Nga Rezearta Caushaj
Të hënën përfundoi faza e parë e një prej projekteve sociale më ambicioze që shoqëria civile ka ndërmarr vitet e fundit. Bëhet fjalë për projektin “Advokim, studim, monitorim i politikave/buxhetit të Bashkisë së Tiranës në lidhje me strehimin social (bonus qeraje/kredi të buta) për gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdher mbrojtje”, mbështetur nga projekti Lëviz Albania, që financohet nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Qëllimi ishte t’i vihej në ndihmë kategorisë së grave të vetme në nevojë për strehim, duke studiuar të gjithë problemet që mbart Ligji mbi Strehimin, por edhe ato të krijuara përgjatë zbatiit të tij në praktikë.
Them shoqëria civile, megjithëse në zemër të tij qëndron një grup i vogël grash profesioniste të fushave të ndryshe, të cilat qysh prej fillimit janë udhëhequr nga aktivistja Ina Kasimati. Kjo e fundit është nënë e vetme dhe prej 20 vjetësh nuk ka mundur të sigurojë strehim, pasi familja e saj rezulton pronare e një cope toke të pashfrytëzuar, nga e cila ajo nuk përfiton asgje.
Këtë nuk e përmendi në fjalën e saj në aktivitetin përmbyllës dhe as në dokumentarin e realizuar në kuadër të projektit, por ma tha miqësisht, me një gjysmëbuzëqeshje, pasi më shprehu paradoksin e punës së saj: ajo kërkon të garantohet strehimi për këto gra paçka se është në nevojë për strehom për vete prej dekadash.
Ina nuk e fsheh shqetësimin që e ndjek për ecurinë e projektit, kur I them me plotë bindje se Lëvizja për Strehim duhet të vazhdojë. Ndodh me të gjithë personat që ndërmarrin një angazhim publik dhe ndihen përgjegjës për çdo potencial për sukses e çdo dështim të mundshëm.
Por, vendi e veçanërsiht Tirana si shembull për bashkitë e tjera, ka nevojë për lëvizjen për strehim.
Brenda një kohe të shkurtër, Ina ka arritur të ndihmojë dhjetra gra me aplikimin për strehimin, qindra të tjera duke i informuar për një të drejtë që nuk e dijnë se e kanë.
Ajo ka siguruar ekspertizë nga Klinika Ligjore për disa raste të keqinterpretimit të ligjit nga organet ligjzbatuese lokale, të cilat janë referuar, duke kërkuar zbatimin korrekt të proçedurave të aplikimit.
Lëvizja për Strehim ka prodhuar një studim të mirëfilltë mbi efikasitetin e politikave të strehimit në bashkinë Tiranë, një minierë informacioni që mund të shfrytëzohet në çdo kohë për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për të pastrehët.
Bashkia e Tiranës pati mundësi të njihej me problemin e mungesës së informacionit që jo vetëm gratë e vetme, por edhe publiku i gjerë, ka në lidhje me të drejtat dhe proçedurat për të përfituar strehim. Po ashtu u njoh edhe me proçedurat ekstraligjore që u imponohen nga njësi të ndryshme administrative, të cilat ato I vuajnë në mungesë të informacionit.
Në vijim bashkia ka pranuar rekomandimin e Lëvizjes për Strehim për të vendosur pranë njësive administrative stenda informuese në lidhje me programet e strehimit.
Në aktivitetin përmbyllës ishin të ftuar edhe dy përfaqësues të bashkisë, të përfshirë në çështjet e strehimit, të cilët konfirmuan se pas njohjes me raportin monitorues të projektit, Bashkia Tiranë ka vendosur që aplikimi për strehim do të bëhet online pranë eAlbanias dhe ai do të shyrtohet pranë njësisë përatëse administrative.
Një nga sfidat që mbetet e hapur ende lidhet me uljen e kostove të aplikimit, sigurimin e funksionimit të sistemit të pronarëve social dhe eleminimin e kritereve të tepërta, të cilat përmes pengesave fiktive kushtëzojnë përfitimin e strehimit për shumë gra të divorcuara/nëna të vetme/me urdhër mbrojtje.
Por, Lëvizja për Strehim sapo ka gërvishtur vetëm sipërfaqjen e problemit të strehimit që shoqëron gratë e divorcuara/prind I vetëm/ me urdhër mbrojtje. Projekti ka treguar se nevoja për strehim fsheh probleme më të thella sociale e ekonomike, ndaj edhe, duke i dhënë zgjidhje këtij problem, do t’u jepet rrugë një sërë plagëve të tjera, si dhuna në familje e përkujdesi i duhur ndaj fëmijëve.
Ku shkojmë prej këtej?
Advokimi në lidhje me të drejtën për strehim të grave me urdhër mbrojtje ka evidentuar probleme edhe në mekanizmin trajtues të viktimave të dhunës në Bashkinë Tiranë.
Normalisht, strukturat vendore informohen nga policia për viktimat e dhunës që kanë siguruar urdhër mbrojtje, përmes koordinatorëve social që funksionojnë pranë tyre. Prej këtej viktimat duhet të trajtohen me një paketë të dedikuar që përfshin edhe psikologun, sociologun, strehimin e përkohshëm në strehëzat, si dhe një ndihmë minimale financiare që përftohet automatikisht. Por, në fakt, kemi mësuar se qasja e institucioneve lokale është fare pasive, pasi ato mbështesin një numër të papërfillshëm grash, duke qënë se presin që viktimat të shkojnë pranë institucionit. Por, këto të fundit përveç problemeve, vuajnë edhe nga mungesa e informacionit mbi mbështetjen që u takon me ligj.
Më pas ato shkojnë nëpër të gjitha vështirësitë që kemi dokumentuar për të përfituar të drejtën për strehim, ndërkohë që dy strehëzat që kanë detyrë t’i ofrojnë një çati të përkohëshme, nuk kanë kapacitete dhe kushte bazë për ato e fëmijët e tyre.
Prandaj, Lëvizja për Strehim ka kërkuar nga Bashkia Tiranë një qasje më proaktive në trajtimin e viktimave të dhunës.
“Aktivistet e lëvizjes sonë po advokojnë dhe këmëngulin që ky shërbim social për strehim, mbështetje për punësim, këshillim dhe mbrojtje psikologjik, ligjore, zhvillim profesional, kujdes për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve të jetë një realitet i prekshëm dhe funksional nga të gjitha gratë dhe familjet e tyre,” shkruan Kasimati në rrjetin social Facebook.
Po ashtu ka kërkuar jo vetëm rritje të buxhetit të bashkisë dedikuar strehimit të grave të divorcuara/nëna të vetme/me urdhër mbrojtje, por edhe një transparencë më të madhe në lidhje me shpërndarjen e tij. Aktualisht, vetëm 1% e buxhetit të përgithshëm të bashkisë i është rezervuar strehimit, por aty përfshihen të gjitha programet e strehimit, përfshi edhe programin e rindërtimit.
Parë në këtë aspekt, angazhimi i ardhëshëm i i për Strehim do të qëndrojë tek trinomi informim-mbështetje-monitorim.
Informim më i zgjeruar i kategorisë që përbën focus-grupin e projektit mbi mundësinë e strehimit dhe procesin e aplikimit, por edheinformimin e institucioneve vendore mbi problematikat; sigurimi i mbështetjes së plotë sociale nga Bashkia dhe advokim për krijimin e një mekanizmi monitorues brenda bashkisë për zbatimin e vazhdueshëm të ligjit mbi strehimin.
Suksesi i Lëvizjes për Strehim mund të jetë suksesi i mbylljes së hendekut të madh mes kërkesave reale të shtresave në nevojë dhe asaj çfarë ofrojnë programet sociale në vend, të cilat mbeten peng i vullnetit të dobët për t’i zbatuar në plotësinë e tyre dhe e pamundësisë për t’i korrigjuar.
Për të gjitha këto arsye LËVIZJA PËR STREHIM NA DUHET!
Comments