top of page
Search

Pse opozita nuk kërkon ndryshim sistemi zgjedhor? Nga Tanush Çaushi


Ka nisur përsëri "tallavaja mediatike" dhe sevdaja e shkeljes së syrit për reformën zgjedhore.

Ilaçi për opozitën, duket se është qeveria kujdestare , depolitizimi i numëruesve dhe transparenca e financimit. Vetëm kaq kërkon opozita?

Ndryshimi i Sistemit zgjedhor duket se nuk do kërkohet këtë radhë?!

Dhe në këtë pikë " armiqtë e mëdhenj" janë gati të bien dakort. Për këtë ka konsensus të plotë çuditërisht.

Po përse nuk i intereson opozitës ndryshimi i sistemit zgjedhor? Përgjigjja është e thjeshtë:

- Monikës dhe Lulit nuk i intereson të kenë nëpër këmbë figurat që dalin nga shoqëria civile dhe nga shoqëria në përgjithësi.

- Kështu kur të vijnë në pushtet mos t'u " ngecë sharra në gozhdë" nga ndonjë personalitet që mund të shfaqet dhe tu kërkojë llogari.

- Para popullit nuk duan të nxjerrin vlera, por të mbajnë listat e mbyllura si garanci për pushtetin brenda partisë.

- Pushtetin monopolist me deputetë skandalozë dhe "lepe - peqe" duhet ta ruajnë me çdo kusht.

- Nuk i intereson demokratizimi i brendshëm i partive respektive dhe të ndajnë pushtetin.

- Duan të ruajnë statuskuonë politike brenda partive respektive.

- Tepsinë e pushtetit e duan për vete pa shokë e shoqe të tjerë.

- Ndërsa Znj. Rudina Hajdari e inatosur shprehet se ata për çështjen e sistemit " i shkelin syrin njëri tjetrit".

Pra, siç shikohet shpresat që të kemi një parti që kërkon të zhvillojë vendin me programe politike dhe me intelektualë janë të pakta. Partia thjesht kërkon të vijë në pushtet me çdo kusht dhe mesa duket të përfitojë nga të mirat e tij.


Arroganca qeverisëse ka arritur kulmin dhe fatkeqësisht PD - LSI nuk kanë kuptuar se pa një reformim dhe alternativë reale qeverisëse vetëm pushtet tavoline mund të marrin. Dhe ky lloj pushteti nuk i shërben vendit, por vetëm klaneve të caktuara përfituese.

Fatkeqësisht PD-ja nuk krahasohet as me PD-në e 2005 ku Berisha i bindi shqiptarët me KOP

( Komiteti i Orientimit të Politikave ) dhe për pak fitoi edhe në zonën e ish-bllokut.

Në këto kushte, qeverisjeje të keqe dhe opozite jo të reformuar mbetet të themi se vendi vazhdon dhe do të vazhdojë pa një mirëqeverisje.

Na mbetet veçse të përmendim një thënie të Edmond Dantesit:

- Presim dhe shpresojmë...Por pritja duket pafund...


Comments


bottom of page