top of page
Search

Përvjetorët - opinion nga Gladiola Jorbus




Të gllabëruar nga rutina e së përditshmes, të gjitha çiftet që jetojnë përvojën e familjes duhet të gjejnë pak kohë për të kujtuar arsyen pse janë së bashku. Vërtet që midis punëve, fëmijëve, problemeve shëndetësore, zhurmës së medias e teknologjisë që na rrethon, mund të paraqiten vështirësi për të festuar një përvjetor.

Pavarësisht gjithçkaje, ai mbetet një moment kuptimplotë për çdo çift në botë.

Në fakt, zgjedhja për t’u martuar nuk është tërësisht personale, pasi ajo përveç se përfshin dy persona, përfshin dy familje dhe konsiderohet absolutisht si gur themeli për çdo shoqëri e besim fetar. Por ditën e madhe, fatmirësisht mund ta përkujtojmë sërish, ashtu si datëlindjet. Në fakt, çdo përvjetor martese meriton të përkujtohet nga çifti si një ditë e madhe. Një tjetër vit plot sfida, andralla, probleme financiare, kënaqësi, shqetësime, çaste të paharrueshme e çaste që dhembin, por gjithnjë ishte një sup pranë teje dhe një dorë që s’të lëshoi kurrë.



Celebrimi i përvjetorëve është një traditë me origjinë gjermane e periudhës së Mesjetës. Ditën në të cilën, çifti festonte 25-vjetorin e martesës, shtëpia mbushej plot miq e të afërm, dhe nusja tashmë një çerek shekulli më “e pjekur”, mbante një kurorë argjendi. Kjo shërbente për të falenderuar fatin e mirë për jetëgjatësinë dhe harmoninë e marrëdhënies në çift. Ndërsa në rastin e festimeve të 50-vjetorit, nusja vinte në kokë një kurorë të artë. Pikërisht, këta përvjetorë jubile njihen si martesë e argjendtë dhe martesë e artë. Ata vazhdojnë të quhen kështu, edhe sot e gjithë ditën. Me kalimin e kohës, tradita gjermane për të dhuruar simbole që lidhen drejtpërdrejt me data të veçanta të jetës së përbashkët, u përqafua nga mbarë bota perëndimore.

Etapat më të rëndësishme të martesës dhe simboli për secilin përvjetor renditen si më poshtë:

Përvjetori 1-rë i martesës – pambuku

Përvjetori 5-të i martesës - druri

Përvjetori 10-të i martesës - bronzi

Përvjetori 15-të i martesës - porcelani

Përvjetori 20-të i martesës - kristali

Përvjetori 25-të i martesës - argjendi

Përvjetori 30-të i martesës - perla

Përvjetori 35-të i martesës - korali

Përvjetori 40-të i martesës - rubini

Përvjetori 45-të i martesës - zafiri

Përvjetori 50-të i martesës - ari

Përvjetori 55-të i martesës – smeraldi

Përvjetori 60-të i martesës - diamanti


Mirëpo, shumica e grave, në lidhje me këtë argument, përballen me një fakt që u jep pak bezdi. Shpesh ndodh që burrat të shfaqen indiferentë ndaj emrave dhe datave të datëlindjeve, përvjetorëve etj. Kjo është provuar shkencërisht dhe nga një hulumtim i Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, të botuar në revistën BMC Psikologji.


Profesor Jostein Holmen dhe ekipi i tij kanë kryer një studim në shkallë të gjerë, që përfshinte rreth 37 mijë njerëz, të cilëve iu është dhënë një pyetësor me nëntë pyetje mbi aftësinë për të kujtuar. Gratë kanë rezultuar më të suksesshme se burrat në këtë testim. Eh, burrat! Përveç të tjerave, edhe shkenca i justifikon.


Pavarësisht nga gjithçka, të festosh një ditë të shënuar dhuron gëzim, e sidomos kur bëhet fjalë për lidhje afatgjata e të shëndetshme, për martesa që shërbejnë si modele për t’u ndjekur. Jeta e sotme moderne ka vërtet nevojë që herë pas here, të ndalë vrapin e të kthejë vështrimin nga ato modele aspak démodé, që kanë rezistuar në kohë duke u bazuar tek ndershmëria, toleranca, respekti për njëri-tjetrin, aftësia për kompromis, argëtimi së bashku. Në fund të fundit, formula e të jetuarit është vetëm një. Të gjithë duan të plaken të rrethuar nga fëmijët, nipërit e mbesat.

Comments


bottom of page