top of page
Search

SHENJAT QË MBETEN NGA JETA

Updated: Feb 27, 2023

Nga Pajtim Çaushi


Një kujtim fëmijërie


Fillimi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar. Vëllain e madh Eqeremin dhe mua, të dy nxënës në Fillore, babai (Bajram) na mori me vete. Do të shkonim në Rrah, fushë në kufirin mes Konispolit e NB Vrinës.

- Do hidhni nitrat në pambuk, tha e shtoi, të nxirrni ndonjë lek për shkollë...

Babai ishte brigadier në kooperativë. Shkuam kokulur. Udhën nga Shkalla për Rraha e bëmë në këmbë. Kur arritëm tek parcela plot bimë, ai i foli një vajze të shëndetshme:

- Hava, po deshe kujdesi se janë të vegjël, nga halli i mora në punë...

Ajo qeshi me zë e na përqafoi të dyve si të ishim vëllezërit e saj. Të qeshurën e kishte gurgullimë ujvare.

Kështu ka qënë njohja ime me Hava Bejdon (Papara pas martese). Krahas punës që bënte për normën, nuk linte rast pa u interesuar edhe për ne.

- E, jeni mirë?... Mos u lodhni se nuk soset puna kooperativës, thoshte e buzëqeshte.

Sjellja e saj e çiltër bëri qe të ndienim ngrohtësinë e saj tejet njerëzore. Edhe ne e respektuam shumë gjithë jetën.

Pas pune shkonim me këmbë nga Rrahu në Shkallë ku prisnim makinat. Udha e gjatë e me shumë pluhur. Havaja na mbante nga dora. Në ndonjë moment ne i shkëputeshim dhe vraponim duke zvarritur këmbët e zbathura. Pas nesh ngrihej si re e dendur pluhuri. Nuk mbaj mend asnjë rast që ajo të mërzitej apo të na qortonte për veprimin tonë. Vetëm qeshte me zërin e saj të ëmbël si muzikë.

 

Portreti


Havaja u lind në 2 prill të vitit 1941 nga Haqo e Pembe Bejdo, në një familje me emër shumë të mirë në qytetin e Konispolit. Njerëz të zotë e në punë të tyre. Haqua ishte burrë i bisedës dhe i mikpritjes. Kur trokiste dera, ai nuk pyeste:

- Kush je?...

Por të ftonte me zë të hareshë:

- Hajde, bujrum!

Ajo u rrit me motrën e saj Unenë mes ngrohtësisë së prindërve dhe pesë vëllezërve të dashur.

Pati portretin e lakmuar të një individi me zemër të madhe. E bukur me një buzëqeshje njerëzore. Në pamjen e saj qenë skalitur mirësia, sinqeriteti, dashuria. Një bionde natyrale që të bënte për vete me zërin e saj të ëmbël.

Nuk kam njohur në jetë një person tjetër që të mos shfaqej kurrë e mërzitur në pamje. Po kështu edhe nga sjellja e të tjerëve sido që të ishte, ajo asnjëherë e bezdisur.

Përherë paqësore, mirëkuptuesë, Hapte udhë kur shihte që dikush kishte qejf të nxehej e të grindej. Tërhiqej me pjekuri e qetësi dhe shikonte punën e vet.

 

Njeriun s'e vlerëson vetja, por tjetri


Hava Bejdo që në moshë të njomë punoi kudo ku ishte nevoja e familjes dhe e shoqërisë: në kooperativë, shitëse në ushqimore, rrobaqepëse. Kudo e qeshur dhe e dashur, respektuese e njerëzore. Asnjë sjellje e pahijshme, asnjë fjalë e keqe. Prej gojës së saj sikur rridhte mjaltë kur fliste.

 Duhet theksuar se ka qënë një qëndistare e talentuar. Qëndisjet e tantellat e saj edhe sot janë elegante e gjithë hijeshi.

Më kujtohet mirë kur Havaja këndonte këngë e kërcente valle popullore çame në Shtëpinë e Kulturës të Konispolit. S'di pse që në ata vite e kam krahasuar me Hënën çame. E tillë dukej e mira Hava në ato valle e këngë aq të bukura.

Secilin individ e vlerësojnë të tjerët, jo vetja. Kush mund të thoshte qoftë dhe një fjalë të keqe për të mirën Hava...? Askush sepse ajo me qëndrimiet e saj ndaj gjithkujt ishte modeli i njeriut me kulturë dhe edukatë.

Me shoqet si motër, me shokët njerëzore, me lagjaret asnjë fjalë të prishur...

Me të gjithë e pakursyer...

 

Po nuk shkele ligjet...


Havaja u martua me Et'hem (Hetem) Yzeir Paparën, djalin e një familje të ardhur nga Lopësi. Familje e thjeshtë, punëtore, e kamur në fshatin e vet. Familja e Yzeirit u vendos në Konispol pas dëbimit me dhunë të çamërve nga trojet e tyre prej andartëve grekë.

Hetemi lindi më 5 maj të vitit 1936. Ishte njeri i qetë, i pjekur, i patrazuar kot dhe pa vese në personalitet. U rrit në punë. S'iu nda asnjë ditë të atit në Mursi ku kulloste tufën e bagëtive të sjella nga Lopësi. Nuk u kursye që ta ndihmonte për mbajtjen e familjes me katër djem e një vajzë.

Në vitet '60 kreu punë të ndryshme në kooperativën e Konispolit: punëtor, brigadier, përgjegjës sektori. Ndonëse pa arsim universitar, por me diplomë përvoje arriti të kishte suksese në të gjitha detyrat e ngarkuara. Ishte i përkushtuar dhe i papërtuar për punën. Gjatë dy muajve të aksionit të korrjes së misrit ai e harronte shtëpinë. Natë e ditë në Rraha e Manastir për të arritur objektivat e kohës. Nuk nxehej asnjëherë dhe s'përdorte fjalë fyese me askënd.

 

Familje model


Havaja dhe Hetemi lindën tre fëmijë: Bukurinë, Ilirianin dhe Adelinën. Edhe sot lagjarët e pasardhësit i tregojnë si prindër të modelit pozitiv. I ati u përcolli dashurinë për punën e respektin për ligjin.

- Kujdes me ligjin, me rregulloren, po i zbatove pa hile, nuk të rrëshqet këmba kurrë, u përsëriste fëmijëve. Dhe ata ashtu vepruan.

Në shkollën ku Bukuria punoi si mësuese dhe drejtore ishte dhe është model korrektësie e mirësjellje, Po kështu edhe Lili... kështu edhe Nina. Pas vitit '90 kur individit iu kthye prona private, Hetemi punoi pa u lodhur dhe mbolli disa lloje pemësh. Shpesh e dëgjonin të thoshte:

- Eh sikur të kisha edhe më shumë tokë, të mbillja edhe me shumë për t'i gëzuar fëmijët, nipërit e mbesat!

Havaja u fali dashuri të pacakë njerëzore fëmijëve. I mësoi të ndienin respekt për të tjerët, sinqeritet e zemërbardhësi. Ajo i përkundi me adhurimin e talentin për këngën e vallen popullore çame. Ndjeshmërinë e saj për të bukurën dhe njerëzoren e përcolli pa kursim tek dy vajzat dhe djali i vetëm. Vajza e madhe (Bukuria) u bë jo vetëm valltare e këngëtare e dalluar, por edhe organizatore e veprimtarive kulturore të Konispol e krahinë. 

Havaja nuk kursente asgjë që kishte për të ndihmuar të tjerët. Ndiente keqardhje për skamjen e të njohurve, u jepte dhe u falte çdo gjë nga të vetat duke u thënë:

- Merrni, mos m'i ktheni se ua kam falur me gjithë zemër. T'i mbani me shëndet e t'u bëjnë mirë!

Edhe fëmijët me atë frymë njerëzore u rritën. U sollën në jetë dhe sillen edhe sot me të tjerët po me të njëjtin humanizëm e njerëzi...

 

Një ditë s'do të jemi


Nuk kemi qënë në jetë ndaj dhe s'do të jemi pambarim, thuhet rëndom. Kjo është një e vërtetë e trishtë, por,,, është. Një ditë fija e jetës këputet dhe njeriu kthehet tek mosekzistenca konkrete. Fundi ekzistecial është i njëjtë për të gjithë gjallorët e mbitokës.

Hetemi u largua nga jeta në 28 tetor të vitit 2017, ndërsa Havaja në 14 nëntor 2021...

Dhimbje për të gjithë që i njohën, kuptohet veças për familjen. Për secilin mbetën pas gungat, shenjat e jetës së bërë.

Gjurmët e jetës që la Havaja dhe Hetemi janë shembull vijimi për dashamirësit dhe fëmijët e tyre të nderuar.


26 Shkurt Shkurt 2023

Comments


bottom of page