Nga Pajtim Çaushi*
Njeriu është kalimtar në jetë. Ai kalëron në një segment të caktuar kohor dhe largohet. Në raport me përmasën Kohë segmenti jetësor është i vockël. Pas kësaj qenia njeri ikën nga kjo jetë, apo nga të gjitha jetët. Kuptohet, kjo si të besohet e vetbesohet.
Në shumicën e rasteve ikjen e ndonjë të afërmi të tjerët e presin dhe nga kjo ndiejnë pikëllim të cilin e shprehin me fjalët standarte:
- Pritej të na linte, po njeri ishte dhe njeriu një herë vjen në jetë.
Në raste të tjerë kur ikja ndodh papritur i ngjan shkrepjes së rrufesë në qiell të pastër.
Të afërmit e të njohurit lëndohen e lotojnë me dhimbje për humbjen e papritur të njeriut të tyre të afërt.
E tillë ishte edhe ikja nga jeta e Agim Bejkos, njeriut që pati lindur i qeshur si një i gëzuar i përhershëm në jetë. Ai pati lindur nga prindërit e respektuar Veip e Hadine,
Askush nuk e priste e nuk e besoi se qe i shëndetshëm, plot gjallëri e jetë, I kudondodhur, punë në prona e punë në familje. Dhe ja... njoftimi:
"Sot ndërroi jetë vëllai ynë i dashur Agim Bejko..."
Lëndim i thellë,.. emocione me lotë... fjalët të tepërta...
Kostumi kadife i fëmijërisë
Krahas vazhdimit të shkollëës së kohës, Agimi bënte edhe punë të ndryshme për të ndihmuar prindërit në rritjen e motrave e vëllezërve më të vegjël të familjes me shumë pjestarë. Fëmijëria e Agimit nuk ishin lodrat e moshës, por të rendurit sa nga ferma e Vrinës ku punonte xha Veipi, i papushuari një ditë, në mal të Milesë apo të Saraqindit me mushkën e njohur të familjes për të bërë e shitur dru zjarri.
Ç'të bënte?... Këto lojna e argëtime u pati dhuruar fati shmë fëmijëve shqiptarë në vitet 60 - 70 të shekullit të kaluar.
Më kujtohet një rast në vjeshtë kur ne kalamajtë e lagjes Pirrat e Aliagat e pamë me zili Agimin. Ndryshe nga si ishim mësuar ta shihnim, atë ditë ai na u shfaq me një kostum kadifeje ngjyrë të kaltër,
Sa ndryshe na u duk Agimi ynë!...Më i bukur, më i qeshur, më i rritur, më i pjekur, por... edhe më i dashur. Se Agimi nuk dinte të nxehej e të shante, të ofendonte e të bënte sherre.
Me buzëqeshjen e tij të paqtë ai ç’armatoste edhe më të ashprin e më të zemëruarin.
Ç'kishte ndodhur për blerjen e kostumit kadife me ngjyrë të kaltër?...
E veçanta qëndronte në konceptin epik të shqiptarëv, në atë të mbajtjes së fjalës së dhënë. Xha Veipi i pati premtuar se po të bënte e shiste brenda muajit kaq barrë dru (shifra s'më kujtohet), do t'i bleente një kostum fringo të ri. Agimi e realizoi dhe e tejkaloi planin mujor dhe menjëherë i erdhi kostumi në dorë.
Mos harroni: në ato vite ishte diçka e rrallë të kishte kostum një i rritur, pale një fëmijë. Por ja... Agimi ynë e pati një të tillë ndaj ne dhe u gëzuam dhe e patëm zili!...
Këtu e kam Greqinë dhe Amerikën...
U rrit mes vëllezërve e motrave të tij. I deshi shumë dhe e deshën shumë.
Lozi me ne shokët e shoqet e lagjes. Na deshi dhe secilin e quante motër e vëlla. Edhe ne e deshëm dhe e thirrëm vëllai ynë.
Punoi në fermë e në kooperativë. Buzëgaz e me dorë në qafë me të gjithë, I respektuar dhe i vlerësuar nga të gjithë: Ndonjerit që e lodhte jeta dhe varfëria, Agimi i thoshte me shaka e seriozisht njëherësh:
- Pse mërzitej o byrazer?... Të gjitha tonat janë!... Ja shih, korr e shi e tog në lëmë!... Mblidhe veten vëlla se njeriu vetëm një jetë ka!...
Unë mendoj se prirja e talenti i njeriut nuk shfaqet vetëm në fushën e artit e të krijimit artistik, por edhe në fusha të tjera. Sipas meje edhe një fermer, bletar, blektor, furrtar apo i ndonjë fushe tjetër që del i suksesshëm, i dalluar e i veçantë në llojin e vet është i talentuar,
Në këtë pikëvështrimi Agim Bejko ishte një fermer i talentuar.
Pas viteve '90, thirrjes së bashkëmoshatarëve e bashkëfshatarëve të tij në Çiflik për të ikur në emigracion nga sytë këmbët prej Shqipërisë, ai i përgjigjej:
- Pse të iki?... Deshëm pronën private?... E kemi... S'deshëm brigadierë mbi kokë?... S'kemi!... Deshëm liri fjale?... E kemi!... S'deshëm klon e luftë klase?... S'kemi!... Atëherë?... T'i përvishemi punës, toke e blektori morëm,... Të punojmë se për vete i kemi, hallvë nga qielli nuk bie!... Unë si Agim nuk vete gjëkund për të punuar, Greqi e Amerikë këtu i kam...
Dhe ashtu veproi. Përditë në punë me tokën. I pamërzitur, i papërtuar. Mbi njëmijë rrënjë mandarina mbolli. Qindra ton prodhime prodhoi e shiti. Jo shtëpi, por vilë ndërtoi.
Rri rehat se në shtëpinë tënde je...
Në shoqërinë e vëllaI të vogël të Agimit, publicistit të njohur Bardhyl BejKo, bashkë me gazetarin Agron Mema një paradite u gjendëm në shtëpinë e të ndjerit në fshatin Çiflik të Bashkisë së Konispolit. Të thuash: "na priti me të gjitha të mirat" është pak e të duket sikur s'ke thënë aq sa duhet. Agim Bejko na priti si vëllezër të tij, na priti si NJERI. Asgjë s'mungonte në atë shtëpi - vilë dhe asgjë nuk kurseu i zoti i saj për t'ua servirur buzëgaz e me mirësjellje shembullore miqve që i bujtën atë mëngjes. Si tani e kam para syve pamjen e Agimit në ato momente. Ndezi një zjarr bubulak në oxhak e na vërejti i qeshur. Sa i afërt, i ëmbël, i bukur, njerëzor kur na thoshte e na nxiste vazhdimisht:
- Hiç mos kini qeder, rrini si në shtëpinë tuaj...
- Hani e pini pa drojë... asnjë siklet të mos keni!..
- Ka sa të doni... po lëvize këmbë e duar, ha bukë e lakruar...
- Mos më kurseni... do më mbetet qejfi nëse do lini gjë pa mbaruar në tavolinë...
Dhe tavolina ishte dinga me të gjitha të mirat e dheut.
Në një moment më tha mua duke më shkelur synë:
- O djali i Bajramit e i Fetes... rri rehat se në shtëpinë tënde je!
Dhe kujtoi me mall kohën kur familjet tona s'kishin të ndarë nga njera tjetra.
Na nxorri për vizitë edhe në plantacionet e veta me agrume: mandarina, portokalle, limona. Ç'të shikoje!... Një det i gjelbër. Ngjyra e verdhë e kokrrave u ngjante pendolirave të përrallave popullore jugore. Agimi nuk lodhej duke na lutur që të merrnim me vete për familjet tona sa më shumë. Dukej sikur na lutej që të mos kursenim, të mos lodheshim, po të merrnim e të merrnim. Kuptohet, pa pagesë, dhuratë prej zemrës së tij tejet të gjerë e të mirë.
E falenderuam, por na duk shumë pak në raport me fisnikërinë e tij të sinqertë.
Engjëllja Ornelë...
Thuhet se dikur jetonte një zotëri i kamur, human, i drejtë, bukëdhënës. Asgjë nuk kursente e nga goja nuk nxirrte asnjë fjalë të keqe. Të gjithë ia kishin zili këto vityte që zotronte, por patën vënë re se ai shpesh psherëtinte. Kur të njohurit dhe mirënjohësit, e dëgjonin, ngrenin supet të habitur se u vinte ligsht. Një ditë s'duruan dhe e pyetën:
- Lum si ti, i ke të gjitha të dorës, të mendjes e të shpirtit.... Atëherë, pse psherëtinë ndonjëherë o njeri?
Neriu i mirë i vërejti me dashuri, por buzëqeshja e tij e përhershme kësaj here ishte si e lënduar. U tha:
- Eh, unë i ziu e unë mavria, kush i di hallet e mia!... S'ka të gjallë pa një hall... dukja mban e zemra qan!...
Edhe Agimi që lindi e jetoi i buzëqeshur si agim pranvere, psherëtinte. Rrallë përballë të tjerëve e shpesh kur ishte vetëm. Pse psherëtinte, cfarë i mungonte këtij njeriu të dashur e të mirë?...
Eh, e kishte një brengë edhe Agimi!... Brengë e madhe, e dhimbshme, lëndim të vijueshëm...
Bija e tij e dashur, e bukur si ëngjëlle Parajse, e pafajshme si një foshnë... qe e pafatë për të qënë banore e shëndetshme e Tokës. Ëngjëllja Ornela Bejko e pati kryqin e fatit të thyer që njomzake. Ajo erdhi në jetë si fëmijë me aftësi ndryshe. Agimi nuk la derë e portë të shërbimeve mjekësore pa trokitur duke kërkuar shërim për bijën e vet të pafajshme... Por kur të godet kamxhiku i fatit, edhe shërbimi mjekësor është i pamundur.
Prindërit u lidhën fort pas kësaj krijese ëngjëllore. I ati Agimi, iu përkushtua deri në sakrificë dhe Ornela fatkeqe nuk ia ndante sytë e nuk ia shkëpuste dorën. Ati dhe bija krijuan një kohezion shpirtëror të përhershëm si tek qëniet e pandara siameze...
Agimi nuk u kursye asnjë cast për t'i shërbyer dhe Ornela fluturonte nga lumtura kur e kishte pranë.
Ikja e njëkohëshme
Ikën nga kjo jetë pothuaj njëkohësisht. Dukej sikur s'mund të merrnin frymë pa njeri tjetrin. Emërues të përbashkët largimi i tyre pati virusin Covid. Dhe kur?... Çuditërisht, atëherë kur nuk pritej, kur ishte dobësuar disi, kur po merrte kthesën e heqjes dorë nga jetët e njerëzve. Keqardhje e skajshme.
Ornela e la jetën kur Agimi nuk ishte. Qe shtruar në spital për kurim anticovid.
Agimi u largua nga jeta pa e ditur që bija e dashur s'qe më...
Përsëri fati i keq s'qe i mëshirshëm, por këtë herë për të dy.
Edhe për Ornelën...
Edhe për Agimin...
Megjithatë, të dy: atë e bijë kishin emrin e madh NJERI...
* Shkrimtar
Comments