nga Markel Baballëku
Ju lutem, në asnjë rrethanë, mos pranoni ndërhyrje riaftësuese në strukturat e ndërtesave tuaja të dëmtuara nga tërmeti në rastet vijuese:
Kur “ekspertë” shitës materialesh ndërtimi ju mbijnë në derë, medja apo rrjete sociale dhe ju trashin kokën me vetitë çudibërëse të materialeve;
Kur ustallarë me “përvojë” dhe me mistri e sqepar, ju tregojnë sesi duhen kryer ndërhyrjet në kolona, trarë e mure betoni;
Kur “inxhinierët e zbatimit” fillojnë e ju mbushin mendjen se: zgjidhjet bëhen edhe pa projekt, nuk ka nevojë për teori por mjafton vetëm praktika.... etj. etj. etj. Tërmeti, në këndvështrimin strukturor është një ndër dukuritë trajtuara plotësisht dhe imtësisht. Shumëçka e trajtuar në teori është shfaqur në realitet, edhe në tërmetet e shtatorit dhe nëntorit!
Kur “ekspertë të huaj” improvizojnë zgjidhje sa hap e mbyll sytë... Asnjë ekspert i inxhinierisë sizmike, vendas apo i huaj, nuk jep zgjidhje pa diagnostikuar më parë gjendjen e ndërtesës dhe jo me sy, por me prova inxhinierike. Për më tepër që duhet ditur edhe tipologjia strukturore e ndërtimit.
Kur vet autoritetet shtetërore kërkojnë që ti kryeni përforcimet me shabllone pa standarde riaftësimi dhe të pamiratuara nga shteti apo pa leje ndërtimi që parashikon këto standarde;
Kur nuk analizohet projekti fillestar dhe dokumentacioni i zbatimit në rastet kur ato ekzistojnë;
Ndërkohë,
Inxhinieri strukturist duhet të jetë udhëheqësi i ndërhyrjeve riaftësuese dhe përgjegjësi për këto ndërhyrje, akoma më mirë me njohje të plota në fushën e inxhinierisë sizmike dhe akoma më mirë me përvojë në riaftësimin e strukturave. Por kjo nuk mjafton! Atij duhet ti përcaktohen me ligj: standardet/kushtet teknike referencë për vlerërimin dhe riaftësimin e strukturave.
Edhe në rastin e ndërhyrjeve të tipizuara (shabllon), ato duhet të miratohen së pari nga autoritetet përgjegjëse dhe më tej të kenë edhe miratimin rast pas rasti nga një inxhinier ndërtimi me njohje në këtë fushë, pasi sado të tipizuara të jenë ndërtesat, rrethanat e posaçme të tyre (vendndodhja, koha e ndërtimit, ndërhyrjet kohë pas kohe, faktorët atmosferikë, etj.) kërkojnë vëmendjen përkatëse.
Kommentare