( Në segmentin e jetës: 10 gusht 1955 - 5 dhjetor 2023 )
Ne ishim gjashtë vëllezër... pa motër. Gjashtë djemtë e Bajramit e Fetanetes. Tani jemi pesë. Njerin, Pëllumbin, dje më 6 dhjetor e përcollëm me dhimbje në banesën e përjetshme.
Pëllumbi ishte i katërti në radhën e lindjeve e të moshës. Iku i pari si për të vërtetuar thënien e ligjërimeve popullote në këto raste:
- Zoti zgjedh kur vë gishtin për të marrë!...
Sa i ngjante babait tonë, Bajramit!... I virtytshëm si ai në qetësi e sjellje, në mirëkuptim e shmangie prej ngatrresës...
Poeti, përkthyesi dhe eseisti Alush Avduli, na fliste në sy ne pesë të tjerëve:
- Jeni gjashtë vëllezër, por ta dini e mos t’u vijë keq, më i miri e më i shoqërisë nga të gjithë ju është Pëllumbi.
Ndërsa mësuesi legjendë i matematikës së gjimnazit të Konispolit, profesori i nderuar Jani Vaja, i thoshte me humor para gjithë klasës Pëllumbit:
- Çudi me ty Çaushi, vjen si shef në shkollë!...
Pastaj u drejtohej të tjerëve:
- Vetëm me shpjegimin, e merr tetën, mendoni sikur të ulet e ta hap librin ku shkon!
- Ja deri tek dhjeta mësues, se njëmbëdhjetën s'e zë dot, ia kthente Pëllumbi me të qeshur.
Dihej, dhjeta qe nota më e lartë në sistemin e vlerësimit, njëmbëdhjetë s'kishte.
Por nxënësi hallin e kishte gjetiu, edhe mësuesi e dinte këtë. Para tij e patën mbaruar gjimnazin tre vëllezërit më të rritur dhe atyre u qe dhënë e drejta për të lartën. Kjo për regjimin e kohës ishte e padiskutueshme, bile quhej e tepërt dhe s'mund t'i jepej edhe një të katërti nga e njëjta familje.
Kjo ishte arsyeja e vërtetë që Pëllumbi i merrte njohuritë vetëm gjatë shpjegimit të mësuesit dhe me kaq mbaronte. Pra, s'kishte shtysë nxitëse...!
Vitet e jetës
Pëllumbi u lind më 10 gusht 1955 në Konispol. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në vendlindje, pranë familjes dhe në shkollim. U rrit si një djalë i mençur, i qetë dhe i urtë.
Arsimin e detyruar dhe shkollën e mesme bujqësore e mbaroi në vendlindje. Ishte i vëmendshëm në mësim dhe dallohej nga dhuntia për ta përvetësuar shpejt të renë dhe thelbin e temës.
Kur mbaroi shkollën bujqësore në degën e agronomisë, nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë, ndonëse mesataren e kishte dhe e tejkalonte. Arsyeja?... Ajo që përmenda: rregullat alogjike dhe absurde të regjimit monist.
E caktuan në brigadën e frutikulturës të sektorit të Konispolit. Kuptohet, i mërzitur për pamundësinë e vazhdimit të së lartës, filloi punë në kooperativë.
Një vit më vonë e thirrën për shërbim ushtarak. E kreu në pika të ndryshme të zonës së Bregdetit.
Pasi mbaroi shërbimin ushtrarak, në kohë të ndryshme, bëri edhe punën e brigadierit e të zëvëndësbrigadierit. Qoftë si specialist apo në pozicion drejtuesi në brigadë Pëllumbi nuk prishi fjalë me askënd. Sillej urtë e i qetë me anëtarët e brigadës apo shokët e punës.
U martua me Fatbardha Muhametin, vajzë nga fshati Markat. Shkurt i flisnin Bardhe. Ashtu i folëm dhe i flasim edhe ne. Veç hireve femërore të hijeshisë dhe bukurisë, ajo ishte dhe është shumë punëtore. Me Pëllumbin përgjatë viteve të jetës krijuan marrëdhënie të shkëlqyera si bashkëshortë dhe si familjarë. Edhe me ndihmën e Nanë Fetes, rritën tre fëmijë: Nertilën, Malvinën, Ermalin. Tre fëmijë me shumë virtyte, me sjellje rerspekti ndaj të tjerëve dhe kulturë njerëzore shembullore.
Pëllumbi bëri edhe kurse të ndryshëm në fusha të tjera. Ai kreu edhe një kurs gjashtë mujor për aktrim e regjizurë në funksion të lëvizjes kulturore amatore të kohës në zonat rurale.
Pas shthurrjes së sistemit të diktaurës komuniste dhe shpërbërjes së kooperativave bujqësore, krijoi plantacion me mandarina në Manastir dhe ullishte në Vardhar të Konispolit.
Kur në vitin 2001 ndërroi jetë Nënë Fetanetja e cila jetonte me familjen e Pëllumbit, emigroi familjarisht në Greqi. Në fillim në Athinë e më pas qëndruan në Korfuzin përballë Konispolit.
U kthye përfundimisht nga emigrimi në tetor të këtij viti (2023) me mendimin të mos largohej kurrë më.
- Ishte shumë i gëzuar që u kthyem për të mos ikur prapë, më tha Fatbardha pak momente pas ceremonisë së varrimit të bashkëshortit.
Eh, nuk e gëzoi gjatë gëzimin!...
Pëllumbi, njeriu i shoqërisë e i miqësisë
Gjatë viteve të shkollimit të mesëm krijoi shoqëri shumë të sinqertë me nxënësit konispolitë Feti Buqi, Guxim Mulla, Astrit Dishati e Qani Taka. Bashkë me të ndjeri Lame Kaso, të cilin Pëllumbi e pati mik të veçantë, ishin një grup të rinjsh plor humor e shëndet në Konispol e krahinë..
Në vite, tok me Lame Kason, u bënë specialist të frutikulturës, vreshtarisë dhe ullirit. Lëviznin në fshatra të ndryshëm të kooperativës së bashkuar të Konispolit. Kudo që shkonin linin gjurmë shoqërie, miqëësie e humori. Ndaj, në çdo fshat kur i zinte ndonjë natë, u hapeshin shumë dyer për t'i strehuar me respekt e mirëkuptim. Ishin të këndshëm e të qetë në bisëdë e kafe.
Gjatë gjithë jetës ka qënë tepër paqësor dhe mirëkuptues me të tjerët. Në komunikimin me të afert e shokë krijonte shpejt shoqëri e afërsi bashkëbisedimi. Kjo fal tipareve të njeriut të kulturuar dhe paqedashës pasi ishte i drejtë, i sinqertë dhe i bisedës së shtruar.
Edhe ditën e përcjelljes së tij, cilido që vinte, psherëtinte e buzëqeshte.
- Eh, njeri i veçantë në çdo gjë Pëllumbi, thoshte i pëlotur.
Pas një pauze të vogël, një tjetër shtonte:
- Ishte vërtet i ndryshe nga njerëzit e tjerë... Cilitdo, të vogli a të madhi që takonte, i buzëqeshte që tutje e i thoshte diçka me humor. Pas kësaj i shtrinte dorën apo e përqafonte me krahët hapur:
- Hë o njeri, ku humbe?... Hajdo o hajde se u bëmë për t'u puthur!...
Fliste me buzë në gaz vëllai ynë
Për muaj të shumtë gjatë disa viteve, bashkë me mikun e tij Lame Kason, punoi në studimet pedologjike për shtresat e tokës në territorin e kooperativës së Konispolit. Lëviznin në gjithë
fshatrat e krahinës për të marrë kampionet e dheut dhe i dërgonin në laborator. Kudo që shkonin për ta kishte qyfyre e humor të shëndetshëm. U bënë aq të dashur për banorët, sa u ngjitën emrat e Sulos e Beqos, personazheve të filmit "Kapedani".
Kur vinte me lejë nga ushtria, shokët e ngacmonin Pëllumbin për shëndetin. Dihej, ushqime bazë të reparteve në atë kohë kanë qënë fasulet dhe makaronat ndaj u shëndosh ca. Ai u kthente përgjigje me shakà:
- Ore vëllezër, më dëgjoni e më besonui!... Ç’t'i bëj shëndetit?... S'ja prish dot dovletit!...Ç'bëjmë?... Hamë, pimë, flëmë!... Dërzhava me pilaf e fasule... ne barku dëng si daule!...
Pë një rast tjetër shoku i Pëllumbit Guxim Mulla, tregon:
- Ishte vonë kur mbaruam mbledhjen e sektorit të Çiflikut dhe u ktheva në Konispol. Zbrita në qendër për të vajtur në shtëpi. Në një momend dëgjoj një zë komandues që jepte urdhër të prerë me zë të lartë. Zëri thoshte:
- Gardist Buqi, me hap rreshtor para marsh!
Qëndrova. Pashë në drejtimin nga vinte zëri. Kur shoh, dy miqtë e mi bënin stërvitje ushtarake
në mesin e natës. Në moment Pëllumbi i jepte komandë Fetiut. Ky i fundit mburrej se kishte marrë pjesë në paradat ushtarake në Tiranë dhe dinte të parakalonte bukur si gardist i Republikës.
Ndërsa zëri i Pëllumbit gjëmonte. Pas pak ndërruan rolet. Gardisti dha komandë:
- Nënoficer Çaushi, gati - tu! Me hap rreshtor dhe me këngë para marrsh! Një - dy... një - dy! Pëllumbi shtriu hapin dhe këndoi me sa kishte në kokë:
- Bashkoju shokë me ne në çetë, malit të lartë të shkojmë përpjetë…
Nuk durova dot dhe ia plasa gazit. U afrova. Qeshëm të tre bashkë.
Pëllumbi edhe pijen e kafes apo të gotës së rakisë e bënte të veçantë. Me një teke raki, mund të bënte një orë bisedë e qyfyre.
- Hë mo byrazer ia ke shtruar? - e ngacmonte ndonjë shok.
- Ja, marr veten me të mirë... hajde, po do ta marrësh edhe ti!
Tjetri ulej dhe sa merrte gotën e rakisë, e kthente me fund.
Pëllumbi e vështronte me qortim:
- Ej, mos e rruf si rrufai, pije ngadalë si njeri!...
Ka dhjetra raste të tilla ai njeri i shkelqyer që bëri një jetë të mirë e të sinqertë...
Humor i tij brenda nesh
Kunatat i respektonte si askush tjetër dhe ato e donin si vëllain e tyre. Në raste e shumta që mblidheshim të gjithë bashkë për festa e gosti rasti, asto prisnin që Pëllumbi t'u thoshte diçka për humor. Ai i vështronte të pesta me radhë dhe qeshur i drejtohej kot njerës prej tyre duke i tundur kokën për mirëkuptimin e shakasë:
- Moj kunatë qafëgjatë,
beli i hollë, mendja pisqollë!...
Ato jo vetëm që e mirëkuptonin, por e përqafonin me dashuri motrash se e dinin që ai ishte vetëm i mirë dhe i sinqertë.
I paharruari ynë...
Një rast u sëmurë keq në Korfuz. Mjeku i talentuar dr Niko Kallajxhi i cili ka mbaruar gjimnazin në Konispol dhe respektohet në maksimunm kudo, e dërgoi në Janinë. Ata nuk i vunë shpresë por, për habinë e tyre, ai shpëtoi. Kur e pyesnin për këtë ndodhi të viti 2013, Pëllumbi u përgjigjej me buzë në gaz:
"Po, u nisa në fakt dhe i trokita në derën vdekjes. Ajo ma hapi derën, më pa me kujdes e më tha duke më shtyrë me dorë:
- Ik, jo tani ti... ktheu nga ke ardhur!...
S'më deshi, nuk më pranoi... Dhe unë ç'të bëja?... U ktheva... Kur të më flasë, do vete!
Dhe ajo e thirri në orën 11 të paradites së 5 dhjetorit të vitit 2023...
Iku në amëshim, si i thonë, pa kërkuar qoftë edhe një gotë ujë...
Vëllai ynë i parë Eqeremi, në përfundim të drekës së mortit, njoftoi pjesëmarrësit:
- Ju kujtoj... pasnesër më 8 dhjetor, kemi të tretrat e vëllait... Në 13 janar, ditën e shtunë, të dyzetat...!
I paharruar kujtimi i Pëllumbit! - ia kthyen ata.
Dhe pas një viti - Viti, mendova me dhimbje.
Kështu nisi e mbaroi jeta e një njeriu shumë të dashur e të shtrenjtë për të gjithë që e njohën. Veças e tillë dhe e paharruar kurrë për ne vëllezërit, bashkëshorten, fëmijët, nipërit e mbesat...
E me gjithë dhimbjen, udha e vëllait tonë mbaroi...!
Udhë të mbarë Pëllumb, vëllai ynë i paharruar!...
Pajtim Çaushi, 7 dhjetor 2023
Comentarios