top of page
Search

“Rrëfenjashkence”, libri që shpjegon shkencën me gjuhën e fëmijëve“

REPORTAZH NGA NADA DOSTI

Një libër xhepi, i bardhë, dhe me një kopertinë me disa fëmijë të kulturave të ndryshme të cilët buzëqeshin. Ky është në pamje të parë libri: “ShkencëRrëfenja: Nëntë tregime përrallore për fëmijë dhe të rinj”.


Liberthi është produkt i hulumtimit shkencor, i cili percjell me një gjuhe jo-teknike dhe të kuptueshme për të gjithë, informacione që transmetohen nën kujdesin e ekspertëve të fushave të ndryshme të cilët fituan të drejtën e botimit të rrëfenjës së tyre falë një konkursi letrar në brendësi të një instituti kërkimor italian.

Libri është një përpjekje për t’iu përgjigjur pikëpyetjeve të shumë fëmijëve në lidhje me disa fenomene natyrore sipas gjuhës së tyre, si përshembull: çfarë do të thotë të kesh të drejtë; si arrijmë ta ndjejmë erën në lëkurë; si shfaqet ylberi në qiell; cili është dallimi midis mesazheve të fshehura në ADN; cili ishte mesazhi që shpalosi për botërat profeti Muhamed etj.

Një libër ku si bashkëautore është edhe shqiptarja Albana Çelepija* me tregimin e titulluar “La lezione dell’acqua – Mësimi i ujit”. Tregimi merr shkas nga keshilla e Profetit Muhamed (a.s): “Mos e shperdoro ujin, edhe nëse gjendesh buzë një lumi” dhe shtjellon në vija të pergjithshme jetën e Muhamedit (a.s), karakterin dhe pikepamjet e tij, për ata fëmijë që duan të njohin diçka rreth fesë së bashkëmoshatarëve të tyre muslimanë.

Vetë Magazine Fondazione Bruno Kessler e ka quajtur “Një rrëfim mbi bashkëjetesën ndërkulturore dhe ndërfetare dhe mbi mesazhin paqësor të Profetit Muhamed nën kujdesin e Albana Çelepija” Një rrefenjë nën prizmin inovativ dhe futurist sipas së cilit njerëzit duhet të pergatiten të mirëpërdorin rezervat e tyre tokësore për të përballuar të ardhmen, si psh. të mos shpërdorojnë ujin, të mos prodhojnë përtej nevojave, të mos peshkojnë përtej shkallës së kërkesës.

Ngjashëm me këto koncepte tregimi kërkon të përcjellë idenë e ruajtjes së diversitetit si rezerva më e madhe shpirterore dhe ndërnjerëzore. Vetë Albana na tregon për eksperiencën e saj dhe më shumë mbi librin në fjalë:

“Nuk do të më kishte shkuar në mendje që në eksperiencën time profesionale në Itali do të më qëllonte të jepja kontributin tim si autore e një tregimi për fëmijë! Tregimi im rradhitet mes tregimeve të tjera të librit shumëautorësh, i cili është pjesë e serisë së librave “Special Editions” të institutit kërkimor të rajonit të Trentinos, në kuadër të projektit “Cittadini per la scienza/Qytetarët për shkencën”.


Ky botim special, i pari në llojin e tij për këtë institucion, synon të përmbledhë të gjitha linjat e tij të kërkimit shkencor në sektorë të ndryshëm duke nisur nga shkencat ekzakte, bioteknike, informatike e deri tek ato shoqërore, historike dhe fetare. Me pak fjalë, synon të edukojë me vlera brezat e rinj duke i pergatitur ata me nocione që janë sa te reja dhe inovative, po aq aktuale apo jetike.


Tematika që shtjellon njëri prej tregimeve, i cili është krijimi im i parë letrar në gjuhen italiane i realizuar në bashkëpunim me stafin e institutit italian, lidhet me shkencat fetare dhe është një përgjigje e natyrshme e imja ndaj ftesës: “çfarë historie mund të të vijë ndër mend me anë të së cilës t’u flasesh fëmijeve rreth islamit?”

Ndër sfidat e kohëve të sotme, ku mes të tjerash gjendemi të servirur nga etiketime të shumëllojshme ndaj feve në përgjithesi dhe Islamit në veçanti, gjë e cila bën që çdokush të mendojë se e njeh mjaftueshëm atë, kura e vetme e sherimit të keqkuptimeve mbetet edukimi, leximi, studimi dhe guximi për të shkuar përtej pragut të fast-food -it mediatik.

Duke qenë e vetëdijshme se këto janë vetëm disa fletë në një oqean librash, jam e bindur se lumenjtë nisin të rrjedhin në shtratin e tyre duke u nisur nga 2-3 pika të vogla – Lumenjtë e dijes që ujisin zemra të pastra.” shprehet ajo. *Albana Celepia ka studiuar Shkenca Informatike, punon si zhvilluese software për platformën e të dhënave (transformimi dixhital) pranë departamentit Smart Community të Qendrës për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (ICT)


Comments


bottom of page