top of page
Search

SHEN VALENTINI DHE NEPUNESI I GJENDJES CIVILE -tregim-

SHEN VALENTINI DHE NEPUNESI I GJENDJES CIVILE

-tregim-

Nga Hamit Taka


Atëherë punoja akoma në Veri. Veri i thonim në atë kohë, po të kapërceje Tiranën. Ndërsa ne ishim në zonën veri-lindore. Djem dhe vajza universitarë nga Jugu, që nga Korça e deri në Sarandë, kishim populluar ato vise ende të varfëra me këtë lloj specie shoqërore.

Mund të ishim ngulur atje, por falë vajzave korçare, të cilat i bënë një letër Udhëheqësit, se kishin mbetur pa u martuar, mundëm të kthehemi në viset tona. Udhëheqësi qe në orë të mira, kur e këndoi letrën, se më pas shpiku Athina Milen dhe, po të guxonin korçaret, le të ankoheshin se kishin mbetur pa martuar. Bile nga kjo letër u ofendua shumë Monda, pasi ajo ishte martuar dhe kishte fillaur jetën seriozisht.

- Po hë, moj shoqe, pse u bëre speckë djegëse, ti je martuar me një drropullit, nuk je martuar me… - i tha Elsa, por i mbeti fjala në buzë, se nuk deshi të ofendonte vendasit.

- Hë, vazhdo ti të ofendosh ende njerëzit e thjeshtë të këtyre anëve, pa në Spaç ke për të shkuar, jo në Korçën tënde, - ia ktheu Monda.


- Po ç’ne moj, kush i ofendoi vendasit. Këta janë njerëz të mrekullueshëm, - e ngau debatin Elsa, duke menduar se Monda e kishte shumë seriozisht. Në fakt, me aftësitë aktoriale që kishte Monda, seriozisht e mora edhe unë.


Nga një libër që lexoja, nxorra një lule të tharë, zambak Lure dhe ua tregova të dyjave, për t'ua ndërruar dialogun.

- Si u gjend kjo lule në librin tim? - thashë, duke mbajtur me majat e gishtave lulen e tharë.

- Hë pra, kush e solli? –Vazhdoi Monda.

- Ndonjë çobaneshë e bukur, - tha Elsa, me demek që unë isha doktor i kafshëve, veteriner, pra.

- Po mirë këto vajzat korçare, që nuk duan të martohen këtu, po ju djemtë, pse nuk doni, kur vajzat e kësaj ane janë tërë shëndet e bukuri, - filloi të më thumbonte mua Monda.

- Kush tha se nuk duam të martohemi? Ne nuk i kemi bërë letër Udhëheqësit, për të na transferuar, - ia ktheva.



Në çast trokiti dera dhe Elsa u hodh ta hapte. Hyri doktor Hektori me gruan e vet, e cila mbante për dore një bukurosh të vogël, faqet e të cilit ishin skuqur si një tulipan i kuq nga të ftohtit. I kishte kërkuar Monda, për një konsultë me doktorin dhe shkëmbim përvoje me të shoqen e tij, se ishte shtatëzënë. Shyqyr, thashë me vete, se u shuan gjakrat midis Mondës dhe Elsës.

- Si e ka emrin ky pëllumb, që ka zbukuruar malësinë? - E pyeta gruan e doktorit.

- Valentin, - m’u përgjigj nëna e tulipanit të kuq.

- Oo, ç'emër i bukur! Mua më duket se tingëllon më bukur për meshkujt emri Valentin se Valentina për vajzat, - tha Elsa.

- Eshtë i bukur, se është emri i Shën Valentinit, apo të ngjan vërtetë i bukur? - e pyeti gruaja e doktorit.

Ne shikuam njëri-tjetrin si të shushatur. Menduam se u zumë ngushtë, deri sa atje në Veri e mbanim veten me një barrë kulturë.


- Mos u turpëroni se edhe unë, që e pagëzova timbir me këtë emër, nuk dija gjë për Shën Valentinin. Por më interesante ishte historia me zyrtarizimin e emrit të djalit, - na e hoqi turpin doktori.

Ne u ngushëlluam, se nuk ishim vetëm në padijen tonë.


Në kohën e lirë, rreth fuçisë me zjarr në mes të dhomës, na pëlqenin më shumë historitë vetiake të njëri-tjetrit se ato të librave. Zumë vende në karriget tona prej dërrasash ahu dhe hapëm veshët. Ndërkohë që doktor Hektori tregonte, unë isha përqëndruar te tulipani dyvjeçar, që u sugjestionua nga kureshtja e vëmendja jonë dhe shikonte të atin i përqëndruar, sikur i përpinte ato që nxirrte ai nga goja.

- Valentini është fëmija i parë. Të dy donim të ishte vajzë dhe kishim menduar shumë emra. Kundra dëshirës tonë doli djalë. Na erdhi në ndihmë një mikja e Zanës, e cila disa ditë para lindjes e pas lindjes, na u gjend pranë, e cila punonte në shtëpinë e kulturës.

- Me qënë se nuk keni paramenduar emër për djalin, ma lini mua ta pagëzoj? - Na tha ajo.

Ne vështruam njëri-tjetrin dhe sytë u pajtuan me propozimin e Florikës.

- Me qënë se djali lindi më 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, unë ju propozoj ta quajmë Valentin.

Të jemë i hapur, nuk kisha dëgjuar gjë për këtë Shën Valentinin. Zana brofi nga gëzimi, pasi i tingëlloi shumë i bukur emri. Unë i thashë Florikës se kisha dëgjuar emra vajzash Valentina, por emra djemsh, Valentin, nuk kisha dëgjuar. Pasi Florika më tregoi si kishte lindur festa e të dashuruarve, që mbante emrin Shën Valentin, mua m’u mbush zemra me atë emër, që tani më tingëllonte si hyjnor.

- Mit është, por gjë e bukur. Shumë i bukur, - i thashë Florikës dhe e miratova emrin e propozuar prej saj.

Ne, buzagas të gjithë pohuam bukurinë e emrit kush me buzëqeshje, kush me tuundje koke.

- Po historia qëndron më tej, - tha doktori dhe e ndërpreu vazhdimin, se trokiti agronome Moza, për disa ilaçe kundër uthit, që e zinte shpesh.

- E ke nga të ftohtit, por sidoqoftë do të jap ca ilaçe, - i tha doktori dhe i plotësoi recetën.

- Vazhdoje historinë, doktor Hektori, - nxitoi Monda.

- Ç’është ajo histori? Bën ta dëgjoj dhe unë? - tha agronomja kureshtare.

- Me kënaqësi, - tha doktori dhe rifilloi.


- Shkova në gjëndjen civile të regjistroja fëmijën dhe t'i shkruaja emrin. Nëpunësi , pa më pyetur në se kisha menduar ndonjë emër, më vuri një listë emrash përpara. Bëra sikur i hodha një sy dhe ngrita kokën.

- E zgjodhe? –më tha nëpunësi, një gjysëm analfabet, që vetëm dinte të shkruante shqip.

- Po, - iu pëgjigja.

- Thuaje, - më tha.

- Valentin, - i thashë.

E shkroi emrin dhe më uroi. I dhurova një pako llokum dhe e ftova për ta qerasur në lokal.

- Boll, mjafton, - më tha.

-Jo, - i thashë, - kjo është nga gruaja. Burrat shkojnë në lokal. Shkuam në një restorant të mirë, bëmë një drekë të fortë dhe u ndamë miqësisht. Në fakt njiheshim që herët.

Pas ndonjë jave, nëpunësi erdhi në klinikën time dhe, me droje, më ftoi të dilja pak jashtë me të. I kërkova ndjesë një pacienti, që më priste dhe dola. I futa krahun nëpër korridorin e gjatë.

- Doktor, - më tha, - kur rregjistruam djalin tend, kemi bërë një gabim të rëndë.

- Çfarë gabimi bëmë, që të cilësohet kaq i rëndë, Xhezair? –e pyeta me habi.

- Emri Valentin është emër i huaj. Bile emri i një shenjtori nga ata të pipinos, - m’u përgjigj.

- Për ideal, nuk dija gjë për këtë shenjtorin. Bile as sot nuk di gjë. Nga ju e dëgjoj për herë të parë, - e gënjeva.

- Nuk kam ç’t’ju bëj, doktor. Me gjithë se kam respekt për ju, duhet ta fshijmë atë emër të mallkuar, - më tha si i frikësuar.

- Dakord, - i thashë, - e ndërrojmë emrin e djalit, por nga e mësuat se ky emër është i një shenjtori të mallkuar, që unë s’e kam dëgjuar. Bile dhe ti, me sa duket, s’e dije kur rregjistruam djalin.

Nëpunësi vuri re andej-këndej dhe m’u afrua gati te veshi, pasi ishte pak më i gjatë se unë.

- Kryetari i Frontit Demokratik të lagjes e kishte bërë problem në mbledhjen e muajit. Edhe atij dikush ia kishte vënë në mëndje, pa ku merr vesh ai idiot. Ai më kishte akuzuar rëndë mua në mbledhje. Ore nuk e çaja kokën unë nga ai llafazan, por problemi u diskutua në organizatën bazë të partisë dhe arriti deri në komitet. Bile folën keq edhe për ty.

- Pse, ç’kam bërë që folën keq, - i thashë

- Në fakt jo me emër, por për intelektualët në përgjithësi, se gjoja kanë lakra në kokë e manifestojnë shfaqje të huaja. Ai emri i atij shenjtorit paskësh qënë shumë i rrezikshëm. Sonte jam në raport në kryesinë e Frontit të lagjes dhe në organizatën e partisë… - e mbaroi fjalën nëpunësi.

- Më prit pesë minuta këtu, - i thashë dhe shkova të mbaroja punë me pacientin.

Pimë një kafe dhe shkuan në zyrën e gjëndjes civile. Kur hapi rregjistrin, i thashë me një ton lutës:

- More, shoku Xhezair, po sikur të mos e ndryshojmë emrin?

- Ç'flet, o doktor, të falin ata!

- Ne nuk do t'u kërkojmë falje fare...

- Po si do ta bëjmë pa kërkuar falje, o doktor?

- Po ja, shoku xhezair, ne do të ndryshojmë datën e lindjes. Përshembull, nga 14 shkurt, e bëjmë 14 janar dhe më tej ç’lidhje ka emri i shenjtorit?



Pasi u mendua pak nëpunësi, më tha:

- S’po ta prish, shoku doktor, po bëhet ashtu, e bëjmë.

Problem ishte korrigjimi po e katranosëm si e katranosëm...

Dolëm së bashku dhe bëmë një drekë tjetër të fortë. U ngroh pak, domethënë u bë çakërr qejf, kur thonë nga anët tona dhe shkoi direkt në mbledhje.

- Po nuk kishte lindur në 14 shkurt, or jo. Kishte lindur në 14 janar i shkreti djalë dhe ju kishit të drejtë kur m'u hodhët mua sikur u kam vrarë baballarët - u tha i sigurtë në zgjidhjen e asaj situate të ngatërruar në mbledjen e përbashkët të kryesisë së frontit dhe të organizatës bazë.

- A, ashtu qe, nuk e kishte lindur në 14 shkurt djalin doktori?! Lere, mo, lere. Po e ka lindur në 14 janar, nuk ka problem emri, se 14 shkurti është dita e Shën Valentinit, - thanë ata të mbledhjes.

Ne ia dhamë të qeshurit. Desh duartrokitëm.

- Prisni, prisni, - tha doktori, - se ata më lart nuk e kapërdinë atë pilulë mashtrimi. Në shtator të atij viti më thirrën në komitetin ekzekutiv, sigurisht në seksionin e shëndetësisë. Dhe, në prezencë të sekretares se komitetit ekzekutiv dhe kryeredaktorit të gazetës lokale, shefi më tha:

- Shoku Hektor, ju jeni një nga specilistët më të mirë të rrethit tonë, të mos themi dhe në gjithë vendin. Por sot partia ka shumë nevojë për specialistë në zonat e Veriut.

Pastaj vijoi sekretarja:

- Rrethi ynë do ta ndiej mungesën tuaj, por ka më shumë nevojë atje.

- Unë e kuptoj shumë mirë problemin, por ju mbase nuk e dini se kam një fëmijë, që nuk ka mbushur as vitin akoma, ku ta çoj unë atë nga klima e Vlorës në të ftohtin e Veriut, - u thashë.

- E dimë që ke dhe Valentinin e vogël, doktor, por partia ka krijuar kushte edhe në Veri për mirërritjen e fëmijëve: ka çerdhe, kopshte e shkolla të ngrohta... Atje tani ka nevojë vetëm për specialistë...

- Ja, pra, ky Valentini i vogël më solli këtu... Po, mirë, mirë u bë, është një eksperiencë e re dhe nojhim vendin tonë të paktën, se vende të huaja... Janë njerëz të mirë këta veriorët, të padjallëzuar, e mbylli tregimin doktori

- Po, po, të padjallëzuar, doktor Hektori, - u hodh agronome Moza, - se misrit, që mbjellin, kallirin ia çojnë natën në shtëpi, kashtën e lënë në arë...

Comments


bottom of page