top of page
Search

Promovim i tre librave të autores së njohur Gladiola Jorbus




Një takim për promovimin e tri librave të autores Gladiola Busulla Jorbus, që mblodhi njerëzit e kulturës dhe të apasionuarit e librit në Durrës, ishte padyshim ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të nëntorit në qytetin bregdetar.


Takimi që iu kushtua autores durrsake për përurimin e 3 librave

“Namatisje-Refleksione”,

novelës “Shtëpia e mjegullës” dhe vëllimit me poezi “Gjurmë në ishullin e dritës”, u bë në sajë të një organizimi të shkëlqyer nga Bibilioteka Publike Durrës pasditen e 20 nëntorit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës mbi Fëmijët; si dhe në kuadër të 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.


Përzgjedhja e autores Gladiola Busulla nuk ishte e rastësishme, thjesht pse ajo është një përfaqësuese e penës femërore, por sepse pikërisht me penë ajo ka shkruar dhe ka mbrojtur të drejtat e gruas duke e vendosur atë në qendër të krijimtarisë së saj.


Aktiviteti u mbajt në një atmosferë të ngrohtë në ambientet e Muzeut Arkeologjik me miq të autores e të librit, stafi i Bibliotekës Publike të Durrrësit, që u shoqërua nga një program artistik me nota muzikale të luajtur nga instrumentistë të ndryshëm.


Në takim ishte po ashtu i pranishëm edhe nënkryetari i bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, që mbajti një fjalë përshëndetëse për autoren dhe librin e saj, ish-drejtoresha e Bibliotekës Flora Dervishi, gazetarja Vali Qyrfyçi, si dhe përshëndetën dhe recituan nxënësit e shkollës “Migjeni”.


“Është një ndjenjë unike të jesh e rrethuar nga dashamirësit e librit, nga bashkëqytetarët, nga bashkudhetarët në këtë rrugëtim”, thotë Gladiola Busulla për “DurrësLajm”. “Promovova tri libra të publikuar në Suedi. Dy të fundit të shkruar kur isha Scholarship holder atje dhe u riktheva për të përuruar libra në qytetin e lindjes në ambientet e mrekullueshme të Muzeut Arkeologjik. Një takim si autore me lexues të librave të mi. Falënderimet e mia shkojnë për drejtoreshën e Bibliotekës Mirela Yllin, Teuta Dhimën, Enton Bidon, Alban Ramohitajn. Falënderoj shumë edhe nënkryetarin e bashkisë Florian Tahirin, Blerina Xhakollin (prof i asociuar), doktor Nikolla Jorgoni për vështrimin kritik që iu bënë librave të mi”, shprehet më tej ajo.

Ndërsa bibliografja Teuta Dhima, gjatë fjalës së saj në aktivitet mbi vëllimin poetik, u shpreh ndër të tjera se: “Vargjet në poezitë e vëllimit poetik “Gjurmë në ishullin e dritës” përgjithësisht janë të lira, por ato janë të sjella bukur duke bërë që poezia e Goadiolës të sjellë vetë eksperiencë dhe të jetë e afërt me lexuesin, duke mos pasur hermetizma të kota.


Poezia e Gladiolës prek në plagën e shpirtit, bëhet helm për të. Është tipike për autorët që t’i kushtojnë njerëzve më të dashur vargje”. Të tre librat që u përuruan kanë diçka të përbashkët: vendlindjen e tyre.

Të tre janë botuar në Suedi, nga redaksia e revistës “Dituria”. “Namatisja” - libri fluturak i Gladiolës, i ngjizur në Shqipëri dhe botuar në Boros të Suedisë, është përuruar fillimisht më 1 nëntor 2018 në Shkup të Maqedonisë, në “Javën e letërsisë suedeze”, ku u organizua orë poetike suedezo-shqiptare me poetë suedezë dhe shqiptarë nga Suedia dhe Shkupi. Një muaj më vonë, u bë prezantimi edhe në Goterborg të Suedisë.


Autorja Gladiola Busulla Jorbus është vlerësuar gjatë karrierës së saj me një certifikatë vlerësimi nga Biblioteka e Strömstad Suedi; ka fituar çmimin e dytë të Festivalit të Poezisë në Borås. Gjithashtu ka marrë dhe çmimin Mësuesi më i mirë i vitit 2012-2013, për zhvillimin e aktiviteteve në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Mbetet për t'u theksuar që redaktor I librit është albanologu Ullmar Qvick


Burimi: Durres lajm





Comments


bottom of page