PRURJE RISIKE ME FASNITJE ARDHMËRIE
(Përsiatje rreth romanit “Hija e vetes” të shkrimtarit Pajtim ÇAUSHI)
Roman krejt ndryshe, tej barazisë, ngaqë i ngjashëm me të tjerët s’është, pra jo i njëjtë. Si mos i njëjtë, me mëvetësinë elitare vërteton inekzistencën në zbrazëti. Këtillësi qëndron larg vitrinave dhe jashtësisë ofensive të mediokritetit.
Me përqëndrimin e leximit dëgjon koncertin e meditimeve të barasvlefshëm me thellësinë vibruese dhe sipëroren që lodron në hapsira spirituale. Eksplorues i brendësisë së botës fëminore në rritje për afirmimin vozitës kundër skematizmit.
Një gjuhë me leksikun e përzgjedhur e stolisur para pasqyrës për të shkuar në festën e lirisë që të miserdh terrin e kthyer nga internimi i djeshëm. Ndjeshmëria impulsive përplot psikologji seksuale drithëron shumësinë e saj për befasimin e optikës tonë që idhulli hipokrit i sotshmërisë të bëhet fantazmë.
Shkrimsim i dlirë edhe pse mugëtirë, lë gjurmë në nivele të bardhë. Bukuria e një agullimi risik është streha e tij me dritare të hapura.
‘‘Hija e Vetes’’ si fantazi është liria e mendjes dhe si e tillë liria e realitetit me të vërteta sipër mbulesave publike.
Për vijimin le të hymë në faqet e këtij libri të mrekullueshëm ku gëlon një galeri protagonistësh si paragjyshja Bejo, nana Fete, babi Fani, nëna Vito, Roni, edukatorja dhe më tej njerkë Ardita që priren nga vogëlushja Dea Dalani. Dea, personazhi qëndror i romanit, Një njomësi në lulëzim e shpirtit dhe kurmit njerëzor.
‘‘Janë që shfaqen... ’’ do të pohoja me zanafillën aromatike të veprës në fjalë dhe për më shumë në çastet kur zemra trandet nga kulme frike apo çaste gëzimi kuptojmë që janë.
"... Zvarriten këmba - doras stepave të kujtesës si gjymtyrët e shkëputur prej skeletit të shkërmoqur. Pasi vërtititen shtresave të trurit, bien në shtrojën gri të nënvetes. Atje qëndrojnë tulatur të shpërndara si guralecët e mozaikëve antikë...
Gjendem pranë asgjësë. Rrotull vërtiten fjalë terri. Më ngjajnë me lakuriqë nate të trembur prej xixëllonjave të honeve. Janë ikanaket e arratisura nga grehina e mendores...
Dhe përfundimi që këlthet:
‘‘Asgjëja pushtoi trurin tim të mpirë...’’.
Më duhet të theksoj se ‘‘Hija e Vetes’’ si një rrallësi e veçantë artistike gjeneron parreshtur begati meditimesh. Është talenti aktiv i krijuesit që e administron gjuhën dhe i jep formën e dëshiruar. Kështu i gëzohemi fjalës njerëzore jo si diçka të qetë e statike, por si pjesë gjallëruese të tendosur deri në skajshmëri.
Titulli ‘‘Hija e Vetes’’ si pagëzim shpjegon:
Çdo njeri mbi dhe ndiqet nga hija e tij:
"Është si imja dhe s’është si imja, po për të qënë është... Hija nuk i ndahet trupit..."
Brenda faqeve të këtij libri fëmijët në zhvillim qëmtojnë besimin si zbulesë reflektuese të botës në përpjekje për krijimin e saj. Një botë ku përvoja dhe njohja nuk dhurohen, por përvetsohen me anë të kërshërisë, këtu erotika është mësuese me përvojë gnostike dhe jo sensibilitet i shpërlarë. Është vetë jeta intime që rrugëton drejt të nesërmes...
Për një mbyllje të çelët do të dëshiroja të shtoja:
Mbase edhe ‘‘Në humnerat e asgjësë’’.
Edhe diçka për ndryshimin:
‘‘Hija e Vetes’’ këtë prurje risike me fanitje ardhmërie. E rilexova edhe si pnevmatikë që lind vrenjtësira për fshehjen e kënaqësive lakuriqe në plotërimin e aktit të mëkatit të bardhë. Pak më tej në kohë publike projekti teatror i ndershmërisë ëndërron pragmatizmin për dukjen e veshur. Mëkati ëndërron vyrtitin me një subjekt të çiltër, ndërsa neveria për moralin e pamoralshëm reklamon të kuqen e turpit në përgjërim...
Përsiatjet e mia për këtë libër, sa befasues dhe po kaq i çmuar për lëçitësit vetmitarë të bashkohësisë, le të mbeten përherë cigane!...
Besoj se pritja e lexuesit do të jetë më e ëmbël nga ardhja...
NGA: ALUSH AVDULI
shkrimtar - studiues
Comments