Të nderuar bashkëatdhetar, miq dhe intelektualë kudo ku jeni, muaji shkurt është muaji përkujtimor i njërës prej grave më të shquara në 100 femrat në 100 vitet e fundit, bijës sonë , të paharruarës Dr. Rushen Golemi, nderi dhe lavdia e fshatit tonë, Golëmit.
Dua të them, në këtë shkrim-homazh të shkurtër se njerzit e mëdhenj janë fjalëpak e punëshumë, se emrin ta vënë prindërit kur lind, por në panteonin e kujtesës historike dhe njerëzore, atë e gdhend vet, me veprimtarinë tënde në shërbim të njeriut dhe aq më tepër në shërbim të jetës njerëzore.
Suksesi dhe lavdia e ndoqi DR. Rushenin në çdo hap të jetës së saj, megjithse dihen dhe peripecitë biografike që sistemi diktatorial u bëri peshqesh kësaj familjeje patriotësh. Rusheni arriti të bëhej një mjeke e rrallë në papërsëritshmërinë e saj edhe pse qe mjekja e parë kirurge e diplomuar në Shqipëri.
Ajo pati një zemër të madhe dhe humane që rrahu për jetën dhe demokracinë dhe jeta e saj krijoi modelin më të mirë për këdo që aspiron tek vetja e tij diçka të vlefshme në jetë.
Gjatë 35 vjetve si mjeke kiruge, nuk e hoqi bluzën e bardhë, ndaj u quajt dhe “Zonja e Bardhë” dhe vet Zoti ditën e largimit të saj nga jeta e veshi natyrën me bardhësinë e dëborës. Shpirtëbardha iku në bardhësinë e saj duke lënur pas vetëm bardhësi e mirësi.
Që nga lindja e saj më 16 korrik 1935-ën e deri në largim nga jeta, vit të cilin nuk dua ta përmend jo vetëm si dhimbje por se kujtimi i saj jeton, jeta e Rushenit pati hapa të suksesit.
Në vitin 1957 mbaron Institutin e Lartë Mjekësor në Tiranë ndër 61 mjekët e parë shqiptar të diplomuar në Shqipëri, ndërkohë që studente në vitin e katërt kishte kryer edhe operacionin e parë, operacion për të cilin ajo vet do të kujtonte se:
“ Jam kirurgia e parë e diplomuar shqiptare dhe fat që punova me mjek dhe profesor të zot si Llambi Ziçishti dhe Prof. Petrit Gaçe, një kirurg i mirë dhe novator i cili vuri bazat e kardiokirurgjisë.
Isha studente në vitin e katërt dhe profesor Gaçe na thoshte që nëse duam të mësojmë kirurgjinë, duhet të shkonim të asistonim në sallat e operacionit.
Dhe shkoja sëbashku me shoqen time Rea Polenën, bijën e doktor Polenës.
Një ditë Rea nuk erdhi dhe unë shkova vetëm. Atë ditë erdhi një i sëmurë që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale në apandesit. Profesor Gaçe më tha të vendosesha në krahun e djathtë të të sëmurit që do të thoshte se isha primare në operacion”.
Kështu kaloi prova e parë që i hapi rrugën 35 vjeçare me rreth 1300 operacione në vit, pa llogaritur atë në shërbim të urgjencës, ç’ka do të thotë afro mbi 40 mijë operacione si kirurge.
Pas mbarimit të Institutit do punonte deri në vitin 1963 si kordinatore në klinikën e kirurgjisë së përgjithëshme e prej andej deri në vitin 1975 edhe anëtare e Këshillit të Lartë në Universitetin e Tiranës dhe deri në 1992 shefe e shërbimit, pa lënë punën
edhe si petagoge në fakultetin e mjekësisë dhe në zgjedhjet parlamentare 1992 zgjidhet deputete nga PD-ja.
Puna e saj e ka bërë që të nderohej në memorien e kryeqytetit dhe kudo ku punoi bisturia e saj jetëdhënëse : “Për kontributin e madh në mjekësinë shqiptare, për humanizmin dhe vlerat emancipuese të shoqërisë”.
Ajo respektonte forcën e gruas dhe e quante atë të barabartë me burrin, respektonte familjen dhe krijoi një familje model me tre fëmijë të mbarë. Ishte grua rezistente dhe vet thoshte se :” Këtë qëndresë e kam nga gjaku Kosovë dhe Labëri.
Më vjen keq kur njerëzit sillen keq dhe bëjnë keq. Nuk më plqejnë gjërat e këqija, gënjeshtra mashtrimi, moskorrektësia. Vet jam korrekte, jap fjalën dhe e mbaj, ndryshe e refuzoj kur shoh se nuk kam mundësi ndryshe. Në politikë u futa se pashë një Shqipëri të sëmurë, kjo nga sitemi diktatorial komunist dhe Shqipëria duhej shëruar, kjo më shtyu që u futa në politikë dhe bëra sa munda.”. Pak a shumë kjo është jeta e kësajë gruaje të fortë, qëndrestare, profesioniste e shkëlqyer që përvojën e saj e shpërndau edhe tek koleget e reja dhe studentët e saj dhe na vesh të gjithve me krenari. Dhe këtë e arriti me punë, këmbëngulje dhe vendosmëri, cilësi të karakterit të saj të fortë e të palëkundur.
Dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër me fjalët e vet Dr. Rushenit se pse ajo u bë kirurge, profesion që do ti jepte lavdinë e pashoqe:
“ Më pëlqente shumë mjekësia dhe në veçanti kirurgjia. Sepse , nuk e di. Im atë vuante nga ulçera e stomakut, po vuante shumë pasi doli nga burgu dhe unë desha që të bëhem mjeke, të bëhem kirurge që ta kuroj e shëroj atë. Dhe u operua, por jo nga unë, nuk më lanë, por nga shefat e mi, nga profesorat e mi. Unë vetëm një moment u futa në sallë për të pyetur se ishte ulçer apo diçka tjetër. Më sqaruan se ishte ulçer dhe asgjë më shumë. Atherë u qetësova dhe dola.”. ...
Ndoshta kjo dashuri për të atin, dashuri që asaj i kish munguar nga vitet e burgut të tij e bëri Rushenin ta shpërndaj tek të gjithë pacientët e saj duke i rikthyer në jetë e u ridhënë shpresën e bukurisë së jetës....
Të nderuar lexues dhe miq të Portalit miremengjes.net, mundova të jap pakëz portrtet të Dr. Rushen Golemit në perimetrin e vyrtyteve dhe vlerave të saj.
I paharruar kujtimi i saj!
Me respekt Gëzim Mero BEGA Farmacist, Sarandë , Mars 2020
Comments