Nga Ibrahim Husejni
Mbase është shumë vonë për tja thënë këto fjalë tim eti, por një moment unë duhet tja them, e ata që nuk e njohin duhet të dijnë diçka për të.
Im atë ishte ndoshta njeriu më i drejtë që kam njohur, njeriu më patriot dhe njeriu më dashamirës ndaj vendlindjes.
Për shumë që e njohin si Daja, ishte njeriu punëtor, njeriu i palodhur, njeriu i papërtuar kurrë. Një njeri që mbështeti familjen, jo vetëm atë familjen e tij prindërore, por familjen në linjë gjaku.
I doli zot shtëpisë që i la i jati, nanës, motrave dhe vëllezërve, nipërve dhe mbesave.
U përpoq që derën e Ali HUSEJNIT ta mbante hapur me çdo kusht.
Vitet 90 e gjetën në moshë të fortë 55 vjeç, e mund të ikte të kërkonte rehatinë perëndimore, por jo, zgjodhi të punonte e të ndërtonte amanetin e gjyshit Aliut e më pas të të jatit të Xhevdetit “Ti dilni zot mallit e gjësë, se janë blerë e trashëguar me gjak” .
Në vitet 90 vendi po shkërrmoqej nga shumë duar, e ai zgjodhi të mos merte asnjë gozhdë sepse besonte se nuk i takonte.
U ndanë toka e pasuri me ligjin e famshëm 7501, e ai mori veç një pjesë të pasurive që i ishin marrë padrejtësisht familjes në vitet 60. Nuk mund të marr atë që sështë e imja –tha.
Punoi për këtë vend dhe ju mësoi fëmijëve që zoti t’ju japë fuqi të hanë atë çka nxjerrin me mundin e tyre ( fjalë që në këtë botë që jetojmë duken qesharake ).
Unë do ta mbaj mend si njeriun e duruar, të palodhur e të pa përtuar kurrë, si njeriun që fjalën e mirë e kishte në majë të gjuhës për këdo, e si njeriun të cilit dikush në moshë i puthi dorën pa u trembur nga egoja burrërore, sepse e meritonte, sepse që në vegjëli e pati ndihmuar si të ecte në jetë. Do ta mbaj mend si njeriun i cili edhe pse një punëtor i thjeshtë kur hapte gojën, në një fjali kishte shumë libra, si njeriun që u përpoq që që gjithmonë të ofronte një dashuri për punën, për drejtësinë, për vendlindjen.
Mbase fjala patriot mendohet si dikush që vdes me flamur, por ai më mësoi se nuk mund të jesh patriot nëse nuk kujdesesh për familjen, për pronën, për linjën tënde të gjakut.
Ky ishte im atë Enveri i cili vendosi mbi shumë lukse nderin dhe rrespektin për ata që jetojnë e për ata që kanë ikur nga kjo jetë.
Babai i cili nuk ju la fëmijëve asnjë borxh moral apo materia., por që ju la një pasuri të madhe materiale, dhe një emër prindëror të rrespektuar!
Ky ishte im atë!
Comments