top of page
Search

SARS COVID-19, PANDEMI APO NJE MUNDESI? nga Kastriot Jahaj*

Shumë natyrshëm kryefjala e ditëve të sotme është pandemia Covid-19. Më shumë se kurdoherë mendjet e njerëzve rreken të gjejnë shkaktarët e deri diku edhe pasojat.

Ndërkohë që disa mbrojnë idenë e konspiracionit, të tjerë jetojnë me ankthin e të panjohurës. A është kjo hakmarrja e botës së varfër kundrejt asaj të pasur, një mjet i perëndimit ndaj vendeve jo të zhvilluara, apo një mallkim ndaj rritjes së shpejtë të popullsisë së botës? Përgjigje të saktë për këtë pyetje ende nuk ka, por idetë dhe mendimet tentojnë të grupohen në realitetin para, gjatë dhe pas Covid-19, bota e re ku do bëjmë pjesë.

Bota po përballet me dy pasoja madhore që pandemia Covid-19 do vijojë të lërë pas.

E para ka karakter ekonomik dhe tjetra shëndetësor. Qeveritë e shumicës së vendeve të botës tashmë janë pozicionuar në llogoret e kësaj lufte dhe punojnë për të kaluar me sa më pak pasoja rrezikun e pranishëm për vendin e tyre. Shumica e vendeve të zhvilluara fokusin kryesor e kanë të përqendruar tek pasojat ekonomike post-pandemi. Detyrimisht edhe masat për të zbutur këto pasoja kanë qenë mjaft agresive dhe të paprecedenta. Disa vende të zhvilluara, nuk kanë aplikuar madje as paketën “tradicionale” të masave kufizuese sociale, pasi e konsiderojnë atë si frenuese të aktivitetit prodhues të vendit. Këto vende supozojnë që një pjesë e mirë e popullsisë do preket nga ky virus (50 – 70 përqind), duke lënë infektimin e masës t’i hapë rrugë rritjes së imunitetit të shoqërisë. Në ndryshim me si më lart, vendet e pazhvilluara apo ato në zhvillim, të kushtëzuara nga pamundësia per të aplikuar masa të tilla, janë orientuar kryesisht në plotësimin e mangësive të sistemeve shëndetësore, për të përmbushur sadopak nevojat imediate në këtë fushë. A është thjesht nevoja imediate rreziku që paraqet Covid-19, apo pamundësia për të parë të nesërmen?

Kastriot Jahaj - Ekonomist MBA

Nëse analizojmë atë çfarë gjeti Covid-19 në botë, besoj se na hedh dritë rreth asaj se çka mund të lërë pas, apo çfarë mund të sjellë ky episod në një botë të re. Ekonomitë botërore sot po përballen me kosto të larta financiare. Eksperienca ka treguar se çdo krizë globale me karakter ekonomik do joshte të gjithë aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët më mirë se kushdo tjetër janë në dijeni të faktit që krizat sjellin ndryshime thelbësore në aspektin ekonomik në nivel botëror.

Këto kriza nuk gjenerojnë efekt pozitiv për çdo ekonomi, por tentojnë të shtyjnë përpara trenin ekonomik nëpërmjet masave dhe motivimeve post-krizë. Me këtë krizë do kuptojmë ndryshimin mes vendeve të zhvilluara dhe pjesës tjetër të botës, ku ato të parat e kanë më të lehtë daljen nga korniza tradicionale e masave shpëtuese ekonomike.

Në të kundërt, vendet më pak të zhvilluara, apo ato të varfëra, duhet të zgjedhin mes kostove të raundit të dytë të masave jo-tradicionale dhe efekteve negative që mosmarrja e tyre mund të krijonte. Shumë prej nesh janë njohur me përhapjen e shpejtë të monedhave virtuale në vitet e fundit. Vëllimi më i lartë i tyre është shkëmbyer kryesisht në bursat e lindjes se largët. Nuk kanë munguar rastet kur këto monedha, ndonëse jo që në fillimet e tyre, janë përqafuar edhe prej autoriteteve monetare. Por a mund të vazhdojnë të jenë këto monedha një mjet shkëmbimi financiar i sigurt? Nuk kemi evidencë të gjatë lidhur me këtë fenomen, por mendoj që jo. Kjo për faktin se mbiçmimi apo nënçmimi i tyre, nuk ju përgjigjet faktorëve ekonomikë, por janë subjekt i spekulimit. Për më tepër këto instrumente nuk janë të rregulluar nga një autoritet, siç është në rastin e parasë tradicionale. Në raste krizash, si kjo që po jetojmë investimet tentojnë të orientohen drejt instrumenteve të shkëmbimit apo investimit më të sigurt në vendet e zhvilluara, si pasojë e rrezikut më të ulët që paraqesin këto vende me tregje financiarë të mirëzhvilluar.

A nuk është kjo një mundësi e mirë në rritjen e kërkesës për të investuar në instrumenta me të sigurta financiare? Sot vendet grupohen në tre kategori kryesore, në bazë të stadit të zhvillimt të tyre ekonomik: vendet e zhvilluara, në zhvillim dhe ato të pa zhvilluara.

Vendet në zhvillim, kanë qenë gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për të mbyllur hendekun ekonomik që ekziston mes tyre dhe vendeve të zhvilluara – procesi i catching up. Situata e deritanishme i ngjan një peshoreje ku çdo lëvizje i njërit krah do përmbyste krahun tjetër. Ne këtë kuptim kjo krizë ngadalëson ose në rastin më të keq bën regres të procesit të catching up në disfavor të vendeve të pa zhvilluara. Më ka tërhequr vëmendjen publikimi i observimeve të autoriteteve, si NASA, ku ndotja e ajrit në vendet ku janë aplikuar masat e forta të kufizimit social paraqitet në nivele minimale. Paraqitja e rezultateve të ndotjes së ajrit është plotësuar edhe me foto satelitore të disa zonave kryesisht industriale, sic është zona industriale e Wuhan në Kinë, Lombardia në Itali dhe plot shembuj të tjerë.

A nuk është kjo një mundësi sot, por e pamundur në kohë normale paqeje për të vlerësuar efektet dhe nivelin e shkatërrimit të atmosferës nga ndotjet industriale dhe urbane? A do mund të kuptonim sa është dëmi pa kuptuar sa e dëmtojmë?

A nuk po i jep botës një mundësi të mirë për të parë në një hark kohor të caktuar se sa e pavarur është bota sot nga konsumi i hidrokarbureve? Po ashtu, a nuk është kjo një mundësi e mirë në vigjilje të revolucionit të makinave elektrike? Gjithkush do ta shikonte si një film fantastiko-shkencor një skenar ku mbyllen kufijtë ndërkombëtarë, mbyllen aeroportet kufizohen lëvizjet e qytetarëve, paralizohet e gjithë jeta sociale e shoqërisë. Në kohët normale do të dukej e pamundur që bota e zhvilluar të mund të jetonte prej javësh apo muajsh në këtë situatë. A nuk na e dha Covid-19 këtë mundësi për të kuptuar që është e mundur? A nuk ishte i nevojshëm një testim i të gjitha kapaciteteve dhe reagimit të sistemeve shëndetësore të ngritura nga dora e njeriut dhe të zhvilluara me ritme të shpejta në vitet e fundit? Duhet theksuar që në aspektin ushtarak ky simulim bëhet vazhdimisht. Simulime të tilla në rrafshin shëndetësor do të ishin mëse të nevojshme për të ndihmuar pak a shumë vlerësimet rreth optimalitetit të investimit në këtë fushë në të ardhmen.

Më tërhoqi vëmendjen një shkrim në mediat sociale ku kostoja e një mjeti ajror luftarak F-16 konvertohej në vlerën e disa mijëra aparatesh respiratorë për frymëmarrje artificiale. Shumica e vendeve të botës sot janë në kërkim të blerjes së qindra mijëra pajisjeve të tilla, si nevojë emergjente. Ky lloj krahasimi sasior ndërmjet një mjeti ushtarak dhe një pajisje mjekësore jetike përveçse nuk më duket se është rastësor, përkundrazi më shtyn të mendoj se Covid-19, ndër të tjera mund të sjellë një ri-shpërndarje të burimeve ekonomike, si në rastin konkret nga ai ushtarak drejt atij shëndetësor, e mbase edhe më gjerë se kaq.


Të gjithë ne jemi interesuar në mënyra të ndryshme, apo jemi siguruar të kemi informacion në lidhje me rezervat që ka zinxhiri i furnizimeve ushqimore. Megjithatë, unë jam i mendimit që nuk është sistemi i vetëm për të cilin duhet të kujdesemi të mbetet në këmbë në rast krizash të këtyre përmasave.

Pavarësisht shqetësimit të një pjese të mirë të popullatës, funksionimi i këtij zinxhiri nuk ka shfaqur probleme, i testuar në kushtet e kërkesës së dyfishuar për këto produkte në një kohë të shkurtër. Duke iu referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Agrokulturës, një e treta e prodhimit ushqimor botëror nuk konsumohet, por tretet ose humbet. Kjo tepricë në ofertë është humbje e madhe për aktorët e këtij segmenti ekonomik.

A nuk është realitet se Covid-19 i dha një mundësi të artë këtij sektori në këtë periudhë duke zhvendosur këtë ofertë të tepërt të rezervave ushqimore nga depot e fabrikave në kuzhinat e konsumatorit, duke transferuar vlerën ekuivalente monetare nga konsumatori në prodhuesit e këtyre produkteve? A nuk do të ishte një mundësi e re zhvillimi e këtij sektori, ndërkohë që shumica e sektorëve të tjerë vuajnë pasojat e situatës së Covid-19, kohëzgjatja e të cilave ende nuk dihet? Ne të njëjtën linjë me sa më lart duhen analizuar edhe politikat zhvillimore të vendeve të pazhvilluara apo atyre në zhvillim, të cilat vlerësojnë si mundësi të vetme zhvillimi ekonomik rritjen e investimeve në industri, sektorin e shërbimeve, të ndërtimit apo tregtisë, duke hequr dorë nga ajo që më së shumti kanë bërë: bujqësia. A nuk është bujqësia motori kryesor i zinxhirit ushqimor global? A është e mjaftueshme kriza e shkaktuar nga Covid-19 për të mundësuar një ri-konfigurim të politikave zhvillimore të këtyre vendeve në drejtim të bujqësisë, si një sektor me përfitime të sigurta në kohë krize? Nuk mendoni se kjo është ajo që do të dëshironin edhe vendet e zhvilluara? Pa dyshim që nuk kërkoj një skenar konspiracioni në pyetjet e mësipërme, por mendoj se shumica e tyre prezanton një pjesë të mirë të tablosë së para- pandemi dhe asaj që ajo do lërë pas.


*Kastriot Jahaj: Chief Commercial Officer / MBA



Commentaires


bottom of page