Elona Caslli
Një vajzë 15 vjeçare përdhunohet nga roja i shkollës 65 vjeç. Hamshori 65 vjeç, njëkohësisht edhe roja I shkollës, që gjithë ditën masturbohet para videove porno, nuk mjaftohet vetëm me aktin e përdhunimit , por e bën edhe video këtë të fundit.
Hamshori plak ka nevojë për një trofe. I duhet një trofe në jetën e tij. I duhet fama seksuale tek publiku i meshkujve adoleshentë.
Video shpërndahet. Çdo shpërndarje një përdhunim. Çdo shpërndarje një hapje këmbësh. Çdo shpërndarës ka të drejtë të provojë fuqinë e tij seksuale tek vajza në fjalë. Nuk është terapi grupi. Është përdhunim grupi.
Nuk mbaron me kaq. Përdhunimi në grup i kryer privatisht tashmë do të shfaqet në ekranin e madh të kinemasë. Emri i vajzës do të shkruhet nëpër mure pallatesh.
Kjo është kurva e qytetit tonë. Emri i saj që fillon me “ S” do të shërbejë si shembull edukimi për mbarë qytetin. Video e përdhunimit do të përcillet nga celulari në celular, për të edukuar brezin e ri me “moralin e shëndetshëm” Mos u bëni si vajza “ S”. Ajo është kurva e qytetit.
Në të vërtetë kush e përdhunoi atë vajzë?!
E përdhunove ti zonjë, që jeton pranë saj dhe pa t’u dridhur qerpiku thua- Vetë e kishte fajin. Ishte pak e lëvizur.
E përdhunove ti zotëri, që e pe atë video dhe pa u menduar dy herë, ia çove dikujt tjetër, si të ishte një film ,ndërkohë që është një tragjedi.
E përdhunuam ne, që i pamë prindërit e vajzës, për javë të tëra me gëlqere në dorë për të fshirë emrin e vajzës mbi murin e pallatit. Ne e përdhunuam se kthyem kokën nga ana tjetër dhe vazhduam rrugën në heshtje.
E përdhunoi drejtoresha e shkollës. E përdhunoi Ministrja e Arsimit. E përdhunoi Policia e Shtetit.
Ajo vajzë po vazhdon të përdhunohet ende. Të afërmit e përdhunuesve të arrestuar, gjenden poshtë banesës së saj dhe familja e vajzës së përdhunuar është ngujuar nga frika dhe presioni.
Përdhunim, kërcënim, gjymtim nën dritën e diellit.
Si përfundim, viktima ngujohet nga presioni i përdhunuesve.
Post Scriptum- Shqipëri 2020.
Comments