të shkëlqyer... mbase nga që ne s'qemë mësuar me largime... mbase mendonim se Pirroti e Konispoli ishin gjithë bota...
b. Ndodhia që s'mund ta harroj kurrë
Në vitet shtatëdhjetë, pasi mbarova të lartën për Letërsi, më caktuan me punë në Krane tek Shkolla e mesme e Frutikulturës (pa shkëputje nga puna). Atje punonte edhe Prolua me Eftalinë. I takova me mall të madh. Eftalia ishte brigadiere në sektorin e frutikulturës së NB Vurgut, i shoqi këpucar.
Këshilli i fshatit më caktoi si fjetore ish kishën e Kranesë. Qe koha kur regjimi komunist i kishte prishur instiucionet fetare. Berber Dhimitraqi, një djalë vendas që sapo e kisha njohu, më tha:
- S'eshtë vend për të fjetur ai o mesues, eja në shtëpinë time po deshe.
E falenderova, po s'mund të strehohesha gjatë në familjen e dikujt që sapo e kisha njohur.
Tek baranga në cep të urës së Bistricës takova Prolon. Më pyeti për dhomën që më caktoi Këshilli. Kur dëgjoi vendstrehimin tim, tha prerë:
- Merre dengun me rroba dhe sille në shtëpinë time.
Dhe më tregoi me dorë një baranga dërrasash matanë lumit të Bistricës.
- Pse, atje në barangë rri ti me nusen, Prolo? - pyeta i habitur, por edhe me keqardhje.
Prolua qeshi dhe ia bëri:
- Të ishte e gjitha imja, do hidhja valle gjithë ditën, po vetëm gjysmën më kanë dhënë. Gjysmën tjetër e ka një nga Markati.
- E sa pjesë të ndara ka gjysma tënde?
- Vetëm një të vogël!
- Po si më thua mua të vij atje, kur ju s'keni vend as për vete, o Prolo Hajta?
- A jemi vëllezër?... Vëllezër i nxë edhe një cak kecash, jo më gjysma e barangës!
Më zuri për krahu dhe më shpuri tek baranga anës Bistricës.
c. Njeriu për njeriun duhet të jetë NJERI
Kur erdhi Eftalia, m'u hodh në qafë.
Sa e dashur ishte ajo grua!...
Sa e sinqertë!...
Sa njerëzore!...
- Derisa të gjesh një dhomë për të qënë, do flesh këtu ku rri vëllai yt dhe unë, tha prerë, ndonëse me buzëqeshje.
Unë kundërshtova, por Eftalia përsëriti edhe me me ton:
- Nuk do,lëvizësh këtej, kjo ka marrë fund!... Nuk na sjell asnjë shtrëngesë. Ja, unë do fle në tokë, Prolua dhe ti në krevat.
Rishtas desha të kundërshtoj, por nusja "kaure" nuk më la të flisja:
- Pusho se je më i vogël... Njeriu për njeriun duhet të jetë vetëm njeri, o vëlla!
Më mbajtën tek ajo gjysmë barange e vogël për rreth një muaj.
Asnjëherë nuk dëgjova ankese nga goja e saj...
Asnjëherë ulje sysh...
Asnjëherë nervozizëm!...
Vendi ishte i vogël, por Eftalia dhe Prolua qenë njerëz me zemër të madhe...
Prolo Hajta - portret i shkurtër i një Njeriu të dashur dy portrete sikur një
Emrin e plotë e kishte Proletar dhe mbiemrin Hajta. Të gjithë i flisnin shkurt Prolo.
Ishte i pari fëmijë i prindërve Mero e Sabo.
I ati këpucar në Konisplol, ndërsa e ëma shtëpiake e patundur nga kërcënimet e prerjes së racionit të bukës.
Se që ta dinë mirë brezat e sotëm në kohën e kooperativës bujqësore, nëse nuk dilje në punë, të prisnin racionin e pakët të bukës së misrit. Megjithë presionin që i bënë Nuja (kështu e thirrnin të gjithë) s'doli që doli tej kopshtit e arës së saj.
Prolua u rrit arave e sokakëve të lagjes Pirrat si një djalë i shëndetshëm. Fiziku i tij ishte për t'u patur zili. Që fëmijë ai merrej me futboll.
A e dinë brezat e sotëm të Konispolit kush ka qënë portieri i ekipit KUFITARI të futbollit në fund të viteve 50' dhe në fillim të viteve '60?... Nëse jo, le ta mësojnë se në këtë rol të skuadrës ka luajtur mjeshtërisht djali i qetë, i bukur, i talentuar Proletar Hajta. Për natyrën e tij flegmatike të gjithë e donin dhe e respektonin.
Ne, më të vegjëlit e kohës, e shihnim me adhurim Prolon, por edhe ai na dilte për zot në sherret që mund të bënim me të tjerët si fëmijë që qemë.
Sapo mbaroi klasën e shtatë, arsimi i detyruar për kohën, Merua e mori pas vetes dhe i mësoi zanatin e këpucarit. Prolua si i zellshëm që ishte u bë mjeshtër jo vetëm për riparimin e këpucëve, por edhe për të bërë këpucë të reja. Shokët e të atit ia bënin me admirim:
- Këtë sikur e ke nxjerrë me gjilpërë e amon në dorë o Mero Hajta!
Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kreu në bateritë kundërajrore të Karaburunit. U lirua pas tri vjetësh me vlerësime pozitive maksimale prej eprorëve.
Pas kësaj punoi si këpucar në Dërmish ku edhe gjeti shoqen e jetës, Eftalinë, një vajzë me zemrën flori. (për Eftalinë kam detyrimin që më vonë të shkruaj një portret të saj). Punën e zanatit e vijoi më tej në Krane, Stiar dhe Delvinë.
Në fillim të viteve '90 emigroi si familje në Greqi. Kur u kthye prej andej në vitin 2008, thoshte me keqardhe e nënqeshje domethënëse:
- Kurbetit nuk ia pamë hajrin... kot e lashë zanatin!...
Vitet më të vështira të jetës së tij u bënë ata kur e la Eftalia. Portretin e saj në një fotografi të madhe e mbajti tek dhoma e gjumit deri sa na la vjet më 2021.
Vdiq i vënë poshtë prej dy virusëve: atij të coronës dhe virusit të tmerrshëm të vetmisë.
Ishte njeri i rrallë Proletar Hajta nga lagja jonë e Pirratit të qytetit të Konispolit.
Comments