top of page
Search

Pse u duk si Shvejku i vendit tim?...nga Pajtim Çaushi*

Mbrëmja

Anës detit në Sarandë. Në shetitoren Hasan Tahsini tollovi zërash e gjuhësh. Violinë e parë italishtja, e dytë greqishtja, e tretë shqipja. E para sanguine, e dyta kolerike, e treta melankolike.

- E shkreta shqipe që vetëm pëshpërit! - mendova me dhimbje.


Dukja

Diku nga porti u ngritën në qiell fishekzjarre ngjyra ngjyra. Për pak edhe thirrma e duarpërplasje.

Këto u shoqëruan me krisma e tym të bardhë.

Ah, sikur tek zgjedhja e Papës së ri, mendova, mbase ndonjë lajm i mirë për qytetin. Shikoj një polic, ish nxënësin tim në gjimnaz. I afrohem.


Biseda (pas përshëndetjes)

- A di o mik, pse u hodhën fishekzjarrët andej nga porti?

- Po, e di, ka ardhur shejku nga Katarri.

- Mbase ka diçka tjetër se tani të huajt venë e vinë me mijëra. Mandej fishekzjarret hidhen për ndonjë festë apo gëzim, jo se erdhi shejku.

- Po, ashtu është fiks!... Shejku do financojë lungomaren e re të Sarandës!

- Bukur, por besoj se do të thuash do fonancojë shetitoren.

- Jo, jo lungomaren, ç'hyn shëtitorja këtu?

- Shëtitoren pra, kështu e quajnë shqip.

- Të lutem mësues, kam respekt por këtë nuk ta besoj. E kam dëgjuar nga vet goja e Kryeministrit, ministrit dhe deputetit. Ti këtu poshtë s'mund të dish sa dinë ata sipër. Më fal, ë?...


E vërteta

Nga mediat lokale dëgjova se kishte ardhur ambasadori i Katarrit nga Tirana për t'u shmallur me një shejk të vetin që shullëhej në plazhet e Korfuzit dhe që iu tek të hidhej deri në Sarandë.

Tok me ta edhe shejku i turizmit shqiptar, ministri Klosi i mbërritur nga kanali i Çukës ku qe për një aksion reklamë.


Tri pyetje

- Pse duhet pritur me tamtame, ministra, duarpërplasje e fishekzjarre ćdo Robinson Kruzo që zbret për qejf të vet në portet tona?

- Pse duhet t'i mbajmë sytë nga paret e të huajve qoftë edhe për një investim minor ne vendin tonë? Nuk besoj të ketë vend tjeter në glob të jetë kaq i pasur sa ne. Persipër lulëz e gjethe e brenda argjend e flori, shkruante Naimi ynë.

- Pse duam t'i marrim frymën derisa ta mbytim gjuhën tonë të bukur të cilën etërit e atdhetarizmit e kanë quajtur gjuhë Perëndije?


Një përqasje

Ambasadori dhe katarrasi i pasur janë shejkë të vendit të tyre.

Po ministri Klosi pse vallë u duk grotesk si Shvejku i Hashekut në vendin tim?....


* Shkrimtar dhe pedagog gjuhësie

תגובות


bottom of page