Nga Gladiola Jorbus
Në këtë epokë dixhitale, ku frymojmë nën trysninë e sprovave të pambarimta, njerëzit shpeshherë nuk po gjejnë më kohë të shohin thellë brenda vetes.
Po jetojmë në një botë që “lëviz shpejt", ndërsa informacioni brenda saj, lëviz akoma më shpejt.
Kujtesa jonë ka rënë pre e një imuniteti të brishtë, sepse ne marrim aq shumë informacione, saqë harrojmë lehtësisht ngjarjet dhe risitë e djeshme, duke i zëvendësuar me të sotmet që pretendojnë të rrëmbejnë vëmendjen tonë. Kështu, shpejtësia e informacionit bën që lajmi i mëngjesit të shndërrohet në histori, para se të zbresë mbrëmja.
Shoqëria bashkëkohore synon të harrojë kuptimin autentik të fjalës mit, në kundërshtim total me tezën se mitet përforcojnë vlerat tona morale dhe kanë rëndësi vendimtare në formimin qytetar. Miti është një produkt shoqëror i cili pasurohet në kohë dhe ripërmasohet, pa e humbur strukturën origjinale.
Në shoqërinë e sotme, miti shërben si një model për të justifikuar sjelljen njerëzore, prandaj ne mund t'i konsiderojmë mitet, si ide që orientojnë mendimin dhe sjelljen sociale, drejt shpjegimit të qartë të realitetit.
Mitologjia greke rrëfen, se në një kohë të largët sa nuk mbahet mend, perënditë e pavdekshme jetonin në malin Olimp; teksa në tokë qëndronin qeniet mjerane e të vdekshme: njerëzit, së bashku me bimët dhe kafshët. Perënditë ishin të kënaqur me jetën e tyre atje lart, kurse njerëzit mbijetonin këtu poshtë.
Një ditë, Zeusi vendosi të shpërndajë disa dhurata apo virtyte për speciet e ndryshme të tokës dhe këtë detyrë, ua ngarkoi dy vëllezërve të oborrit të tij: Prometeut dhe Epimeteut. Ky i fundit pa marrë në shqyrtim mendimin e vëllait të vet, nisi nga zbatimi i detyrës. Luanit i dha guximin, kalit shpejtësinë, dhelprës zgjuarsinë, etj. Kur mbaroi me të gjitha dhuratat që Zeusi i kishte dhënë për qeniet e tokës, u kthye i lumtur në shtëpi dhe i tregoi Prometeut se sa mirë e kishte kryer punën. Ndërkohë që po bisedonin, vëllezërit u ndërgjegjësuan për një fakt të rëndësishëm: Epimeteu nuk i kishte dhënë asgjë njeriut. Për më tepër, ata nuk kishin më asnjë dhuratë për të shpërndarë ...
Lindi pyetja: ç’ mund të bënin ata të dy? Regjimi despotik i Zeusit ishte i pajustifikueshëm për Prometeun, i cili ndjente dhembshuri të madhe për njerëzit, ndaj vodhi një shkëndijë zjarri nga karroca e artë e Heliosit (Diellit), ndezi me të një pishtar dhe ua dorëzoi atyre. Për këtë arsye, këta të fundit, pa qenë nevoja të jenë të shpejtë apo të fortë si kafshët e tjera, mundën të "dominonin" natyrën, pasi njohën shkencën dhe teknologjinë.
Zeusi i zemëruar, për t’u hakmarrë ndaj Prometeut e dënoi këtë të fundit, duke e lidhur pas një shkëmbi në Kaukaz dhe dërgoi një shqiponjë t’i hante mëlçinë. Tragjedia më e madhe ishte fakti se Prometeu duke qenë gjysmëtitan e gjysmëperëndi, vetvetiu ishte i pavdekshëm, dhe mëlçia e tij ripërtërihej çdo ditë, ndaj shqiponja rikthehej që të ushqehej, sërish me të. (Nga pikëpamja anatomike, mëlçia është organ i brendshëm i njeriut, me ngjyrë të kuqe të mbyllët, që gjendet në anën e djathtë të pjesës së sipërme të hapësirës së barkut, nën diafragmë dhe që kryen funksione të rëndësishme për formimin e gjakut, për prodhimin e lëngut të tëmblit etj. Ndërkohë në Greqinë e Lashtë, mëlçia mendohej se ishte vendi ku pulsonin emocionet njerëzore ).
Në këtë mënyrë, Prometeu me sakrificën e tij sublime, u bë mbrojtësi i madh i njeriut para perëndive, të cilët i quan një grup libertinësh (persona të caktuar, në veçanti burra, të dhënë pas kënaqësive sensuale, pa marrë në konsideratë parimet morale), më të shqetësuar për mirëqenien e vet personale dhe për argëtime, se sa për të zhvilluar një bashkëjetesë paqësore e të drejtë.
Nga ana tjetër, njeriu numëron dy cilësi të rëndësishme: inteligjencën dhe aftësinë për të krijuar struktura të reja rreth tij. Ne kemi meritën e jashtëzakonshme të përshtatjes së natyrës me nevojat tona. Qenia njerëzore, në sajë të përpjekjeve dhe të punës ka bërë përparime të mëdha, që do të thotë se në shumë raste, ajo mund të modifikojë natyrën dhe të përmirësojë kushtet e jetesës.
Prometeu na dha vetëm një mjet, sepse përpjekjet e pareshtura kanë qenë përbashkësi e të gjithë njerëzimit. Falë punës dhe vendosmërisë, qeniet njerëzore kanë shenjuar nivele të kënaqshme të mirëqenies anembanë botës.
Me zhvillimin e shkencës ne jemi bërë gjithnjë e më praktikë, por shumë herë ky pragmatizëm ka qenë në dëm të humanizmit tonë. Duket sikur jemi shndërruar në skllevër të objekteve materiale dhe arritjeve të njëpasnjëshmë. Në botën tonë perpetuum mobile, arritja e një qëllimi është vetëm pika e fillimit për të përqafuar qëllimin tjetër. Ky përcaktim na klasifikon si "qenie të pakënaqura", që gjithmonë duam të shkojmë më tej, duke i shndërruar arritjet tona në trampolina, për të vazhduar të pangopur drejt majave.
Ndaj është e rëndësishme, të ndalemi një çast që të reflektojmë dhe të kënaqemi me ato që na përkasin apo që kemi arritur. Përndryshe do të shëmbëllenim si disa Sizifë fatkeqë, që çdo ditë shtyjmë gurin e radhës për ta ngjitur në mal dhe pas rënies së tij fatale, e gjejmë veten duke e rifilluar ngjitjen, nga e para; duke jetuar një jetë monotone, pa shijuar asgjë…
Ne duhet të mësojmë nga Prometeu, pasi ai rrezikoi për ardhmërinë e njeriut, duke u armiqësuar me kryeperëndinë olimpike, Zeusin shungullues. Në pamje të parë, duket sikur perëndia-titan pësoi një disfatë të tmerrshme, pasi u dënua në përjetësi, por fatmirësisht, ai u çlirua nga Herakliu grek apo Herkuli romak.
Figura e Prometeut nuk u shpall humbëse, sepse emri i tij është skalitur me gërma të arta në historinë e njerëzimit, duke u përkujtuar si simbol i vetësakrifikimit, i pathyeshmërisë, i përparimit, i durimit dhe i ndriçimit të mendjes njerëzore. Sot e gjithë ditën, statuja e tij, me peshë tetë tonëshe, e praruar në bronz dhe e krijuar nga Paul Manship në 1934, ngrihet në Rockefeller Center’s Lower Plaza, në Nju Jork duke i risjellë vazhdimisht në kujtesë njerëzimit modern, mitin antik dhe heroin kulturor e sfidues të të gjitha kohërave.
Emri Promete personifikon një qenie të guximshme dhe të rrallë. Duke iu referuar modelit të tij, njësoj si titani mitologjik, ndoshta edhe ne duhet të tregohemi më të patrembur, joegoistë dhe të ndërmarrim rrezikun për të mbrojtur parimet e vlerat tona, si dhe për të ndihmuar ata që ndodhen në pozita inferiore e të pafavorshme.
Duke iu referuar Isaac Asimov, shkrimtar amerikan dhe profesor i biokimisë mund të deduktohet se: “Çdo përparim teknologjik mund të jetë i rrezikshëm. Zjarri ishte i rrezikshëm që në fillim, po kështu (edhe më shumë) ishte fjalimi - të dy janë ende të rrezikshëm në ditët e sotme, por qeniet njerëzore nuk do të ishin njerëzore pa to ".
Opmerkingen