top of page
Search

Përmbi liqen

Nga Merita Paparisto


Përmbi liqen


O masë e ujshme shpirtrash

përmbi suprinë e nën të…


Prej uji, si ty jam edhe unë

në më shumë se gjysmën time

dhe si avull do t’i kthehem qiellit

në një re të kaltër në cep të tij

kur koha të vijë


Pjesa e mbetur,

rrugë të shtrembëra,

gardhe,

shputa këmbësh

të gjakosura në vallzim,

troku dhe hingëllima e një kali

në bregun tënd,

degët e shelgjeve lotuese

të mbira mbi flokë

dhe mjellmat e zeza,

të gjitha,

të gjitha do t’i kthehen tokës


Zogjtë e egër të ujit

krokasin mbi suprinë.

O masë e ujshme shpirtrash

a e dëgjon edhe ti si unë

zërin e hollë e të fortë

me nota të larta

që më thërret me emrin tënd?


© M.P.

Comments


bottom of page