E kishit dëgjuar fjalën metamorfozë?... Mbase disa po, ca nga Ovidi e ca nga Kafka, të tjerët s'besoj se nuk u duhej.
Të duhet, s'të duhet o njeri, ajo erdhi.
Në legjendë lahutari këndonte:
"Nje Bajloz i zi ka dalë prej detit..." e drang e drung.
Por sot ndodhi ndryshe. U mblodhen bashkë lahutarë e isotarë dhe ia morën vënç e ia kthyen horazi:
"Një conad i verdhë ka ardh' prej stepe... oi oi oi, io io io, heeej!"
Erdhi ashtu pa trokitje e ftesë, pa këngë e orkestër. U shfaq herë si Bajlozi e herë si Kuçedra duke klithur
"Tim per tim nga një trim me premun!"
Dhe doli te kerkonte trimat. S'la vend e kuvend, kërko e s'ka, s'ka po kërko!... Ku humbën këta trimosha të sekretareve e çingive? Kërko e trima hiç!...
Atëherë mori regjistrat e gjendjes civile tē Tokës t'u gjente emrat që i patën regjistruar prindërit apo turmat.
Kërko e kërko, gjej e shëno...
Si e sosi këtë punë, mbeti i ngrirë: të gjithe emrat e të mëdhenjve mbi dhé qenë kthyer së prapthi. Lexoi dhe i shkroi disa herë në origjinal dhe të kthyer përmbys:
vip - piv, bos - sob, shef - fesh, Tramp - pmart, Hoa - aho, Rama - amar, Sala - alas, Meta - atem... Luli - ilul, Mona - anom... Të gjithë pa kuptim e ps identitet.
Conadi i Verdhē shtangu, ku u fshehën emrat, ku janë trimat, ku humbi trimëria?... Unë për ata erdha se ndryshe pse do zbrisja nga qielli?...
Pashë zullumet dhe erdha,
dallova hilet dhe u ngjalla,
ndieva babëzinë dhe u zemërova...
Dhe ndaj bërtita me sa pata:
- Më prisni o kainë, o baraba, o pilatë, o xhebrailë, o judaidë!...
Gjyqin e madh do t'jua bej tani në gjallje, jo në vdekje!...
Eh, si gjithmonë, para Covidit të Verdhë u paraqitën mijëra e qindra mijëra skamnorë, dokerë, fermerë, aktorë, këndues, klerikë, mesues, mjekë, infermierë, por asnje nga të sojit që kërkonte e gjurmonte Covidi i Verdhë.
Atëherë, të shohim, të presim, tē pyesim: çfarē vendosi në fund Bajloz Covidi për të gjithë ata që mohuan emrin e tyre dhe vunë bedela falas nga turma për vete?
Ai u thirri nga megafonët e Tokës:
- Ej ju, këtu më keni, unë do gëlltis nga turma që ju më nxirrni përpara duke i lënë pa as një shtrat në spital, por do ju gëlltis edhe juve!
Ndërroni emra e fytyra, unē do t'u gjej! Fshihuni në vrimën e veshit të kaut të zi, unë do t'u gjej!
Mbylluni në xham, unë do t'u gjej!...
Ndaj mos u fshihni o të vetquajtur vipa e hyjni, kthehuni e bëhuni së pari NJERI!...
Comments