Nga Agron MEMA
Dilaveri këtë radhë (pas botimit të dy librave të tjerë) ka vendosur të shkruajë për “dertet” e shpirtit. Ndaj tingujt poetikë kompozojnë në harmoni ndjenjash duke zgjuar kujtimet e fjetura. Zgjohen ato dhe këndojnë e dëgjohen duke shpërndarë jehonën e tyre në gjithë trevën krenare dhe të bukur të Labërisë duke dhënur atë forcë magjike të vargut që të kujton këngën: “ O trëndafili në qelqe/ Pa ngrehu se shumë fjete...”.
Dhe ato zgjohen duke sjellur imazhin e ngjarjeve dhe fenomeneve të ndodhura e që ndodhin, të së bukurës dhe të shëmtuarës së jetës, magjikes së heshtur dhe tragjiken e dhimshme, këngën e gëzimit dhe britmën e hidhërimit, mirënjohjen dhe zgjënjimin që i shoqëron me ironinë karakteristike të fshatit nga lindi dhe u rrit, urime për gëzime e përvjetoredhe mandate hidhërimi për të “gjallët e vdekur”.
Vargu i tij pikturon jetën në vorbullat e trazuara të saj, si në ujërat e kaltra ashtu edhe në ato të turbullta të saj duke shpërndarë stërkala mahnitëse me ngjyra ylberi që të freskojnë shpirtin në “vapën” e tmerrshme që ka mbërhthyer shpirtin njerëzor nga mdiokriteti, hipokrizia dhe mungesa e perspektivës së kohës që jetojmë. I tillë është vargu i Dilaverit, konvergues dhe divergues në shpirtin njerëzor, gurgullues dhe oshëtimë si ujët e gurrës që rrjedh në shtratin e tabanit të traditës golëmase.
Është bukuria natyrore dhe e shpirtit të këtyre njerëzve të këtij fshati, por edhe e krejt krahinës së Labërisë, që e ushqen dhe e bën vargun poetik të Dilaverit kaq të bukur e të ndjeshëm, kaq pranë njerëzve dhe jetës me hallet e saj. Dalta e tij poetike ka mundur të skalit pa moralizime njeriun në rrugëtimin e tij jetësor. Dilaveri ka edhe shigjeta goditëse me “helmin” e sarkazmës dhe ironisë, por e vërteta është e hidhur ashtu si ilaçet, por që të shërojnë e të largojnë të keqen nga trupi.
Shtrati poetik i këtij vëllimi është ligjërimi popullor. Dhe ligjërimi popullor gjithmonë ka qenë zhanër poetik i përcjelljes emocionale të momenteve historike, zakoneve dhe traditave, koreografike dhe etnografike, gjeografike dhe fenomeneve e ngjarjeve social-shoqërore. Dhe ndaj mendoj se në këtë zhanër e me këto vlera përcjellëse përfshihet edhe vëllimi poetik “ Tinguj që trokasin lehtë” i Dilaver Lazaj.
Ajo që është kryesore në këtë vëllim, është boshti tematiko-ideor. Dhe Dilaveri zgjedh tema që ja dikton shpirti duke përcjellur idetë që mendon se janë mesazhe jetësore dhe i japin bukurinë shpirtit të njeriut, botës dhe sjelljes së tij. Ai di t’i komandojë emocionet dhe brengat e gëzimet t’i kthejë në këngë dhe vet këngën e bën ligjërim të bilbilt e të manushaqt. Sonda e tij e muzës poetike eksploron thellë, shpon në shpirtin njerëzor, sa kur i lexon thua: “ Sa bukur i ka shkruar e thënë. Ashtu është vërtetë, ashtu them dhe unë...”. Por ky është ndryshimi mes poetit dhe njeriut të zakonshëm, se ndaj diçkaje që shikojmë të gjithë poeti i vesh aureolën e ndjenjës, fjalën e bukur e të zgjedhur, individualen e bën të përgjithëshme.
Për Dilaverin jeta merr kuptim tek bukuria e shpirtit. Dhe bukuria e shpirtit është një honestër që fsheh brenda saj këngën, vajtimet, mahnitjen ndaj bukurisë natyrore e femërore, dashurinë njerëzore, mallin përvëlues për vendlindjen dhe për të ikurit nga kjo botë, largësinë nga viset dhe njerëzit e tu, nostalgjinë që nuk kthehet por tretet si kujtim, blegërimën e bagëtisë dhe aromën e luleve aq të munguara e malluese, mallkimin për shkaktarët e fatkeqësive njerëzore e kombëtare. Këtë të gjitha ka mundur t’i nxjerrë Dilaveri nga thellësitë e honestrës dhe i gjen në krijimet modeste dhe dinjitoze të këtij vëllimi, ku në vargje si në film dokumentar, shfaqet vet jeta në ndjesitë dhe përjetimet e saj. Dashuria fillon nga syri, por edhe loti rrjedh nga syri. Tek syri rri strukur dhimbja dhe gëzimi, por përsëri loti i bashkon të dyja këto duke bërë e përcjellur akorde tek shpirti.
Ky libër i ngjanë një syri. Dilaveri ja ka mundur t’i ja dalë të bëjë një autopsi të shpirtit dhe mes vargjeve të na jap diagnozën se pse ky shpirt njerëzor shpërthen në mënyrën dhe përjetimet e tij. Poezi të bukura, të thjeshta, të kuptueshme, ku sundon ndjenja dhe sinqeriteti, përkushtimi ndaj jetës dhe, ajo më kryesorja, përcjellja e trashëgimisë tek brezi i ri.
E thjeshta është gjithmonë më e bukur dhe më e kuptueshme, më trasmentuese dhe më e pranueshme, ndonse nuk ka shumë figuracione që mbingarkojën ndjenjën dhe mendimin e lexuesit, por ka shumë filozofi në përmbajtje të saj, ndaj admirohet dhe pëlqehet e thjeshta dhe përqafohet me simpati. Ky libër është një baladë shpirti, ndaj ka këto vlera të mëdha.
Suksese Dilaver dhe lexim të këndshëm lexuesit!
Sarandë; 20 gusht 2020.
Comments