top of page
Search

Rrethuar mes bujarisë dhe humanizmit të  përmetarëve / Agron Mema

-SHËNIME UDHËTIMI- Pak fjalë për emocione të mëdha, dhuratë e një përjetimi çasti nga një udhëtim.

Mirënjohja është vyrtit, madje nga shfaqjet më të larta të karakterit dhe sjelljes njerëzore.

Këtë duam të sjellim në këtë shënim udhëtimi për këta njerëz të thjeshtë, punëtorë e bujarë që shfaqin ndaj mysafirëve dhe ndajë vet brenda vetvetes në mardhëniet dhe komunikimin mes tyre në qytetin e Përmetit.

Në Përmet, në qytetin e bukur të trëndafilave, kongresit të shtetthemelimit të një Shqipërie në hapat e zhvillimit dhe hyrjes në një epokë të re qytetëruese, në qytetin e bilbilave dhe pyjeve të harlisur, të këngës popullore dhe zërave brilant dhe me tingujt e klarinetës së yllit shndritës së galaktikës së muzikës popullore, mjeshtrit Laver Bariu, të traditës së gatimit me shijet karakteristike të veçanta, në këtë qytet historik dhe romantik që të magjeps me magjinë e bukurisë së tij, gjen gjithshka të bukur që buron nga shpirti njerëzor.

Në Qytetin e Përmetit pulson jeta, ndonëse në përpëlitejet mbijetuese të pasojave të vetmisë dhe braktisjes tranzicionale, por ata njerëz që jetojnë aty, me bukuri fizike dhe shpirtërore harmonizuar aq bukur mes tyre dhe të shkrira në një, duket se këto brenga dhe fate sociale i përcjellin me tingujt vajtues e të paarritshëm të kabasë së Laverit të madh për ti përpirë vorbulla dhe vala e Vjosës kaltëroshe që gjarpëron luginës me ujërat herë të patra e herë të turbullta si vet jeta që rrjedh si kudo edhe në këtë qytet.

Janë ditë dimërore dhe qyteti duket pak i kërrusur, por jo i trembur nga i ftohti. Ndeshim në këtë magji dhe nuk ka forcë të të ndalë kthimin në këtë qytet po të udhëtosh rrugës nacionale nga Korça në jug të vendit. Qyteti të fton ta shijosh nektarin e tij. Guri i madh buzë Vjosës duket si një sofër gjigande që të mirëpret me bujarinë dhe fisnikërinë përmetare. Kthehemi për ta pirë një kafe përmetare, e pse jo edhe një gotë raki të famshme me emrin e qytetit apo liko përgatitur nga duart e amvisave përmetare që kurrë nuk e zbuluan sekretin e përgatitjes së tyre , por e trashëguan në breza mes vetes.

Një shije e veçantë në Përmetin e bukurisë përrallore dhe që i ka mundur ti shpëtojë masakrës urbane, falë kjo shpirtit fisnik dhe dashurisë ndaj bukurisë së qytetit të tyre, por edhe një vlerë njerëzore të këtij komuniteti që gjithshka e presin vetëm nga puna dhe djersa e ballit. Në Përmet, në fundshkurt. Një takim spontan nga një ndalesë e paprogramuar, por që në memorien tonë shënoi mbresa emocionale. Ndaluam tek kafja e Agim Hodos. Në mure janë ekspozuar vetëm foto të legjendës Laver Bariu. Duket sikur jemi në një bisedë me artistin e madh...


Papritur sirenat e alarmit të ambulancës na ndërpresin nga bisedat e zakonshme. Ç’të ketë ndodhur? Aksident? Jo, ato janë shumë të rralla në Përmet. Dikush tha se është një i sëmurë. Agimi iku duke na thënë të rrimë pa merak se kthehet shpejt. Kurioziteti nuk zgjati shumë si kudo në vendet e vogla.


Nënë Sanija, 83 vjeçe, pak metra më tutje lokalit ishte shtëpia e saj, ishte sëmurur me simptoma gripale dhe probleme kockore. Gjendja qe e rënduar, por ambulanca mbriti vetëm tre minuta pas sinjalizimit, falë dhe shkathtësisë dhe shpejtësisë së shoferit Arben Zekollarit dhe gadishmërisë së stafit mjekësor të spitalit, të sëmurës ju dha ndihma e parë duke instaluar paisjet e shërbimit të mjekimit urgjent në banesën e saj e pas kalimit të situatës emergjente ajo u trasportua për në spitalin e qytetit. Ndihma qe e shpejtë dhe në kohë dhe e keqja shëndetësore kaloi.


Shkuam dhe vet në urgjencën e spitalit të Përmetit, ku në këtë qytet të vogël rri në gadishmëri një personel i angazhuar totalisht në shërbim të jetës dhe shëndetit të banorve, ndonse me mangësi infrastrukturore, ata ishin të gjithë në këmbë, të gjithë në gadishmëri në shërbim të jetës dhe shëndetit të njeriut.

Na bën përshtypje komentet e pacientve dhe të familjarve të tyre në adresë të këtij stafi modest mjekësor. Kudo dëgjoje fjalët më të mira për mjekun e Rustem Kuko për përkushtimin e tij profesional e të papërtuar si fjalëmak e punë shumë me zemër të madhe ku lundron humanizmi. Dëgjoje për të papërtuarin Leonard Saqellarin që asnjë pacient nuk lë pa shoqëruar kur ata për ndihmë të specializuar mjekësore fluturojnë me helikopter drejt Tiranës, një sakrificë e madhe kjo.


Urgjenca e spitalit ka një personel mjekësor të pakët, por të përkushtuar dhe profesional, ndaj vendosëm ti përmendim me emra se janë sa gishtat e njërës dorë, por punojnë sa për dy duar. Janë k/infermierët Fatmira Gura e Leonard Saqellari sëbashku me infermierët Fatjon Zaimi, Arbër Velaj e Daniel Teme, të pakët por me një përkushtim human e shembullor, me orar e pa orar , në shërbim të banorëve të pakët, shumica e tyre e moshës së tretë,të mbetur në këtë qytet...Njerëz të përkushtuar, por nga ç’pamë e mësuam, duhet pak më shumë vëmendje, më shumë politika mbështetëse, përkujdesjeje e investimesh nga shteti në drejtim të këtyre mjekve dhe spitaleve lokale...


Largohemi nga spitali, por pas na ndjek djali i nënë Sanijes 83 vjeçare e saposhtruar në urgjencë, Dashnor Spahiu. Ai kërkon të kthejë mirënjohjen ndaj nesh. Na qeras dhe nga goja nuk i kursen fjalët falenderuese për gadishmërinë dhe shërbimin shëndetsor të mjekve të spitalit të Përmetit. Dukej në fjalët e tij një sinqeritet dhe mirënjohje për këta njerëz të përkushtuar ndaj jetës së njeriut.

Dhe neve largohemi nga Përmeti i bukur magjepsës gjithë emocione dhe përjetime të paharruara, por edhe me mendimin se pse duhet të themi e të shkruajëm vetëm të metat, apo të përhapim gjëra me opinione të rreme e jashtë realitetit në mosekzistencën e tyre dhe mos të themi edhe të mirat e kësaj jete shqiptare kur ato janë prezente, ekzistente, kur njerzit bëjnë përpjekje në përsosjen e së mirës deri në kufijt e pamundësisë?!

Faleminderit Përmet dhe përmetarë që krahas bukurisë natyrore dhe shpirtërore, traditës, bujarisë dhe mikpritjes, dini të jepni dhe këshilla të vyera për jetën. Agron MEMA


Comments


bottom of page