Nga Marsi Simo*
Secili prej nesh ka disa parime me të cilat ndërton jeten e tij. Janë këto parime që e udhëzojnë të marrë një rrugë apo një tjetër, si të ndërtojë marrëdhënie me të tjerët, apo si dhe të përballojë situata nga më të ndryshme.
Në faza të ndryshme të jetës disa njerëz krijojnë brenda vetes një natyrë pesimizmi duke i parë gjërat më shumë nga ana e negative, dhe nuk kanë deshirë për të bërë gjëra të reja, duke qendruar në zonën e tyre të rehatisë.
Pesimizmi njerëzor ka të bëjë me një shqetësim të vazhdueshëm, angështi dhe mungesë të përpjekjeve për të realizuar diҫka ndryshe, ka dyshime të shtuara në marrëdhëniet shoqërore dhe shqetësime të tjera psikologjike.
Ka persona pesimistë që kanë tendencë të shohin jetën me ankth dhe shqetësim, duke u përqendruar më shumë te vështirësitë që ndeshin gjatë jetës, më shumë se sa te gëzimet që duhet të shijohen dhe sukseset e arritura.
Që ekzistenca është e vështirë dhe shumë herë e dhimbshme, këtë e pranojmë të gjithë, por a duhet të zgjedhim rrugën e dorëzimit duke u fshehur nën skutat e plogështisë?
Pesimisti justifikohet me idenë se njoh gjithmonë e më shumë dikë që gjërat i ka fituar me aq lehtësi dhe është shumë para. I ëndërron ato që tjetri ka dhe thjesht hesht nën veten e bezdisur. E vetmja gjë që di të bëjë më mirë është të ankohet. Ndërton qëllime të përkohshme dhe përjetimet i ka të dobta.
Pse është më e rëndësishme të jemi optimist?
Optimisti e ndërton jetën e tij me objektiva dhe qëllime të qarta për të ardhmen e tij. Ai bën të mundur të shohë edhe gjërat që nuk duken, vlerëson detajet, dhe kënaqet edhe me momentin. Për optimistin e mundura është shprehja që e motivon për ҫdo arritje të dëshiruar. Atij nuk i mbarojnë dëshirat sepse krijon të tjera shpesh e më shpesh. Optimizmin mund ta përshkruajmë edhe si energji pozitive, që reflekton gëzim e gjallëri në familje, shoqëri dhe në punë. Personat optimistë kanë më shumë vendosmëri dhe besim në vetvete, janë më shumë empatik duke pasur më shumë besim te të tjerët.
Këshilla për të dalë nga “zona e rehatisë”
Nuk mund të detyrojmë dikë që të sforcohet në dëshirat e tij apo pikëpamjet për jetën, por mund ta bëjmë të kuptojë se përfitimet janë më të mëdha nëse dalin nga rehatia e tyre, per të shtuar ritmin e ditës dhe për ta dashur jetën.
Procesi i daljes nga zona e rehatisë nuk ndodh menjëherë, por mund të bëhet pak e nga pak duke zgjeruar dimensionet e të menduarit.
Behu model i valës pozitive
Shpesh mund të mendojmë se lumturia është ndjenjë personale dhe që të jetë sa më e fortë duhet ta përjetojmë vetëm ne. Faktikisht është e provuar që kur ky gëzim ndahet me të tjerët i shumë fishon përjetimet. Madje nëse provoni të bëni dikë tjetër të lumtur, do ndiheni akoma dhe më shumë emocione të forta pozitive. Në këtë jetë jo të gjithë do jemi njerëz të cilët do të mbahet mend nga të gjithë apo do të na kujtojnë me nderime. Por nëse jemi treguar pozitiv dhe e kemi shpërndarë këtë si një vale tek të tjerët, sado të pakët në numër të jenë ata, do ndiejmë më gjatë lumturinë.
Shprehja e mirënjohjes
Nuk është e thënë që të nisni që nesër të bëheni optimistë të mëdhenj duke i fryrë gjërat dhe duke sajuar të vërteta të pa qena. Një frymë pozitive është të qendrojmë pak dhe të mendojmë dikë që na ka kurajuar për të qenë ky që jemi sot. Tregojini dikujt se ju dha kurajo dhe se ishte kaq domethënëse për ju. Merreni në telefon, dërgojini një mesazh, apo një letër. Nëse keni më shumë se një person të tillë? Aq më mirë, nisni një mesazh për të gjithë.
Mos prit gjatë për të kuptuar si të jetosh
Një sëmundje apo një fatkeqësi na bën shpesh herë të kuptojmë vlerat e shëndetit dhe të jetës. Përse duhet të presim këtë moment për të vlerësuar atë që jemi dhe ato që kemi. Edhe pse kurrë nuk është vonë, është mirë të kapni këtë moment për të rifilluar diҫka më ndryshe.
Zbulo aftësinë tënde
Nëse mendoni se jeni shpesh të pamotivuar apo se ҫdo gjë që ju bëni është pa kuptim, kërkoni brenda vetes apo fëmijërisë tuaj ëndrrat që keni shprehur. Është pothuaj e pamundur që mos të keni një talent apo aftësi në një fushë. Nxiteni veten të kuptoni më shumë duke u këshilluar dhe me të afërm apo miqtë që ju njohin më mirë.
Bëhu prind i vetes tënde
Nëse mendon se ankesa është e vetmja formë zgjidhje, atëhere duhet të meritosh atë që nuk ke. Mendo dhe përpiqu të kuptosh ҫfarë përpjekje ke bërë për ta realizuar. Nuk është turp të flasësh me veten, ta inkurajosh dhe ta kthesh sfidën në forcë për më shumë.
Mos kopjo te vërteta nga të tjerët por zbulo të tuat
Mund të lexoni artikuj për njerëz të fortë që kanë arritur shumë dhe ndoshta mundoheni të projektoni veten si ata. Ka një fuqi të pa masë kur ti kërkon dhe lodhësh pasi shijon fuqinë e të vërtetës që zbulove vetë sesa e vërteta e marrë nga të tjerët.
Kërko ndihmë
Mund tja keni nisur shumë mirë dhe gjatë rrugës stepeni dhe kjo është mëse normale. Kërkoni ndihmë dhe bashkëpunoni, sepse bashkarisht gjërat bëhen edhe më mirë. Nëse je në fazat e para dhe dëshiron ta lësh mënjanë pesimizmin, kërko sërish ndihmë dhe nis menjëherë.
* Marsi Simo është Sociologe me gradën PHD
Comments