top of page
Search

Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës

Nga Gladiola Jorbus

Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës

 

Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor, me mësues të ndërgjegjshëm dhe të pasionuar, të cilët e nderojnë punën e tyre dhe realizojnë me përpikëri, orë të tëra mësimore.

Synimi kryesor është arritja e zhvillimit etik, intelektual, fizik, social dhe estetik të nxënësit, në mënyrë që të jetë i aftë të mësojë gjatë të gjithë jetës, të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë. Ky është njëkohësisht dhe misioni i sistemit arsimor parauniversitar.

Zhvillimi i gjithanshëm i individit dhe aftësimi i tij si qytetar bëhet kryesisht në shkollë, ndaj arsimi duhet konsideruar si mundësipër të gjithë ata që duan të studiojnë, të kenë mjedis miqësor dhe të zhvillojnë aftësitë individuale. Shkollat dhe kolegjet duhet të shfaqin shembuj suksesesh shumëplanëshe; në disiplinë, përgatitje shkencore, olimpiada, sport, veprimtari artistike, shoqërore etj.

Mësuesi duhet të jetë i aftë të zgjojë dëshirat latente, ende të paçelura plotësisht tek brezi i ri dhe zhvillimin e mëtejshëm të prirjes a talentit.Buda, Krishti, Muhamedi, Konfuci të cilët cilësohen ndër figurat më të rëndësishme të njerëzimit, në thelb ishin mësues.

Shkolla duhet të jetë si një familje e madhe, ku të gjithë nxënësit të promovohen njëlloj.

Ajo duhet të zbulojë kapacitete dhe merita, aty ku duket se nuk ekziston asgjë. Marrëdhënia nxënës - mësues – prindër duhet të zhvishet nga konfliktet dhe keqkuptimet.

Sepse mësimdhënia nuk shërben thjesht për t’i mësuar diçka dikujt, por ajo gjithashtu përfshin dhe marrëdhëniet ndërpersonale, faktet, ndjenjat, mendimet dhe njohuritë e mësuesit, mendimet e nxënësve, përdorimin e shqisave dhe strategjinë e të mësuarit efektiv.

Dialogu është një formë komunikimi që qendron në themel të të mësuarit në grup. Ky ofron mundësi për nxënësin të mësojë nëpërmjet proceseve të të folurit dhe të të dëgjuarit, si dhe nëpërmjet të lexuarit dhe të shkruarit, rrit aftësinë mësimore, drejtuese dhe sociale të tij.

Sipas mësuesve, përdorimi i një metode të caktuar në mësimdhënie është në funksion të natyrës së lëndës që zhvillohet, të temës që trajtohet, të shkallës së vështirësisë së koncepteve që kërkohen të përvetësohen nga nxënësit, të dinamikës sociale të klasës e të tjera si këto.


Mësimdhënia dhe të nxënit janë procese komplekse dhe të vështira. Profesioni i mësuesit mbart problematika, devocion, por edhe kënaqësi.

Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor.


Njëri nga psikologët më të dëgjuar bihejvioristë XH. Watson thotë: “Më jepni një dyzinë fëmijësh të shëndetshëm dhe unë ju garantoj se do t’ju jap edhe mjekë, edhe filozofë, por edhe punëtorë të thjeshtë, edhe tregtarë”.

Kjo tregon më së miri rolin e madh që ka mësuesi në edukimin e një njeriu të devotshëm për një shoqëri në zhvillim.

Arsimi të dhuron protagonizmin në sfidën e madhe të çdo fëmije drejt dijes. Ky moment krize që ne jemi duke përjetuar mund të shndërrohet në një mundësi të madhe për të rifilluar së bashku.

Dhe për këtë duhen prindër të përgjegjshëm, mësues pasionantë, të profilizuar si didaktë, metodistë e psikologë të mirë.

Mësuesi kërkues thotë: Të ulemi së bashku dhe të shohim ku kemi gabuar. Ai u mëson nxënësve se nuk ka lëndë të thjeshta apo të vështira, por imponon pasionin për të mposhtur vështirësitë.


Mësuesi i vërtetë ka vetëm një moto:

Të gjithë kemi lindur për të mësuar dhe nxënësve të saj, iu mëson gjithnjë, të përdorin logjikën. Mësuesit duhet të shprehen: Këtu nuk do të përgjigjeni kur t’ju pyesin, por do të mësoni të bëni pyetje. Mbi të gjitha, stafi pedagogjik i një shkolle duhet të bëjë të pamundurën që askush të mos dalë prej saj, i paedukuar dhe i paqytetëruar.


Figura e mësuesit duhet rivlerësuar me seriozitet. Nëse duam që fjala dështim të zhduket nga arsimi duhet të kemi parasysh Jean Jaurès, i cili në lidhje me këtë thekson: Nuk mund t’u mësosh të tjerëve atë që di, nuk mund t’u mësosh as atë që do dhe as atë që pretendon se di; mund t’u mësosh veç atë që ti je.

Sepse një mësues i vërtetë është dikush që të meson, atë çka nuk gjendet e shkruar në libra.



Comments


bottom of page