Nga Hekuran Halili
A- Themelet
Ndërtimi i shtëpisë është një ngjarje e madhe , e rëndësishme, pse jo, edhe e vështirë, jo vetëm e familjes që e ndërton, por edhe e fisit, gjitonëve dhe më tej.
Populli këtë lakonikisht e ka thënë: -Vresht dhe shtëpi, s’bën çdo njeri...
Kjo , jo vetëm për nga madhësia e shpenzimeve të bëra, por instiktivisht a i ndërgjegjësuar , njeriu kur hedh themelet e shtëpisë së tij, hedh themelet e jetës së vet dhe të atyre që do lindin e do t’i trashëgojnë, ndaj mendohet shumë.
Për t’i dhënë rëndësinë dhe madhështinë kësaj ngjarje jetësore, njeriu në kohra ka menduar dhe praktikuar një sërë ritesh, zakonesh, traditash , për ta bërë të gjithë proçesin e ndërtimit të shtëpisë të bukur, të gëzueshëm, të pa harrueshëm.
Nisur nga mendimi dhe dëshira që këto rite e zakone të mos harrohen ,se kanë brënda shumë jetë, gëzim, vlerë, histori, po marr inisiativën të shkruaj e publikoj disa prej tyre që bëheshin e bëhen në krahinën tonë edhe sot.

1. Ceremonia e ndërtimit të themeleve.
( Themelia)*
Është rit pagan i hershëm dhe nuk ka të bëjë me besim fetar katolik, orthodoks apo mysliman.
Paganizmi i ritit zë fill që kur njeriu besonte në shumë zota e, për ti marrë me të mirë ata që ti ndihte në përditshmërinë e tyre e ti mbronin nga e keqja, u bënin kurbane lloj lloj kafshësh, por kryesisht dele, desh, lopë, dema, sa më të bukur, sa më të rritur, që perënditë ti pranojnë.
Nga Iliada e Homerit na vinë dëshmi që nuk kanë munguar edhe fëmijë të bërë kurban, por edhe në folklorin e mitologjinë shqiptare, gjejmë raste të tilla, si themelosja e Rozafës në ndërtimin e kalasë së Rozafës, apo themelosja e vashës gjeraqinë tek themelet e urës së Artës.
Si bëhet ky rit që shkurt i flasin , themelia, në zonën e jugut, kryesisht në Çamëri?
Ka përfunduar piketimi dhe hapja e themeleve , të cilat janë kontrolluar nga kryeustai, i cili zakonisht është edhe projektuesi në konsultë me të zotin e shtëpisë.

(Bëhet fjalë për shtëpi të ndërtuara në fund të shekullit tetëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë)
Janë marrë të gjitha masat që kërkon proçesi i ndërtimit të murit të gurit, si sjellja e gurit në objekt, e rërës, e gëlqers, ujit, etj.
Llaçi bëhej me gëlqere të shuar të paktën gjashtë muaj , e mbuluar me bar të thatë e mbi të rërë të imët ose argjil.Çimento nuk kish në ato kohra.
I zoti i shtëpisë , kryefamiljari, thërret vëllezërinë,, motrat, krushqinë, gjitonë në këtë ditë që do filloj muratura e themelit. Ngarje e shënuar.
Ka gjetur kurbanin, një dash, mundësisht i zi, me bri të mëdhenj, mbi tre vjeç,
E lidh me një litar të bukur në pemën aty afër , mer edhe një burrë të zot që di të ther e rrjep mirë, që kafsha të mos mundohet kur theret.
Krye ustai me ustallarët zgjedhin gurët e sheshtë e të mëdhenj dhe i shtrojnë në rreshtin e parë të themelit, në takim me tokën( tabanin) , në gjithë gjërësinë, pa shtruar llaç, i sheshojnë, i ngjeshin mirë në të gjithë perimetrin e banesës.
Me të mbaruar shtrimi i rreshtit të parë të gurëve, delja apo dashi i zgjedhur theret nga njeriu i zgjedhur që dinë ta bëj mirë këtë punë , me kokën mbi themel, në mënyrë që gjaku të derdhet mbi gurët e shtruar në themel .
Me kurbanin në dorë shëtitet në të gjitha qoshet e shtëpisë që vaditen me gjak.
Kurbani merret , rripet, dhe piqet në hell,të brëndëshmet bëhen kukurrec e shtrohen në drekën që shoqëron ritin.
Kryeustai, ustallarët, të gjithë të ftuarit, urojnë kryefamiljarin e të zotët e shtëpisë
me lloj lloj urimesh. Zakonisht urohet në këtë mënyrë:
- U bëfshin të forta e të larta si kala,- i gëzofshi,u shtofshi dhe i trashëgofshi brez pas brezi,- Me gëzime, me shëndet, me bereqet, - U bëfshin të bukura si nure, plastë syri i keq,- Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë,- Me krahë të lehta... etj ,etj.
Pataj riti vazhdon në këtë mënyrë.
Mbi rreshti e parë me gur, në pjesën ballore të shtëpisë, hidhet e hapet llaçi, në një gjatësi 6-7 m nga kryeustai.
Të gjithë të pranishmit, burra e gra, duke filluar nga kryefamiljari, hedhin mbi llaçin e shtruar monedha metalike, disa prej tyre edhe napoleona floriri.

Në sytë e tyre ustallarët i mbulojnë me gurët e zgjdhur për rreshtin e dytë të muraturës së gurit për themel, murëzohen ato, dhe fillon puna për mbushjen e themeleve të shtëpisë me muraturë guri.
Zakonisht, baraz me drake,muratura ka dalë në nivelin e tokës, mbasi themelet nuk bëhen më të thella se 1.5m, dhe të gjëra 0.7-0.8 m, në varësi të llojit të tabanit të tokës dhe kateve të shtëpisë.
Ceremonia vazhdon me drekën. Ustallarët lënë veglat mbi murin e gurit, lajnë duart, dhe ftohen në drekë nga i zoti i shtëpisë.
Dreka shtrohet jashtë nën hijen e pemëve, sepse zakonisht kohë e mirë zgjidhet për mbushjen e themeleve .
Në drekë marrin pjesë burrat e shtëpisë, të gjithë ustallarët, të ulur sipas kësaj radhe, mbasi edhe këtu ka rregulla e zakone .
Në krahun e majtë të kryefamiljarit zë vend kryeustai ,e me radhë në krah të kryustait, ustallarët sipas moshës por edhe sipas aftësisë profesionale,
Në krahun e djathtë të kryefamiljarit zë vend vëllezëria, krushqia, gjitonia. Bëhet me të gjithë një rreth i madh.
Në sofranjet që shtrohen , secili ka sahanin e vet, me mishin e pjekur, me të brëndëshmet, me djathra, qahira e byreqe që i përgatisin graria. Për pije zakonisht përdorejt raki , me shishen e vet secili, shishe të vogla, 300-400 gramshe.
Pasi zinë vend të gjithë, drekën e hap i zoti i shtëpisë dhe bën urimet e rastit. Zakonisht urohet në këtë mënyrë:
Urohen të parët ustallarët.
U lumshin krahët, mos u lodhshi, pikë gjaku mos u rënt, t’ju rrojnë gjithë ç’kini në shtëpitë tuaja, në gëzime e të mira..!
Pastaj uron kryeustai pak a shumë me urimet me të cilat nis e riti i themeleve.. Mbizotëron urimi.. I gëzofshi...!... Me krahë të lehtë...!
Dreka vazhdon me biseda, dolli, urime. Bëhem qyfire, shaka, hidhen romuze, ngacmojnë njëri tjetrin ustallarët që i kanë larg familjet e tyre , mbasi ndërtuesit në zonën tonë den baba den kanë qënë nga Opari dhe Leskoviku.
Me nam ka qënë Brahim Opari, që kish brigadën me dyzetë shpirt dhe ka ndërtuar pothuaj të gjitha shtëpitë e dyerve të mëdha në krahinë.
Pjestarët e tjerë të familjes, gratë e fëmijët e shtrojnë drekën brënda, dhe ato duke gëzuar e uruar.

Në këtë ceremoni është e rëndësishme që lëkura e kurbanit , me kokën me gjithë bri, të varet në një vend të bërë apostafat me dërrasa ose në ndonjë pemë, afër themeleve, dhe rri aty e varur sa mbaron shtëpia.
Në ditë që vinë vazhdon normalish puna për ndërtimn e muraturës deri ne mbarim të saj, që mbyllet me një korrnizë guri të dalë jashtë murit dhe e gdhendur bukur, mbi të cilën do mbështete çatia.
Edhe ndërtimi i çatisë ka ritin e vet , dhe është shumë i bukur e domethënës.
Ing. Hekuran Halili.
Sarandë 1980.
Comments