top of page
Search

PËR NJERIUN E MIRË LAME KASO

Nga Pajtim Çaushi

Portreti

Jam i bindur se kushdo që e ka njohur LAME KASON, e ka admiruar.

Nëse do të ishte piktor, do t'i pikturonte portretin më të bukur...

Nëse do të ishte poet, do t'i thurrte poezinë me të ngrohtë...

Nëse do të ishte muzikant do t'i kompozonte melodinë më të ëmbël...

I qeshur, i qetë, i dashur, fjalëpak...

Askush s'mund të tregojë qoftë edhe një rast të vetëm kur Lamja të jetë nxehur e të bërtiste. Për të sharë e ofenduar jo e jo...


Familja amë

Madani dhe Qefnia lindën shumë fëmijë. Ishte zakoni i kohës që një familje të kishte plot djem e vajza. Ata sollën në jetë pesë djem dhe dy vajza. Ashtu me qetësinë e thjeshtësinë e tyre model, me mundime e plot sakrifica, i rritën si veten Fadilin, Përparimin, Fatriun, Lamen, Alushin, Lumturinë, Dhuratën... Të gjithë të udhës së mbarë pa të meta e vese.

Lame Kaso lindi më 3 Korik 1953 dhe iku nga kjo botë në 16 Gusht 2001.

E regjistruan me emrin Islam, por gjithë jetën familja dhe shoqëria me përkëdheli i folën Lame. Ky emër i mbeti.

Lamja u rrit në një familje me virtyte. Ndonëse me mangësi ekonomike si shumica e konispolitëve në atë kohë, por arsim e kulturë dashëse. Të gjithë fëmijët u shkolluan me arsim të mesëm e një pjesë edhe me të lartën.

Xha Madani i urtë e i patrazuar me askënd u thoshte pasardhësve:

- Mos u zini me njeri, silluni mirë. Në shkollë mësoni se për vete e keni...

Fëmijët i ndoqën gjithë jetën këshillat e urta të babait të mirë.


Shoku i të gjithëve

Lame Kaso mbaroi shkollën e mesme bujqësore të Konispolit. Pas shërbimit ushtarak punoi si kooperativist, normist, zv/brigadier, vreshtar e mbledhës i kampioneve të tokës. Pas vitit 1991 shërbeu në biznesin e tij në qendër pranë rrapit të Konispolit.

Ai zinte shoqëri shpejt dhe ishte shoktar i shkëlqyer. I sinqertë dhe i hapur, hokatar dhe njerëzor. Njeri pa vese, me të gjithë i padjallëzuar. I shmangte me zgjuarsi e qetësi sherret apo ngacmimet e ngatrrestarëve. Shokut e mikut të tij të ngushtë gjatë gjithë jetës Pëllumb Çaushit në raste të tilla i thoshte me qetësi shembullore:

- Lere mos i fol, ç'kemi ne me të, aq di aq bën... po të dinte më shumë do bënte një çik më pak... Hajde të shohim punën tonë...

Kur ndonjë brigadier kooperative ngrente zërin për autoritetr fallco mbi anëtarët e brigadës me kooperativistë. ai ia kthente si me shaka, por që brenda kishte të vërtetën:

- Bjeri ti se... për vetë i bie mirë...!

Kishte shoqëri në çdo fshat të kooperativës së Konispolit. Kjo edhe për faktin se bashkë me shokun e tij Pëllumbin, kryenin studime pedologjike në parcelat e të gjithë njësisë ekonomike të Konispolit.

Njeri zemërbardhë

Kurrë s'tha jo për të ndihmuar...

Asnjëherë nuk shqiptoi fjalët s'bëhet kjo apo ajo...

Kurrsesi s'thoshte s'kam ç'të të bëj e s'të ndihmoj dot...

Më kujtohen vitet nëntëdhjetë. Qindra e mijëra njerëz kaluan në Konispoli në drejtim të kufirit me Greqinë. Të djersitur, të mosmundur, të uritur, skamnorë në gjithçka.

Një pjesë i kthenin patrullat kufitare greke...

Disa të keqtrajtuar nga mungesa e dokumentave dhe shkrepjet e tekave të fqinjit jugor...

Një pjesë me mungesa në veshje e të holla për kthim pranë familjes...

Futeshin tek lokali modest i Lames e i Zubos. Ndonëse me pamundësi për të paguar asnjëherë nuk i kthyen duar e stomak bosh. Dialogi i Lames me ta ishte i shëndetshëm.

Ata flisnin të mërzitur, por besimplot:

- Do të paguajmë një ditë për të gjitha sa na dhé sot...

- Nuk ta harrojmë kurrë këtë të mirë...

- Do takohemi prap i nderuar Lame...

Ai ua kthente:

- Mos u sikletosni, kur të keni me thasë, ma ktheni me trastë...

- Edhe po harruat nuk bëhet kiameti...

- S'ka problem, mali me mal nuk takohen...

Ai qeshte... edhe ata qeshnin.

Familjari shembullor

U lidh në dashuri me Zubon, një vajzë të bukur e të mençur, të qeshur e humane si dhe Lamja. Zoti e fati bashkuan në një dy njerëz të virtytshëm. Nëse i dëgjoje kur bisedonin do të kuptoje se prej tyre rrezatonte dashuri, mirëkuptim, respekt e humor i këndshëm.

Lindën tre fëmijë si veten.

Armandi (Mandi), Ledioni (Ledi) e Rigerta (Gerta) u rritën në një familje të shëndetshme që injektoi tek pasardhësit vetëm pozitivitet e dashuri njerëzore.

Lamja e Zubua i trajtuan fëmijët sikur shokë e shoqe, si vëllezër djemtë e motër të vogël vajzën. I shkolluan dhe i kulturuan. Sjelljen me të tjerët e kanë shembullore. Stolitë e prindërve janë skalitur bukur me daltë skulptori tek pasardhësit e tyre.

Edhe ata u rritën e u bënë bijë të denjë të prindërve të tyre të mirë.


Ikje e beftë... sikur fjeti

Lame Kaso iku nga kjo jetë krejt papritur një paradite gushti me diell të fortë...

Sikur na tha thjeshtë "ditën e mirë" e shkoi për të pushuar diku...

Askush nuk i besoi fjalës dhe dëgjimit....

Ishte tejet i ri... si mund të ikë kështu papritur njeriu...?!

Bashkë qemë dje... sot para pak pimë kafe... ja atje... si ka mundësi...?!

E megjithatë Lamja i mirë e i qetë, i urtë e njerëzor ishte larguar përgjithmonë nga Zubua, Mandi, Ledi e Gerta...

Nga vëllezërit e të afërmit e vet...

Nga gjithë ne miqtë e shoqëria e tij...

Lamtumirë Lame...! - i thamë atë ditë përmes dhimbjes e psherëtimave...

Por e kujtojmë dhe do ta kujtojmë vazhdimisht NJERIUN e rrallë LAME KASO...

8 shkurt 202

Comments


bottom of page