top of page
Search

Roli Mesianik i Shqipes së Petro Zhejit nga Afërdita Zaja

Për rëndësinë e gjuhës shqipe kanë folur shumë nga rilindasit tanë si linguisti i madh Bilotta, K. Kristoforidhi, patrioti i zjarrtë Faik Konica, Spiro Konda që thotë se Shqipja është nëna e të gjitha gjuhëve, arbëreshët e shquar Vaso Pasha, Sami Frashëri që e emëroi Shqipen si më të vjetër se gjuha e vjetër greke apo latine, Naim Frashëri duke e quajtur atë gjuhë perëndije, linguisti i madh Jeronim De Rada i cili në Kongresin Botëror të Gjuhës Orientale hodhi tezën se gjuha Shqipe është gjuha e parë pra ‘La lingua primeva’.


Një nga fillosofët (në mos i pari) që përkrahu tezën se fjalët kanë në vetvehte një kuptim madje, se ky kuptim jepej me ndihmën e gjuhës Shqipe, ishte i madhi Leibnitz. Ai motivoi një gllosar të fjalëve gjermane me anë të gjuhës Shqipe e cila në atë kohë quhej gjuhë «epiriote», dëshmia e shkrimeve të tij gjendet tek revista e famshme e dikurshme ‘Albania’ e Faik Konicës. Studiues të tjerë të huaj të Shqipes ndër të tjerë janë edhe: Bopp, Johan Georg von Hahn, danezi Holger Pedersen që e quan shqipen një gjuhë të fuqishme, Benloew, Joseph Ritter von Xylander, Stier, Schneider, Rozny, Georgiev, Majami, i mirënjohuri Robert Elsie etj.

Por në këto kohë vetëm njëri ka arritur të nxjerrë rolin e saj real, të vërtetojë shkencërisht ato që teorikisht me të drejtë thuhen për shqipen.

Këtu do të flasim për rolin e vërtetë të Shqipes, të vërtetuar shkencërisht dhe rrënjësisht nga profesori im i nderuar unik, që ndër të tjera është edhe fillosofi më i mirë në Shqipëri, zbërthyesi i mistereve në dukshme të pamundura, matematicieni, fizikanti, mistiku modern, kozmologu, përkthyesi i gjuhëve të huaja konceptuale dhe ato simbolike, gjuhëtari më i madh që unë kam njohur ndonjëherë, modesti, i thjeshti dhe gjeniu Shqipëtar Petro Zheji. Epo të mbarosh masterin tek shtëpia e superprofesorit Petro Zhejit, nuk është pak! Unë me të vërtet kam mbaruar masterin në Norvegji, por ai nuk përfshin as 3 % të diturisë së plotë të cilin vetëm njerëzit si Petro, që e kanë diturinë të sosur mund t’ua mësojnë të tjerëve në mënyrë të përsosur.

Eh nuk është e lehtë të dëshmosh duke vërtetuar rolin e Shqipes, duhet të luftosh gjer në frymën e fundit duke qenë inspektor i saj besnik, duhet t’a duash atë me shpirt që të jesh në gjendje t’i lavdërosh meritat e saj reale. Për të pasqyruar vlerat e gjuhës Shqiponjë, duhet të kesh zemrën e një djellëluani dhe sytë e shqiponjës depërtuese në të gjitha shkencat e tjera pa asnjë kufi, duhet të kesh llogjikën e fillosofëve të mëdhenj si Hegel, Spinoza, Kierkegård, Heidegger etj., duhet t’i kesh të qenësishme gjuhët e lashta si Sanskritishten, Hebraishten, Greqishtjen e vjetër, Asirishten etj. Duhet të kesh dell për të hyrë në trurin me shkëndija të shkencëtarëve modern kuantikë si Heisenberg, Niels Bohr, Wheeler etj. Duhet të hysh në laboratorin e zbërthimeve të fjalëve të koduara qoftë të biblës, kuranit, diturisë së vedave, të të madhit Thotë apo Hermes Trismegistus apo të kesh shkuar në vetë shtëpinë e Einsteinit dhe të kesh studiuar të gjithë jetën e tij.



Të gjithë e dimë se të lashtët komunikonin me gjuhën e nëndheshme të simbolit, nuk është ndonjë surprizë. Tek e fundit edhe shqiponja me dy koka simbol është. Por si çdo simbol edhe ajo përbëhet nga interpretime të ndryshme, si psh unifikimi i dy të kundërtave, dyshi bëhet një, unifikimi me burimin, arritja e trurit suprem shqiponjë etj. Prandaj çdo simboli të vetëm të Algoritmit Simbolik i korrespondojnë një sërë konceptesh apo interpretimesh të ndryshme dhe jo anasjelltas.

Çfarë roli ka në të vërtetë Gjuha Shqipe? Ku është veçantia e saj, përse në pemën e gjuhëve ajo si një prind i mohuar rrinë e veçantë ashtu poshtë afër rrënjës së pemës si e poshtëruar?

Për profesorin Petro Zheji, gjuha Shqipe luan rolin e «mesianikut» ose rolin e «psikopompit». Fjala e çdo gjuhe të botës pa përjashtim për t’u motivuar nuk shkon dot me këmbët e saj për tek Simboli, për tek gjuha e parë e lashtë e simbolit por i duhet një gjuhë ekskluzive dhe e veçantë që do t’a përcjelli atë tek Simboli, dhe kjo është Gjuha Shqipe. Gjuha Shqipe është një mjet me të cilin gjuhët e botës mund të arrijnë majën e majeve të tyre, Gjuhën e Simboleve prej të cilës kanë dalë.

Profesori ne videon në youtube (https://www.youtube.com/watch?v=qSIOabpW1Xk&t=2s) flet se Shqipja eshte gjuha më afër simbolit.



Le të sjellim ndonjë shembull. Tek Libri i Aforizmave lexojmë se:

Italishtja ‘tanto’ që do të thotë shumë, vjen nga rrënja shqipe ‘tan’, i cili pozon simbolin e të tërës, e të tanës O. Pra motivimi u bë me ndihmën e operatorit të lirë të Shqipes ‘tan’.

Gjithashtu në Italishten ‘contento’ që do të thotë i kënaqur, theksi semantik bie tek ‘ten’ që është përsëri Shqipja ‘tan’ e pra simbolikisht O, që interpretohet ndër të tjera si e gjitha, si Zoti, përsosje, lumturi. Pra siç na e shpjegon Shqipja, ne kënaqemi, lumturohemi kur nuk na mungon gjë, kur i kemi të gjitha, të tana (O) e pra kur kemi Zotin me vete. Në të njëjtën mënyrë etimollogjizohen edhe inglishtja continue (vazhdoj) apo distance (distancë, largësi)

Tek video e publikuar në youtube dëgjojmë gjithashtu atë që thotë profesori për etimollgjinë e fjalës ‘contento’ dhe ‘tanto’.

Roli Mesianik i Shqipes është roli që merr përsipër Shqipja, falë operatorëve të saj të lirë, që t’i përcjellë fjalët e huaja gjer tek simboli që ato përshkruajnë në mënyrë të “pavetëdijshme” ose të “vetëdijshme” . Themi të “pavetëdijshme” sepse gjuhët e huaja me mjetet leksikore që kanë, nuk i shpien dot fjalët e tyre për tek simbolet përkatëse dhe kuptimet i përshkruajnë në mënyrë inkoshiente. Shëmbuj:

Inglishtja bad (si edhe rusishtja beda, беда = fatkeqësi) mund të etimollogjizohen vetëm nga operatorët e lirë shqip ‘bë da’ pra bëj ndarë e cila na shpie tek simboli i ndarjes Ø që bën pjesë në kodin F, ku Ø = F = ●, dhe rrethi i zi (●) sipas Algoritmit simbolik interpretohet si fatkeqësi, mjerim, diçka e keqe. Asnjë nga këto pjesë be apo da , në Rusisht nuk është një operator i lirë. Nëpërmjet shqipes këtu del një vizion i lashtë i përbashkët i këtyre popujve të cilët mendonin se ‘ndarja është e keqe’, që vërtetohet edhe nëpërmjet fjalëve të shqipes të cilat lidhen nga ekuivalenca simbolike si tek fjalët gjysëm homonimike ‘ndaj ndyj, damun demon, pjesë pis, dam dëm’ etj.

Inglishtja dim (i errët), shqipja dëm, inglishtja damage (dëm, prishje), norvegjishtja dømme (gjykoj), fordømme (mallkoj), dum (jo i mencur), inglishtja damage (dëmtoj), frëngjishtja dommage, islandishtja dimmur (errët) lidhen të gjitha me Shqipen dam (i damun, i ndarë).


Njëkohësisht edhe Italishtja condannare (dënoj), inglishtja deny (mohoj) etj., vijnë nga Shqipja dan. Pra Shqipja dan zbulon misterin sipas së cilës ndarja qenka e ndyrë.

Sipas profesorit, konkluzioni është ky: “ Shqipja duhet të jetë më afër gjuhës së parë simbolike, se sa çdo gjuhë tjetër e gjallë ndër gjuhët e stërlashta dhe ajo është e vetmja gjuhë në botë që lejon përçimin e fjalës së huaj (si edhe të veten) tek simboli.

Nuk ka ndonjë gjuhë tjetër që të bëjë këtë shërbim, shërbimin e përçimit, shërbimin e «mesianikut» pra rolin e mesisë. Shqipja e merr fjalën konceptuale të çdo gjuhe qoftë dhe e shpie direkt tek një nga simbolet e Algoritmit Simbolik.

Po mirë, çfarë qenka ky Algoritmi Simbolik? Algoritmi Simbolik është multidimensional, ai kapërcen male territoresh dhe lundron pa ndryshuar thelb drejt dallgëve të fushave të tjera si ajo fillosofike, mitike, psikologjike, kozmologjike, metafizike, matematike, fizike etj. Sipas përkufizimit të profesorit: Algoritmi Simbolik është artikullimi llogjik i mendimit mistik.

Profesori duke shpjeguar evolucionin e gjuhës ndezi revolucionin e shkencës së gjuhësisë, duke nxjerrë në pah fillosofinë e vërtetë të gjuhës dhe duke krijuar në rradhë të parë Shkencën e Re të Etimollogjisë. Shkenca e Re e Etimollogjisë së Petro Zhejit na thotë se: «Fjala nuk referon tek e fundit tek një Koncept por tek një Simbol. Shkenca e re e etimollogjisë zgjidh misterin e polisemisë sepse fjalët e ngjashme homonimike apo gjysëm homonimike, në dukje të palidhura llogjikisht, referojnë në simbole ekuivalente pra në simbole që kanë një relacion. Ai sqaron nëpërmjet ekuivalencës simbolike përse e njëjta fjalë me dy kuptime të ndryshme pra psh. bisemia e shqipes dam do të thotë edhe dëm por edhe damje, ose trisemia (e njëjta fjalë me tre kuptime të ndryshme) si bie fjala shqipja ndaj që ka tre kuptime (shkak, arsye, damje). Petro Zheji shpjegon dhe vërteton se kuptimet e tyre të injoruara nga shkenca e gjuhësise në fuqi, janë në fakt llogjikisht të shpjegueshme nëpërmjet Shkencës së Re të gjuhësisë të themeluar nga vetë ai.


Ai thotë se Gjuha Shqipe do të ishte Gjuhë e parë (lingua primeva), ajo gjuhë mëmë ose së paku e afërmja e saj më e ngushtë më përfaqësuese, nga copëtimi i së cilës, si ai në sakrificën e madhe kozmogonike të një qenieje hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera të ndryshme erdhën e u ndërtuan mënjanë.

Marrim një shëmbull tjetër:

Inglishtja ‘fragment (copë), fracture (çarje), Inglishtja ’from’ ashtu si Norvegjishtja ‘fra’ (në kuptimin e prejardhjes) vijnë nga shqipja ‘Pre’ ashtu siç kemi në shqip ‘Prejardhja, nga një premje’.

Gjermanishtja ‘ändern’ (ndryshoj) vjen nga shqipja ‘â ndarë’, në të njëjtën mënyrë si norv. endre (ndryshoj).

Profesori shpjegon se si operatorët e lirë të shqipes si ‘ar’, ‘sy’, apo si operatori ‘gur’ me lidhjet e saj llogjike dhe mitollogjike ka të bëjë me fjalët po shqip si ‘grua, gjiri, siguri’ apo me italishten ‘giurare’ (betohem).

Profesori shpjegon se si të gjitha gjuhët gjermanike fjalën shtëpi e japin me psh. ang. home, norv. hjem, gjerm. heim dhe atyre i jep kuptim vetëm operatori i lirë i Shqipes *hymje, me hy*. Ndër të tjera tek *Shqipja dhe Sanskritishtja, pjesa e parë* e cila gjendet e përkthyer edhe në anglisht kemi fjalën gjermane ‘Heimat’ (at-dhe) e cila lidhet me Shqipen ‘Hymja e Atit’, paralelizmi i të cilës gjendet tek hebraishtja *Beth-El* pra shtëpia e Zotit.

Po tek ky libër si edhe në librat e tjerë të tij, jo vetëm që zbërthehen fjalët e lashta sanskrite nëpërmjet shqipes por edhe fjalë edhe emra të shenjtë në gjuhën hebraishte.


Tek libri *Roli Mesianik i Shqipes’ janë të motivuara mbi 800 fjalë nga të gjitha gjuhët e botës, po kush ka guximin t’i studiojë, zemrën e mirëkuptimit apo thjesht t’i shohë për qejf zbërthimet e Petro syshqiponjës apo qoftë edhe një mendje kritike të lehtë sa pupla e një shpendi të sapolindur. Rinisë nuk ju vë faj pasi janë tepër të zënë duke kapërdirë gënjeshtrat e thëna nga të paditurit e errësuar ose duke pirë kafe nën diellin e ngrohtë shqipëtar por jam e sigurtë ‘si guri’ që edhe ata do t’i preki një ditë e vërteta mbi gjuhën mëmë që ata përdorin kudo për t’u vetëshprehur. Shqipja është e vetmja gjuhë e gjallë nga të gjitha gjuhët tashmë të vdekura apo të pafolura. Ajo u ka rezistuar gjithmonë kohës, luftërave, therjeve gjuhësore dhe tokësore, gënjeshtrave bombarduese mbi origjinën e saj, e jo më t’u rezistoi të paditurve të sotëm që vetëm në sipërfaqe duket sikur kanë fuqinë e mbretërisë së saj.

Algoritmi Simbolik është tërësia e figurave simbolike në të dy kodet (E dhe F) bashkë me të gjitha rrezet e spektrave të tyre semantike si edhe me të gjitha ekuacionet simbolike të mundshme dhe interpretimet e tyre.


Algoritmi Simbolik sipas përkufizimit të profesorit është Strukturizimi apo Artikullimi llogjik i mendimit mitik (mistik) për të gjitha degët e dijes njerëzore. Mendimi mitik është mendimi i fillosofirave dhe feve të lashta. Ai ka qenë i njëjtë për të gjithë botën e lashtë dhe të stërlashtë. Petro Zheji thotë se Gjuha ka lindur në një kohë kur vizioni që sundonte në tërë botën ishte ai mitik (sikundër është ende sot, në kohën tonë, ai racional e shkencor). Del se lidhjet mitike që shkenca klasike e etimollogjisë s’i ka përfillur, janë më të hershmet, më të thellat e pra më të qenësishmet.

Pak më parë thamë se *Nga ndarja vjen ndyrja*, por tani le të përmendim disa nga aforizmat e tjera të profesorit të nxjerra jo vetëm si fjalë të urta por si fjalë që kanë lidhje të padukshme por të thella e të vërteta, fjalë që lidhen nga ekuivalencat simbolike. Disa prej tyre të zgjedhura nga ‘Libri i Aforizmave’ janë:

Thelbi fle thellë

Dreqi ndreqi

Demoni i damuni

Me një krim krymja

Tek sosja gjendet përsosja

Me një puthje puthitja

Biri bëri

Kush do di

Zani Zuni

Shka lind âsht land


Gjuhët referojnë tek qendra. Duke ditur teknikën e Algoritmit Simbolik ti mund edhe të kalosh nga një gjuhë tek një tjetër, nëpërmjet asaj që quhet invarianti ndërgjuhësor. Ti arrin të kuptosh me këtë shkencë të re të gjuhësisë të themeluar nga Petro Zheji përse fjala italisht caldo (ngrohtë, nxehtë) dhe anglishtja cold (ftohtë) kanë kuptime të kundërta, apo shqipja ngrij dhe ngroh, apo ing. big (madhe) dhe irlandishtja big (vogël) kanë kuptime të kundërta. Për një vesh normal, tingëllon e pamundur dhe e çuditshme që të kalosh nga një aforizëm shqip tek Teoria e Einsteinit. Pak veta e dinë që Petro ka studiuar tërë jetën e tij, të tëra teoritë e Einsteinit madje i ka shkuar edhe në shtëpinë e tij (të bërë muze), dëshmia e të cilës është edhe në foton që po shikojmë. Petro me Algoritmin e tij Simbolik dhe me shpejtësinë e Shqipes, sigurisht që kapërcen limitet e dritës apo si të thuash limitet e gjuhësisë së deritanishme. Ai arriti të depërtonte dhe t’i zbërthente zbulimet më të fundit fizikës kuantike, kozmollogjisë moderne, fillosofitë e mendjeve botërore si Spinoza, Kierkegård etj. E pra kjo është shkurtimisht shkenca e Re e Gjuhësisë e themeluar nga i madhi gjeniu, që nuk e bën më nëna Petro Zheji!

Për më tepër mbi këtë shkrim ju rekomandoj të shikoni videon në youtube:


תגובות


bottom of page