top of page
Search

Reportazh: Shëngjergji i Tiranës që vetë po kthehet në ‘kryeqytet’ tjetër.


Vetëm 1 orë nga Tirana, mes një peizazhi që gjelbëron në pranverë dhe harbon me ngjyrat më të bukura në vjeshtë, ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës. Nga Tirana deri në fshatin Shëngjergj rruga është e gjitha e asfaltuar dhe për afro 30 km gjarpëron mes disa bukurive pikante të peisazhit, që normalisht duhet të përshkosh qindra kilometra në Shqipëri për t’i zbuluar e shijuar. Për të mbërritur deri në fshat, përveç udhëtimit me makinë private, Bashkia e Tiranës ka mundësuar edhe transportin e rregullt publik. Pasi lë pas bukuritë mahnitëse të Malit të Dajtit, përpara nisin të shfaqen male, pyje, përrenj, të cilët e bëjnë gjithnjë e më të freskët udhëtimin. Malësia e Tiranës paraqet shumë karakteristika, me mundësi të shkëlqyera për turizmin malor. E në këtë sens Shëngjergji duket se është kërthiza e kësaj joshjeje turistike.


Distanca e afërt nga Tirana i jep avantazh që të sigurojë prurje vizitorësh. Gjithnjë e më shumë vihet re se banorët e zonës po përpiqen të shfrytëzojnë potencialet piktoreske të natyrës, me gatimet dhe mikpritjen karakteristike të zonës. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës gjatë këtyre katër viteve të fundit ka kthyer vëmendjen duke realizuar një sërë investimesh të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës duke i dhënë një impuls zhvillimit ekonomik të zonës dhe rritur optimizmin e banorëve të saj për ta ndërtuar jetën aty. Turizmi familjar është bërë kryefjalë në Shëngjergj, aq më shumë që Shëngjergji bën pjesë tashmë në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë, ku përparësi kanë projektet në fushën e agro turizmit.

Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peisazhit, por edhe e mundësisë për pak freski e pse jo dhe për tu kredhur në ujin që rrëshqet rrëmbimthi mbi shpat. Ujëvara e Shën Gjergjit është shndërruar në një destinacion të lakmuar për kryeqytetasit, si dhe turistët e huaj, që gjithnjë e më shumë po vizitojnë zonën. Ujëvara gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Ajo furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe ushqen me ujë përroin, uji i të cilit përdoret dhe për vaditje.


Pasi lë pas Ujëvarën e Shëngjergjit, si dhe disa lokale përgjatë rrugës ku nuk mungojnë dhe ambiente të improvizuara për plazh natyral përgjatë përroit të Shëngjergjit, për afro 10 minuta je në qendër të fshatit. Në vështrimin e parë ajo që të bie në sy janë disa ndërtime lokalesh për të cilat duket se janë bërë jo pak shpenzime, por që janë larg ndërtimeve karakteristike të zonës. Ky realitet pritet të ndryshojë shumë shpejt, pasi falë insistimit të Bashkisë Tiranë, do të risktrukturohet e gjithë qendra e fshatit, duke i dhënë vlerat tradicionale, për ta bërë atë sa më të lakmueshme për turistët vendas dhe të huaj.

Vetëm pak metra larg qendrës të kap syri një ndërtim, i cili dallon se është një përzierje mes arkitekturës klasike, pra që ruan traditat e zonës, dhe asaj moderne. Ajo mban emrin Bujtina “Tomadhe”, i cili është edhe emri i hershëm i Shëngjergjit, që profesor Dhimitër Shuteriqi e përcakton si vendbanim me kuptimin “Dheu i Tomës”. Bujtina “Tomadhe” ka përfituar dhe nga skema mbështetëse kombëtare për bujqësinë në funksion të agro- turizmit, financuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet AZHBR-së.


E gjithë vila është ndërtuara me gurë dhe dru. Në sallën e pritjes ka një oxhak modern dhe nga dritaret shquan një peisazh të mrekullueshëm të zonës. Poshtë ka një qilar ku mbahet vera në kushte të freskëta, si dhe një tavolinë të gjatë ku mund të konsumosh verë në freski natyrale, por është dhe ambient shumë miqësor e intim. Nuk mungon edhe një pishinë, e cila e bën shumë më argëtuese pushimin në këtë bujtinë. Bujtina “Tomadhe” është bërë mjaft e njohur tashmë jo vetëm për vizitorët nga Tirana që vinë gjatë fundjavës, por edhe për shumë të huaj nga vende të ndryshme të botës. Tek përgatisnim këtë reportazh ne patën rastin për t’u takuar me një grup turistësh britanik që kishin zgjedhur Bujtinën “Tomadhe”, dhe që nuk ngurronin të flisnin me superlativa jo vetëm për bujtinën, por edhe për peizazhin e mrekullueshëm të zonës dhe gatimet tradicionale, si mishi i kecit, pilafi me grurë të thërrmuar, fërgesa tipike e Tiranës, si dhe bulmeti BIO, të cilin e gjejnë te “Baxha” në qendër të Shëngjergjit. Bujtina “Tomadhe” është e rrethuar nga ujëvara e Shëngjergjit dhe liqeni i Lepurit, i cili është vetëm 30 minuta larg.


Bashkia e Tiranës ka projektuar dhe ka hyrë në fazën e realizimit, që fshatrat e zonës së Shëngjergjit të kenë një sërë investimesh të rëndësishme. Ka qenë insistimi i Bashkisë së Tiranës që zona e Shëngjergjit të përfshihet në projektin e qeverisë të 100 fshatrave, dhe Shëngjergji të ishte kurora e këtij projekti për Tiranën. Por projekti nuk ndalon këtu. Shumë shpejt pritet të nisin punimet nëpër fshatrat e tjerë të zonës, nëpër shtigjet ku kalojnë turistët, tek ujëvarat, tek kalatë e vjetra, dhe në shumë nga vendet atraktive të të gjithë krahinës. Shëngjergji duket se do të jetë bahçja e Tiranës, jo vetëm për domatet më të mira që bën në vend, por edhe për turizmin në Malësinë e Tiranës.



コメント


bottom of page