top of page
Search

PROMOVIMI I NJË LIBRI DHE MESAZHI I NJË POETEJE TË RE


Nga Agron MEMA


Lidhja e Shkrimtarve dhe Krijuesve Jonianë të Sarandës i ka bërë një jehonë botimit të vëllimit poetik të poetes së re 17 vjeçare, Griselda Veli duke organizuar dy takime promovuese, në qytetin e Konispolit me bashkëmoshatarët e saj nxënës të gjimnazit “Bido Sejko” dhe tjetri në Sarandë me anëtarët e Klubit të Krijuesve Jonianë.


Griselda Veli

Në Konispol Griselda ka marrë vlerësimet e bashkëmoshatarve të saj, miq të letërsisë duke nënvizuar se në krijimtarinë e Griseldës gjejnë veten e tyre, përjetimet e moshës, ëndrrat dhe perspektivat e së arthmes në projektet e zemrës rinore.

Takimi me shkrimtarët dhe poetët Sarandjot është hapur me fjalën e kryetarit të Klubit Krijues, shkrimtari dhe poeti Pajtim Çaushi i cili ka vënë në dukje qasjen e krijimtarisë së Griseldës, prurjen poetike në estetikë dhe shpresën se po troket në portën e shtëpisë së madhe të poezisë një poete me pretendime që jemi të bindur se do ti realizoj.


Edhe autor të tjerë sarandjot kanë nënvizuar vlerat dhe prurjen e krijimtarisë së poetes së re Griselda Veli si Spiro Thoma, Agim Nelaj, Koço Vogli, Eduart Veli, mësues dhe bashkënxënës të Griseldës.Griselga Veli është zëri më i ri poetik që vjen mes krijuesve të Sarandës. Ajo ka nxjerrë nga shtëpia botuese librin e saj të parë me poezi “Perëndim në trishtim”.


Griselda është nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit të Livadhjasë të bashkisë Finiq, por ajo vjen nga fshati Shalës i Konispolit. Rruga për në shkollë i kalon mes lumit të Bogazit, rrepeve që fëshfërijnë mbi valët e lumit, shpërthimi pranveror, ngricat dimërore, freskia e verës dhe më shumë verdhësia e vjeshtës, nuk kanë si të mos ngacmojnë ndjenjat vajzërore të Griseldës dhe këto ndjenja të kthehen në vargje për ta shpërndarë të bukurën tek të gjithë.


Ajo vet është një bisk në shpërthim, vet është një poezi, ndaj në krijimet e saj poetike sjell frymën dhe aromën e moshës. Por përtej romantizmit që karakterizon vështrimin e botës me syrin e të bukurës dhe ëndrrës, vijnë dhe nuanca filozofike dhe qëndrime kritike për shumë fenomene negative që shoqëria e sotme shqiptare has në realitetin shqiptar. Kjo tregon se kemi një autore, ndonse në moshë 17 vjeçare, me një qëndrim të përgjegjshëm ndaj kësaj panorame vrastare të besimit. Autorja kalon nga ëndrra në meditim dhe ndjenjat e frymëzimi pushtohen nga një përjetim i trisht, çka e hermetizon në titull, kopertinë dhe brendinë e ideve që përcjell në poezi. Ky përjetim vjen poetikisht nëpërmjet metaforës dhe figuracionit që e përdor me kursim si një nikoqire çame. Sjell anën e një panorame të zymtë e shpresëhumbur, ku nuk dëgjon gjë tjetër veç këmbanave vajtuese të braktisjes dhe shpresës së vrarë. Pa dyshim që ajo që është karakteristikë e kësaj moshe, dashuria e çiltër me aventura çapkëne në sinqeritetin e botkuptimit ndjesor, vjen në vargjet e poetes me gjithë bujarinë e shpirtit dhe shpërthimin e vargut plotë muzikalitet që të ftojnë të dëgjosh me qetësi tingujt e tyre dhe të shijosh ëmbëlsinë që ato përcjellin tek ty, sepse janë shkruar me gjithë forcën e shpirtit për ty si lexues dhe si qytetar i kësaj shoqërie. Por në vargjet e Griseldës ka edhe një apel, ka një shpërthim të dukshëm e të zëshëm që ky realitet shqiptar duhet ndryshuar. Duhet ndryshuar që rinia të ketë perspektiva të hapura e të garantuara në vendin e tyre. Duhet të përmbyset që nga shpirti i rinisë dhe i poetve të vritet trishtimi, zhgënjimi, shpirtligësia, pabesia dhe të zgjohet ëndrra dhe e bukura, shpresa dhe kënga të marrë formën e saj të gëzueshme në jetë.


Në kënvështrimin e poetes shpresa ndaj të arthmes dhe ajo që jeton sot, i ngjanë një muzgu të hirtë pa perëndime të zjarrta e të përflakura , pa një pikëmbështetje dhe një pikëmbritjeje. Këtu vritet ëndrra dhe jeta zhytet në terrin që vjen pas muzgut, pa pasur kurrë një mëngjes të qartë e të paqtë. Vargjet e Griseldës harmonizojnë mes tyre mendimin dhe ndjenjën, hermetizojnë brenda tyre të bukurën duke sjellur edhe shijet estetike. Këndvështrimi i saj ka kapur edhe pjesën e padukshme të këtij realiteti që rri e ndrydhur në botën shpirtërore brenda trupit të njeriut. Në fund të fundit ky është edhe misioni i poetit, që sonda e tij poetike të depërtojë në thellësitë e shpirtit për të gjetur thesaret e fshehura brenda tij. Vet Griselda ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe diskutantët me fjalë që dilnin nga shpirti plot sinqeritet që vet kjo moshë ka dhe përcjell tek të pranishmit. Fjala e saj arriti në një postulat mesazhi të fuqishëm duke nënvizuar se përfiton nga ky rast tu bëj thirrje bashkëmoshtarve të saj të heqin dorë nga interneti dhe ti kthehen leximit të letërsisë artistike, leximit të librit në tërësi pasi është një shok që nuk të zhgënjen, por të rri besnik gjithë jetën dhe ta shpërblen mundin deri në pikën e fundit të djersës.


Vetëm duke lexuar do të mundemi të jemi dikush, do të mundemi ta kuptojmë botën që na rrethon realisht, nuk do të zhgënjehemi kurrrë, do të mësojmë se si të përballojmë e të dalim fitues me sfidat e jetës, vetëm duke lexuar mund t’ia dalim sukseshëm jetës dhe të realizojmë synimet tona në jetë për të bërë të dobishëm për shoqërinë duke i shërbyer me standartet që ajo kërkon nga neve si brez i ri që do të marrim stafetën e drejtimit të jetës. Ky mesazh është përcjellur me duartrokitje dhe entuziazëm.

Fjalët falenderuese nuk kanë munguar dhe janë shoqëruar edhe mu dhurimin e librit nga ana e autores . I ati, Blerimi, lumturinë e kësaj dite emocionale nuk e fshihte dot dhe kjo ka një ligjësi prindërore kur sheh tek fëmija yt suksesin e tij dhe se mundi dhe sakrifica nuk të ikin kot.

Sytë e tij qeshin dhe lëngëzohen nga gëzimi që buron pashtershëm nga zemra e tij si baba pa fshehur edhe krenarinë për vajzën e tij që po ngjit shkallët e suksesit , ndonëse në moshë të re.

Ai i fton të gjithë në një banket që nuk i dihet fundi, por si ç’do gjë ka një fund ku ndahemi me urimin ndaj Griseldës dhe vet Blerimit.

Aty vjen dhe avokati Gjergj Imeri i cili gostit poeten dhe ajo shkon në librari dhe blen dy libra me lekët e dhuriara , një mesazh tjetër i fuqishëm i saj se librin duhet ta duam dhe leximin ta kemi frymë gjithë jetën. Kjo është Griselda Veli, poetja e re, që ecën me hapa të sigurt duke dhënë fuqishëm sinjalet e një zëri poetik premtues në rrugëtimin e gjatë e të vështirë të krijimit. Duke qënur besimplotë tek rritja e saj artistike i urojmë suksese.





Commenti


bottom of page