Kam më shumë se 14 ditë e mbyllur në shtëpi. Fati i mirë e deshi që të isha pranë prindërive të mi në Gjirokastër. Kam humbur sensin e orëve dhe të ditëve të javës, por kjo nuk përbën problem, pasi sa herë më kërkohet diçka, unë punoj pa përtesë nga shtëpia. Fle, ushqehem, shikoj tv, lexoj, punoj, ushtrohem, merrem me ndonjë punë të vogël shtëpie kur e lyp nevoja, çdo ditë ndjek të njëjtin cikël robotik.
Gjëja më e veçantë që mund të bëj brenda katër mureve është të dal në ballkon dhe të sodis qytetin. Marr një lëng dhe mund të rri aty me orë duke vështruar me kujdes natyrën.
Kam vënë re që lagjia ku banoj, nuk qënka aq e shkretë sa e pandehja. Me ardhjen pranverës, kam parë që poshtë pallatit kemi një rrip të blertë, ku bashkia e qytetit ka mbjellë pemë dekorative; ato variojnë në ngjyrë vjollcë, të gjelbërt, në ca të tjera kanë çelur lule të bardha duke i dhënë pamjen e një kurore pemës.
Pak më tutje sipër në Kodrën e Shtufit shoh qiparisat shekullorë që hera herës i valvit era, pastaj ca lule të verdha, luledele… e gjithëçfarëlloj.
Habitem me veten, si ka mundësi që nuk i kisha parë më herët? Kush i solli kaq shpejt xhanëm? Hedh vështrimin nga qielli dhe shikoj pëllumbat e gjitonit tek pallati përballë, shikoj ca zogj që ulen të pushojnë tek parvazi i ballkonit tim dhe cimbisin thërrimet e bukës.
Unë me një vështrim tinzar dhe djallëzor afrohem vjedhurazi të kap zogun që është më afër meje. Sakaq më shpëton për pak nga duart.
- Paska qëlluar i zgjuar - mendoj me vete. Ai ia di vlerën lirisë!
U desh ky episod që të më ngacmojë vetëdijen dhe të filloj të mendoj për gjërat që i kam patur përditë para syve dhe i kam nënvlerësuar me shkujdesje. Luftoj në monolog me veten, unë që mbahem se kam një ndjeshmëri të lartë ndaj fenomeneve që më rrethojnë.
Natyra nuk ka gojë e gjuhë që të artikulojë fjalë, e përsëri na flet me gjuhën më të thjeshtë. Natyra nuk ka nevojë për internet që të riciklojë vetveten…mjafton të bjerë shi ose dëborë dhe të pastrohet ajri, mendo pastaj çdo të ndodhte po të reduktoheshin gazrat e fabrikave dhe automjeteve.
Akujt shkrihen në pole në ‘shenjë proteste’, pyjet e Amazonës marrin flakë në ‘shenjë proteste’, shoqëritë e ndryshme të botës shkunden nga tërmetet e njëpasnjëshme e qeveritë dhe aktorët e tjerë globalë nuk e ndalin hapin e tyre olimpik.
Mania e korporatave të mëdha , të mpleksura këto edhe me interesa të ngushta gjeopolitike për fitime, nuk di të ndalet.
- Vallë brezi ynë çmimin e kujt është duke paguar?
Kam parë që numri i shoqatave ambjentaliste është shtuar në dhjetëvjeçarin e fundit, ngaqë emergjenca për veprim është rritur. Jo më larg se nëntorin e vitit të kaluar, në një vizitë për të pushuar në Milano, pashë me qindra të rinj që kishin pushtuar qendrën e qytetit me banderolat e tyre duke uluritur me megafon për plagët që i kemi shkaktuar shtëpisë sonë të përbashkët. (edhe ne vendin tonë për hir të së vërtetës zëri i aktivistëve dhe qytetarëve është ngritur).
Ata po thoshin një të vërtetë.
Por sa po u dëgjohej dhe merrej në konsideratë lind pyetja?
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka me mijra programe që promovojnë të qënurit mik me natyrën, madje kjo e fundit përfshihet edhe në Objektivat/qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) 2015-2030, gjithësej 17 objektiva me moton për të mos lënë asnjë vend pas. Të miratuara e të pranuara nga të gjitha shtetet anëtare; ku disa prej tyre me indiferentizëm nihilian, sillen sikur nuk po ndodh asgjë. Arritja e SDG-ve kërkon partneritete ndërmjet të qeverive, sektorit privat, shoqërisë civile dhe qytetarëve në mënyrë që t’u lëmë një planet më të mirë brezave të ardhshëm. Sipas një studimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë (FAO), i cili ka analizuar ndotjen e tokës në disa zona të planetit.
Del në përfundimin se ndotësve që kanë përmbajtje të lartë kimike duke ndikuar drejtpërdrejt tek të mbjellat e si përfundim në organizmin e njeriut. Këto kimikate konsistojnë jo vetëm në ato që vetë bujqit i hedhin tokës për të përshpejtuar prodhimin dhe fitimin, që shpesh herë tejkalohet limiti i caktuar, por edhe në mbetjet e fabrikave, në mbetjet urbane etj.
Kjo ndotje ka efekt të drejtpërdrejtë duke prishur balancat e ekosistemit e si rrjedhojë shtohet numri i sëmundjeve onkologjike në popullatë. Nuk është e nevoshjme të kesh formim mjekësor për të kuptuar këtë logjikë të thjeshtë.
Të gjithë duam të jetojmë dhe ushqehemi shëndetshëm, të kënaqemi duke shëtitur në natyrë, të dëgjojmë cicërimat e zogjve, të mbushim mushkëritë më ajër të pastër…të gjithë duam të marrim ….
Ndjej keqardhje për atë që përfaqësoj ‘homeosapiensin e pagdhëndur’! Mbase të qëndruarit e mbyllur ca kohë në kafaz, na ka bërë mirë!
*Blerina Serjani: Specializuar ne te Drejten Nderkombetare dhe Europiane
Comments